Ardhmëria e ndritur shihet në muskujt politik të rinisë së shëndoshë

Klasa politike në Kosovë tanimë ka shpaluar para qytetarëve fushatën rezonante të veprimit të saj. Ajo me tendencat dhe synimet politike, majtas djathtas, përhap klimën shqetësuese të ndarjes së mendimit politik demokratik. Çdo lëvizje e tyre, qoftë e mirë apo e keqe, skanohet dhe përjetohet qartë në vetëdijen e qytetarit, ndaj për mirëqenien dhe stabilitetin shoqëror të vet përzgjedh atë drejtim të duhur që i përshtatet shijes së mendimit më të përsosur gjeostrategjik. Prapambetja dhe ngritja politike e politikanëve sot duket më mirë se kurdoherë tjetër. Pas çlirimit të Kosovës rrugëtimi politik i tyre është duke shkuar në dy drejtime të qartësuara. Njëra mban shtegun e vjetër të veprimit politik për të mbetur dominues në qëllimin e synuar, kurse tjetra ka zgjedhur një drejtim tjetër më pragmatik dhe të shkurtuar për të ardhur te ideali dhe qëllimi i gjatë pritur.

Në këtë garë fërkues politike kultura e jo tolerancës qeverisëse, nga dita në ditë, vishet me fjalorin e shëmtuar të interesit personal. Gjuha përçmuese dhe ofenduese e përfaqësuesve politik, imponon në shoqëri imazhin e standardit politik të kufizuar dhe mospranimit të mendimit ndryshe. Nuk zgjedhin mjete të arsyeshme politike apo ndonjë alternativë tjetër demokratike për të qenë dominues vlerash në shoqëri, por më lehtë u vjen gjuha dhe fjalori i tyre provokues dhe i hidhur, që shkon në shërbim të kampanjës politike të ulët dhe primitive për të dominuar pushtetshëm. Grupe të caktuara politikanësh pa protokoll të arsyeshëm politik, kalojnë kufi shtetëror sikur të ishin në ilegalitet. Nuk zgjedhin ditën apo natën, duke bindur apo kërcënuar politikan e deputet, për të formuar çetën e sundimit të tyre në shtet.  Në këtë lëvizje jodemokratike dhe tendencioze bëhen riciklime të pamatura idesh e mendimesh denigruese në dëm të Kosovës. Madje grupet dhe klanet e interesave politike shfaqin skena teatrale groteske. Me këto veprime të ulëta të individëve manipulues, shteti i Kosovës para diplomacisë së huaj duket joserioz. Imazhi i saj merr kahe të nënçmuar dhe jo stabil.

Gjuha e konfliktit sjell përçarje të mëdha, kurse  fjalori i tyre denigrues nuk jep mundësi alternative demokratike përparimtare që vendimet e marra politike do të shkonin më lehtë e më sigurt në drejtim të duhur, kur dihet se strukturat partiake janë konkurrenca shoqërore që hyjnë me vullnet në betejë humbjesh apo fitoresh demokratike,  pasi kështu e kërkon edhe pluralizmi partiak bashkëkohorë. Dhe secila nga këto parti përdor teknikën luftarake më të përshtatshme të ardhjes së tyre në pushtet. Sa më të përsosura të jenë ato struktura rivalesh, aq në mënyrë më intensive do të reflektojë strategjia e tyre politike për të bindur qytetarin me vlerat dhe ndryshimet që plasojnë në jetën e përditshme dhe në menaxhimin e saj të suksesshëm në suaza ndërkombëtare. Sepse, tanimë, si vetëdije shoqërore e politike nuk jemi të izoluar e penguar, por jemi vëzhguar dhe përcillemi vazhdimisht nga diplomacitë e huaja. Madje të huajt nuk përzihen në imtësitë dhe interesat tona naive, por megjithatë ata shënojnë kulturën e qasjes sonë imponuese nga këndi i tyre i njohjes së vlerave ekzistuese, karshi shumë standardeve tjera politike të pranishme në botë. Midis këtyre dy rivalëve politike qëndron pushteti. Pushtet i cili duhet sa më mirë ta udhëheqë shtetin në funksion të qytetarëve.

