RMV, virusi korona mjet për akuza-kundërakuza parazgjedhore

Fushata zgjedhore nuk ka filluar. Por, LSDM dhe VMRO-DPNE ka kohë që kanë filluar të denigrojnë kundërshtarin politik në mënyra të ndryshme. Tema e fundit e polemikës midis palëve dhe liderëve të tyre është përballja me koronavirusit, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Bilborde, aksione guerile, biseda të përgjuara, fletëpalosje, video promovuese dhe parulla me lëvdata apo me nxirje të kundërshtarit politik janë pjesë e metodave të partive për të lajthitur votuesit, megjithëse fushata zgjedhore nuk ka filluar dhe nuk ka datë për zgjedhjet. Gjatë pandemisë me koronavirusin në profilet zyrtare të liderëve të partive politike tashmë një kohë janë duke zhvilluar fushatë dhe, ndër të tjera, tema e grindjeve tyre është përballja me pasojat e përhapjes së sëmundjes.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në Facebook po lavdërohet se investimet e bëra nga qeveria e LSDM-së në shëndetësi kanë mundësuar përballje të suksesshme me krizën më të madhe shëndetësore në botë në dekadat e fundit.

“Siguruam paga më të larta në shëndetësi. I përmirësuam kushtet në 28 institucione të shëndetit publik”, thuhet në njërën prej parullave.

Kundërshtari i tij nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në të njëjtin rrjet social, përmes një video mesazh ka porositur që Zaev dhe Qeveria po i gënjejnë qytetarët se po përballen mirë me krizën.

“Para për mbështetje nuk ka, ndërsa borxhet po rriten. Gënjeshtra është stil i sjelljes së LSDM-së dhe këtyre njerëzve. “Gjithçka që kemi parë vitet e kaluara tani po përsëritet”, ka theksuar Mickoski në atë video.

Mickoski u kritikua edhe për faktin se gjatë pandemisë kishte ushtruar në palestër, ndërsa është vërejtur brenda një kafeneje në Debar Maalla, ndërkohë që në objektet hotelerike lejohen të operojnë vetëm në tarraca. Mickoski pranoi se kishte gabuar, por porositi  se qeveria po e shpërqendron vëmendjen e publikut larg përballjes katastrofike me koronavirusin.

VMRO-DPMNE akuzoi gjithashtu se zyrtarë dhe aktivistë të LSDM-së e kanë filluar para kohe  fushatën zgjedhore dhe se kanë shpërndarë materialit propagandistik. Me këtë, siç ka theksuar partia opozitare, qeveria kryen vepër penale duke bërë fushatë të parakohshme dhe e rrezikon shëndetin publik.

Ky lloj i fushatës do të ketë një efekt negativ tek qytetarët, thotë analisti politik Xhelal Neziri.

“Ekziston mungesë e përgjegjësisë nga të gjithë aktorët në këtë qeveri teknike. Të gjithë janë brenda këtij koalicioni, por askush nuk bartë përgjegjësi për menaxhim të situatës. Le të themi që kur të vijë koha për lëvdata ose rezultate konstruktive, të gjithë vrapojnë t’i promovojnë si arritje partiake. Tani që po vjen një valë e re e të infektuarve në një kohë kur të gjitha vendet e tjera janë duke regjistruar zero të infektuar, askush nuk po e merr përgjegjësinë. Në një format të tillë të qeverisjes, mendoj se ajo do të vazhdojë të shërbejë si një mjet për propagandë dhe fushatë zgjedhore e pafund që ka të ngjarë të rrisë numrin e pacientëve” thotë Neziri.

Sipas Nezirit, sa më shumë të prolongohen zgjedhjet, aq më shumë partitë do të intensifikojnë fushatën e tyre.

“Tek ne gjithmonë ka ndodhur që të ketë fushatë të ndyrë dhe në një farë mënyre ato janë bërë normaliteti ynë. Ajo që është e tmerrshme është se institucionet tona brenda janë të ndara përgjatë vijave partiake. Brenda institucioneve funksionojnë rryma partiake dhe e paralizojnë tërë punën e Qeverisë dhe të institucioneve të prekura nga kriza. Të gjithë ata që janë përgjegjës dhe duhet të japin udhëzime janë nën ndikimin e zyrtarëve partiakë” ka thënë Neziri.

Të ashtuquajturat bomba nga vitet e kaluara kanë ngelë pjesë përbërëse e luftës politike, ose po publikohen biseda të reja të përgjuara e të pabotuara deri më tani. Në qendër të Shkupit u shfaqën bilborde me disa nga bombat që në vitin 2015 i publikonte lideri i atëhershëm i opozitës Zoran Zaev, që kanë të bëjnë me bisedat midis kryeministrit të atëhershëm Nikolla Gruevski dhe ministrit të atëhershëm të transportit Mile Janakieski për projektin Shkallët spanjolle që duhej të ndërtohet në sheshin në qendër të qytetit.

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button