Lajçak e mirëpret heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Lajçak ka thënë se ky vendim tregon përkushtimin e Kosovës që të rikthehet në dialog.

“Mirëpres vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për të hequr masat e reciprocitetit. Heqja e shpejt e pengesave për rifillimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, tregon përkushtimin e qartë të Kosovës që të rikthehet në tavolinën e bisedimeve, pa vonesa”, ka shkruar Lajçak në rrjetin social Twitter, transmeton REL.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se me heqjen e reciprocitetit, Kosova ka hequr pengesat për procesin e dialogut, por theksoi se tani i mbetet Serbisë, që të heqë pengesat, duke kërkuar ndaljen e fushatës së çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Fillimisht taksa 100 për qind e vendosur në fund të vitit 2018 dhe më pas reciprociteti i vendosur ndaj Serbisë në prill të këtij viti, u panë si pengesa për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është ndërprerë në fund të vitit 2018, kur u vendos taksa 100 për qind. Beogradi ka kërkuar heqjen e të gjitha pengesave, në këmbim të kthimit në tavolinën e bisedimeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button