Secila prej këtyre partive të pranishme në skenën e tanishme politike kosovare duhet para së gjithash t’i korrigjojë gabimet reflektuese të kulturës së tyre vepruese, kryesisht për të dhënë alternativa zgjidhjesh politike të bindshme para elektoratit të vet, posaçërisht për të mos e lënë vendin më gjatë nëpër këtë ngërç të sajuar mosbesimi. Për fat të keq, tanimë, asnjëra nga partitë ekzistuese nuk merret me lëshimet dhe gabimet e bëra, por fajtorin e konfliktit e kërkon vetëm te tjetri dhe jo te vetja. Por, siç shihet nga sondazhet e shumta, pjesa më e madhe e popullatës kërkon ndryshime. Ajo nuk pajtohet me mënyrën e vjetër të kulturës qeverisëse joserioze që zhvillohet dhe arsyetohet me manipulime nga klanet e caktuara apo individët e papërgjegjshëm, në dëm të shtetit dhe perspektivës së duhur kulturore. Qasjet politike dhe ofendimet e rënda duhet të ndryshojnë imazhin e shëmtuar sa më parë. Nuk duhet të lihet hapësirë për keqpërdorime e manipulime të mëtutjeshme.

Në demokracinë e Kosovës gjatë kohë kanë vepruar së bashku social populizmi majtist dhe populizmi djathtist. Nuk ka shumë ndryshime tonike në derdhjen e performacës politike. Po duket se rrezaton i njëjti ton përjashtues politik në emër të popullit, duke ngulfatur dhe ndrydhur keq liberalizmin dhe individualizmin e shëndosh demokratik. Strukturat e vjetra e kanë të rëndë ta lëshojnë pushtetin, pasi ajo ka futur në sistem qeverisës mekanizma mbrojtëse gjatë këtyre viteve me pushtetin e saj dominues. Ajo mbi të gjitha parapëlqen komoditetin e trashëguar të qeverisjes së vjetër. Ka qytetarë dhe prononcues politik që e përkrahën këtë frymë politike. Nuk duan ta largojnë nga vetëdija e tyre kontinuitetin e refrenit politik të vjetër. Reformat sistemore të reja për këtë grupim janë modele të pakapshme dhe të pa pranueshme. Kjo frymë e trashëguar u pa me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që unanimisht vendosi për qeverinë e sapo propozuar, në krye me Avdullah Hotin. Gjykata supreme dha vendimin e saj, por a bëri mirë me këtë vendim  të dhënies së drejtë qeverisë së re, do të tregojë koha dhe rrjedhat e ngjarjeve që do të shihen në të ardhmen. Qëndrimi i kësaj gjykate shtetërore i bëri mirë, personalisht, vetëm Albin Kurtit, por e dëmtoi rëndë shtetin e Kosovës. Themi kështu të bindur se situata e rëndë e Pandemisë në njërën anë dhe ekonomia e shkatërruar, përgjakur nga zhvatja në tjetër anë, janë probleme madhore që rëndë mund të dilet pa pasoja apo edhe nga një tragjedi më e madhe që mund t’i kanoset qytetarit dhe shtetit të Kosovës.

