Taksa e karbonit është stimul për transformimin e shpejtë energjetik

Taksat ekologjike janë një nga mënyrat më efektive në luftën me ndryshimet klimatike dhe stimulimin e zhvillimit me nivele të ulëta të karbonit të karbonit. Ato janë një kërcënim për të gjithë emetuesit kryesorë dhe potencialë të dyoksidit të karbonit, nga automjetet e vjetra deri te pajisjet e mëdha energjetike dhe industriale që përdorin lëndë djegëse fosile shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Taksa e karbonit vlen për të gjitha burimet e palëvizshme dhe të lëvizshme të karbonit. Në Maqedoni, burimi më i madh është sektori energjetik, përmes termocentraleve të qymyrit, por këtu përfshihet edhe transporti e ngrohja me lëndë djegëse fosile si nafta, mazuti ose qymyri. Në botë dhe në vendin tonë, përveç energjisë, ekzistojnë degë ekonomike që janë edhe burime kryesore të dyoksidit të karbonit, nga objektet e mëdha industriale, siç janë fabrikat e çimentos ose shkritoret e metaleve, deri tek serrat bujqësore, të cilat gjithashtu shpesh përdorin lëndë djegëse fosile për ngrohje.

Fillimi i aplikimit të taksës së karbonit nënkupton hapjen e mundësisë për investime në burime të rinovueshme për të cilat kemi shumë nevojë, vlerëson Elena Nikollovska nga “Eko Svest” (Eko vetëdija). Bëhet fjalë për sigurim të mjeteve financiare jo vetëm për burimet e rinovueshme, por edhe për inovacione drejt zbatimit të praktikave dhe teknologjive më të mira të mundshme për zhvillimin me nivele të ulëta të karbonit.

Elena Nikollovska, “Eko-vetëdije” | Foto: arkiv personal

“Megjithëse është përmendur si mundësi në Strategjinë për energjetikë dhe është planifikuar si masë në Planin Kombëtar për energjetikë dhe klimë, procesi i aplikimit të taksës së karbonit nuk ka filluar ende. Kjo do të thotë që nuk ka fare kornizë ligjore për këtë instrument dhe se nuk dihet në cilin format do të aplikohet. Megjithëse skenari i gjelbër, sipas të gjitha vlerësimeve duke përfshirë Vlerësimin strategjik të ndikimit të Strategjisë për energjetikë, financiarisht shpaguhet më së shumti ky instrument nuk lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e ndonjë skenari të caktuar, megjithëse ndikon ndjeshëm në shpejtësinë e transformimit energjetik. Pavarësisht skenarit që do ta zgjedhim, masa e taksës së karbonit është e nevojshme për të siguruar mekanizëm të qëndrueshëm financimi për këtë transformim, ndërsa kjo është e nevojshme për të arritur qëllimet e Komunitetit energjetik dhe BE-së. Sa më shpejt të fillojmë me aplikimin e saj, aq më shpejt do të shkojmë drejt përmbushjes së këtyre qëllimeve” thotë Nikollovska.

Kjo taksë ekologjike është e njohur në shumë vende të Evropës dhe botës, ndërsa e paguajnë prodhuesit e produkteve që lidhen me emetimet e dyoksidit të karbonit, por edhe nga konsumatorët, nëse i blejnë ato. Vlerësohet se vendet më të zhvilluara lëshojnë rreth 40 përqind të emetimeve, ndërsa në Bashkimin Evropian në vitin 2017 si taksa mjedisore janë grumbulluar rreth 370 miliardë euro. Rezultati i kësaj është ulje e emetimet të dyoksidit të karbonit me 22 përqind ose 1.240 miliardë ton midis viteve 1990 dhe 2017.

Ministria e Mjedisit thotë se ata janë akoma duke analizuar se çfarë do të nënkuptonte vendosja e taksës së karbonit për burimet e palëvizshme të emetimeve dhe mënyrën e përcaktimit të kësaj takse në vend.

“Taksa e karbonit është duke u analizuar në aspekt të potencialit për të zvogëluar emetimet e gazrave serë. Analiza do të tregojë kur do të vendoset taksa e karbonit dhe cila do të jetë shuma, varësisht nga shkalla në të cilën do të ngarkohen objektet prodhuese në Maqedoninë e Veriut. Strategjia për energjetikë ka treguar që nëse shuma e taksës së karbonit do të ishte mbi 35 euro për ton, kjo do të nënkuptojë mbylljen ose zvogëlimin e intensitetit të punës së Termocentralit në Manastir. “Nga ana tjetër, edhe pa filluar aplikimin e taksës së karbonit, vazhdimi i punës së Osllomejit nuk ka asnjë justifikim ekonomik”, thonë nga ministria.

Prandaj, ata theksojnë se sipas udhëzimeve të Komunitetit Energjetik dhe Komisionit Evropian, fondet e mbledhura nga taksa e karbonit mund dhe duhet të përdoren për të rritur investimet në burime të rinovueshme të energjisë, efikasitet energjetik dhe programet për konsumatorë të cenueshëm të cilët që do të jenë më të prekurit nga tranzicioni energjetik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button