ANALIZË: Shpenzimet kapitale të buxhetit – kush fitoi e kush humbi? (II)

Imune ndaj “shkurtimit” të shpenzimeve kapitale nuk mbetën as Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, Prokuroria Publike, si dhe agjenci dhe institucione të shumta shtetërore., shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk 

Buxheti i krizës – zvogëlim i shpenzimeve kapitale.

Te Ministria e Financave  – konkretisht te zëri “Projekte për përmirësimin e shërbimeve komunale”, shuma është 7.3 milion euro dhe ajo nuk është zvogëluar në krahasim me projektimin fillestar, por ky program përfshin mbështetje financiare, gjegjësisht kreditë nga Banka Botërore që synojnë realizimin e projekteve komunale dhe përmirësimin e shërbimeve komunale dhe forcimin e buxheteve të autoriteteve lokale. Me buxhetin e krizës, ministria planifikon të rrisë sasinë e “Ndihmës së tranzicionit” përmes rritjes së donacioneve – para që do të përdoren për zbatimin e reformave dhe projekteve në fusha të ndryshme – gjyqësi, ekonomi, organet rregullatore, inspektoratet. Përmes Ministrisë së Financave rriten ndjeshëm fondet për zhvillimin rural, të projekturara në nivelin prej 2.8 milion eurosh. Do të zvogëlohen edhe mjetet për zërin për Mbështetjen e zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat tani janë projektuar në 358.000 euro.

Me buxheti i krizës gjithashtu pësuan edhe një pjesë e shpenzimeve kapitale të Ministrisë së Shëndetësisë – e cila është strategjike për t’u përballë me krizën shëndetësore Kovid-19. Kështu, fondet për rikonstruimin dhe mbindërtimin e ndërtesave të institucioneve të shëndetit publik në vend nga 3.4 milion euro janë ulur në 3.1 milion euro me një tendencë për t’u rritur ndjeshëm në vitet e ardhshme, ndërsa brenda këtij programi janë planifikuar aktivitete të ndërtimit në spitalin “Shën  Erazmo – Ohër”, spitalin në Strumicë, spitalin në Shkup “Shën Naumi i Ohrit”, si dhe rikonstruksioni i çatisë së ISHP “Instituti i Nefrologjisë” në Strugë dhe ndërhyrja në Spitalin e Gjinekologjisë “Nënë Tereza” në Çair.  Në kuadër të kësaj ministrie, paratë për blerjen e pajisjeve mjekësore dhe për rindërtimin dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në ambulantat në zonat rurale mbeten në të njëjtin nivel. Nga ana tjetër, ka një ulje të mjeteve edhe për spitalin e përgjithshëm në Kërçovë, nga 1.1 milion euro në 1 milion euro, ndërsa fondet për ndërtimin e qendrës së re klinike në Shkup dhe në Shtip mbeten të pandryshuara në krahasim me buxhetin e deritanishëm.

Ka një ulje të ndjeshme të shpenzimeve kapitale te Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, ku zëri për zhvillim “Bashkëpunimi ndërkufitar” është zvogëluar për gjysmë milionë euro dhe tani është në nivelin prej 1.5 milion euro, ndërsa paratë për zhvillim të balancuar rajonal, të pozicionuara në 1.6 milion euro, janë zvogëluar shumë pak.

Me buxhetin e krizës, për sa i përket “komponentit të zhvillimit” më pak para sesa në planin e mëparshëm, ka edhe në Ministrinë e Bujqësisë, konkretisht për projektin kapital “Hidrosistemi Zletovica” ishin planifikuar 3,75 milion euro, ndërsa tani 2.96 milion euro, fondet për ndërtimin e “Hidrosistemit Lisiçe” janë zvogëluar minimalisht dhe tani janë projektuar në nivelin  408.000 euro, zvogëlohen edhe shpenzimet kapitale për Programin për ujitje të luginës jugore të Vardarit. Nga ana tjetër, shtohen mjetet që përmes Agjencisë për Mbështetje Financiare të Bujqësisë, do t’u paguhen fermerëve si grante në investime, kështu që nga 12.2 milion euro të mëparshme, dhe tani ato arrijnë në 13.5 milion euro.

Zëri i shpenzimeve kapitale përmes komponentit të buxhetit për zhvillim mbetet i pandryshuar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, në nivelin 22.000 euro, të cilat në fakt janë të vetmet para të planifikuara përmes kësaj pjese për zhvillim të Buxhetit në këtë institucion, dhe janë të dedikuara për ta përmirësuar kapacitetin për zbatimin e legjislacionit të BE-së.

Duket se Ministria e Kulturës – përmes komponentit të zhvillimit, e “mbijetoi” rebalancin e buxhetit, me ç’rast kjo ministri ka vetëm një segment në këtë zë “Ndihmë gjatë tranzicionit dhe përmirësim institucional”, edhe atë mjetet mbeten në nivelin prej 75.000 euro.

Me buxhetin e krizës gjithashtu pësuan edhe një pjesë e fondeve të destinuara për zbatimin e Ligjit për Procedurën Penale, kështu që shuma e këtij zëri për Prokurorinë Publike është zvogëluar në 3.4 milion euro.

Në të njëjtin nivel prej 21.3 milion euro mbeten edhe mjetet që përmes Agjencisë së Punësimit janë të dedikuara për nxitjen e punësimit.

Zvogëlim të mjeteve përmes komponentit të buxhetit për zhvillim në buxhetin e krizës ka edhe në shpenzimet kapitale në Qendrën për Menaxhim të Krizave, Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Drejtorinë për Ekzekutimin e Sanksioneve, Drejtorinë Doganore, Agjencinë për Rini dhe Sport, Entin Shtetëror të Statistikave, Byronë për zhvillim rajonal. Në “Analizën” e parë kushtuar pjesës së zhvillimit të buxhetit të ribalancuar, “Portalb”-i publikoi të dhëna për ministritë dhe institucionet e tjera si Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrinë së Punës dhe Politikës Sociale… Me Buxhetin e ri të rishikuar, fondet e përgjithshme për projekte kapitale janë ulur për 17.8%.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button