Sipas Bankës Botërore statistikat flasin se pas pandemisë mund të llogaritet edhe qindra mijë qytetarë tjerë të bien në varfëri të skajshme. Madje shumë firma dhe zejtarë mund të bankrotojnë nga mosfunksionimi normal i tyre. Në këtë ngarkesë politike dhe ekonomike një rol të veçantë ka edhe dialogu që duhet të bëhet me Serbinë. Dialog qe duhet të zgjidh vendime serioze për vendin dhe rajonin, kur dihet se Serbia akoma nuk është demokratizuar sa duhet, duke qeverisur akoma me atë garniturën politiket të vjetër. Në politikën e saj ende veprojnë struktura individësh që në planet e tyre kanë të tatuazhuara hegjemoni kulture sunduese mbi popujt tjerë të rajonit. Brenda Serbisë nuk ka demokraci të mirëfilltë. Aty në mënyrë permanente bëhet trysni ndaj qytetarëve të vet dhe shtypje strategjike ndaj popullatës jo serbe. Zërat demokrat dhunohen dhe nuk lejohen të funksionojnë lirshëm. Të drejtat njerëzore janë të cunguara dhe pakënaqësitë qytetare janë shumë të mëdha. Kështu keq veprohet me qytetarët e Sanxhakut me rrethinë. Në mënyrë gjenocidale atakohen edhe shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Të mos flasim për popullin e Malit të Zi, që në kohën e fundit janë duke përjetuar të zitë e ullirit nga propaganda tendencioze e qeverisë së Serbisë. Posaçërisht ky aksion i pa parë deri më tani, vepron sistematikisht bashkë me Kishën serbe, e cila do të ndikoj si hegjemoniste dhe padrone ndaj traditës dhe popullatës së atjeshme të lashtë. Madje frustrimi i politikanëve serb bëhet edhe më i ashpër kundrejt politikanëve të tanishëm të Malit të Zi, për shkak se ata pranuan të hyjnë në NATO dhe pse nuk e tërheqin vendimin e saj për pranimin e shtetit të Kosovës. Siç shihet politikanët serb me të gjithë fqinjët kanë probleme të sajuara artificialisht. Me këtë lloj politike nuk shkohet në Evropën e bashkuar, ku kufijtë nuk do të ishin problem ndasish e keqpërdorimesh të shumanshme. Serbët i pengojnë integrimet e sotme me ndihmën e Rusisë, kjo dihet dhe shihet qartë me synimet e tyre destabilizues.

Të gjitha këto shkaqe reale të kohës, bëhen motive negative për të mos mbretëruar qetësia dhe zhvillimi ekonomik në këtë pjesë së Evropës. Madje kjo elitë politike serbe ditë e natë thotë se kurë nuk do ta pranojë shtetin e Kosovës. Ajo për interesat e veta politike dhe ekonomike, gjithnjë është e gatshme me ndihmën e Rusisë të futë përçarje në Kosovë dhe në vendet tjera që kufizohen me të. Ajo nuk pranon reciprocitet dhe barazi shtetërore. Oreksi dhe ëndrra e saj e mbrapsht është ta kthej Kosovën në varfëri të skajshme. Ajo punon që Kosova të jetë në krizë shqetësuese politike edhe këtë e bëjnë indirekt me pakicën serbe në vend.  Shumica e aktorëve e saj politik, të papërgjegjshëm në Kosovë deri më tani kanë zhvilluar një politikë jo serioze për shtetin. Nuk e forcuan vendin si duhet. Popullatën e lanë në varfëri të madhe dhe rininë e nxitën keq për të ikur nga vendi. Interesat personale kanë qenë më të rëndësishme se sa vullneti i tyre për të bërë qeverisje funksionale dhe bindëse për qytetarët. Për ne vlerë dhe shpresë demokratike është të fitojë Kosova në të gjitha segmentet e jetës. Shteti i brishtë vë në pikëpyetje ekzistencën e vet në rajon. Ata që nuk ia duan të mirën këtij vendi, punojnë ditë e natë për ta rrënuar e cunguar atë. Pa rini dhe udhëheqës të shëndosh nuk ka shtet stabil.

