SHBA-ja bëhet gati për protesta masive gjatë fundjavës

Shtetet e Bashkuara po bëhen gati për protesta masive gjatë fundjavës. Qytetarët amerikanë që po protestojnë kundër brutalitetit të policisë dhe racizmit, po shpresojnë që të arrijnë momentum, me qëllim që të shtyjnë përpara reforma dhe ndryshime politike.

Pas protestave të dhunshme, për shkak të vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd më 25 maj, protestat në mbarë SHBA-në kanë qenë më të qeta në tri ditët e fundit, pavarësisht rritjes së tensioneve politike në Uashington.

Figura të rëndësishme të Partisë Demokrate po mbështesin grupe të ndryshme protestuesish, mesazhet e të cilëve rreth brutalitetit të policisë po përcillen edhe me disa video të publikuara, ku janë shfaqur teknika të ashpra të përdorura nga policia ndaj protestuesve, transmeton REL.

Në Mineapolis, ku Floyd vdiq pasi një polic i bardhë i kishte bërë presion me gju në qafën, liderët demokratë të qytetit, kanë votuar që policia të mos përdorë më teknika të tilla të presionit me gju, edhe pse një vendim i tillë duhet të merr miratimin e një gjykatësi.

Protestat për vdekjen e Floyd, janë shndërruar në njërën prej krizave më të rënda të presidencës Trump dhe ato vijnë vetëm pak kohë para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Presidenti amerikan, Donlad Trump është kritikuar për mënyrën se si ka menaxhuar këto protesta.

Më 5 qershor, Trump deklaroi se autoritetet duhet të “dominojnë rrugët” dhe të parandalojnë trazirat dhe zjarrvënien. Ai po ashtu ka kundërshtuar taktikat e përdorura nga policia, siç ndodhi edhe në rastin e Floyd.

“Drejtësia e barabartë sipas ligjit duhet të nënkuptojë se të gjithë amerikanët do të trajtohen njësojë kur përballen me forcat e rendit, pavarësisht racës, gjinisë ose fesë”, deklaroi Trump.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button