Tani pas rënies së Qeverisë së Kurtit nga mocioni i mosbesimit, që organizoi partneri i saj LDK dhe pas formimit të qeverisë së re në kë krye me Abdullah Hotin, filluan sulmet edhe më të madha kundrejt qeverisë që ishte në detyrë. Formohen klane të sofistikuara për ta nënçmuar qeverinë Kurti, se nuk ka qenë e aftë në qeverisje dhe nuk përkuaka me interesat e klasës politike të deri më tanishme. Kurse luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit që e kishte pikësynim kryesor dhe të rëndësishëm Qeveria Kurti, do të sillte probleme të mëdha brenda këtyre individëve që e kanë keqpërdorur më se 20 vite funksionin e tyre nëpër institucione. Albin Kurti dhe qeveria e tij ka qenë e vendosur për ta ndaluar këtë përgjakje të mëtutjeshme të shoqërisë kosovare. Shumica e klasës politike nuk e duruan këtë betejë të kthesave të mëdha, sepse u keqësohet prania e tyre e rrejshme në sistem. Kurti ishte konsekuent në këtë ndërmarrje të tij të rëndë, pa menduar pasojat që mund t’i vinin në veprim. Këtë vendim të tij e kanë kuptuar edhe qytetarët dhe e kanë përkrahur iniciativën e tij të shpresës, sepse ata janë të lodhur me kastën e korruptuar dhe me individët e saj që e kanë keqpërdorur funksionin në dëm të qytetarit.

Demokraci nuk është vetëm ta ngresh standardin personal dhe gjendjen e qytetarit ta mbash në mjerim të skajshëm. Demokracia e mirëfilltë është përgjegjësi e madhe individuale e shoqërore. Akademikët dhe profesorët e mirëfilltë t’i lësh me një pension përbuzës dhe injorues, është dëm i pa tolerueshëm dhe jo normal. Të mos flasin për punëtorin dhe njerëzit tjerë, të cilët nuk dinë çka të vënë nëpër sofrat e tyre të zbrazura nga skamja dhe vuajtja e skajshme. Apo rinia e cila gjithnjë mbanë mendjen se si të largohet nga vendi. Kurse këta ‘’të zgjuarit e botës’’ bëjnë gara se çfarë mantelesh, fustanesh, kravatash e çantash të shtrenjta t’u blejnë grave të tyre, pa kujtuar njëherë njollat e gjizës që i kanë si nishane të mbetura në fytyrë nga e kaluara e tyre e varfër, por që u bënë të pasur, sa hap e mbyllë sytë, nëpër këtë teren të mundshëm të veprimit manipulues. Si nuk u vinë turp disave që lavdërohen dhe postojnë nëpër Facebook tryezën e tyre të mbushur me lloj-lloj mishrash e pijesh, kurse në anën tjetër nuk e shohin se barkun e qytetarit e kanë të uritur dhe të nëpërkëmbur keq. Këta ‘’fukarenj’’ mendorë mendojnë se ky luks i arritur dhe reklamim tyre i shëmtuar është vlerë kombëtare. Të tillët nuk mendojnë fare se kur fqinji nuk ka atë luksin tënd, as vet nuk mund të bëhesh i lumtur dhe i rehatshëm. Se ai, fort mirë, e dinë si ka ardhur dhe si të është krijuar ky standard i pa bindshëm nga mundësia jote politike e pa arsyeshme. Këta individë të korruptuar janë të gjithë në hipotekë kulture të dhimbshme. Cilin prej këtyre do ta dërgoje për bisedime dhe negociata me Serbinë me kaq mëkate në trup e mendje? Secili prej këtyre zhvatësve do të ishte ligavitur para strukturave Serbe dhe përfaqësuesve përgjegjës ndërkombëtarë, sepse janë të kapur nga keqpërdorimet e tyre gjatë këtyre viteve të pavarësisë së Kosovës.

Me bindje e themi se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani do të ishin superior në këto bisedime, Kosovë – Serbi, sepse nuk janë inferior ndaj çështjeve të pa zgjidhura dhe së vërtetës kombëtare. Plus, ato kanë dije dhe nivel karizmatik të pa parë deri më tani në klasën politike, që nuk mund të të zhgënjejnë me qasjet dhe dijet e tyre të dëshmuara. Bile këta shumë herë e kanë treguar këtë veti njerëzore me shërbimet e tyre pragmatike politike deri më tani. Madje strukturat politike të Serbisë, Kosovës dhe Albinit i kanë shumë borxh, ndaj edhe do të dukeshin si fajtorë para diskutimeve dhe argumenteve të tyre të sakta. Kur dihet se Kurti ka qenë i torturuar dhe rrahur nëpër burgjet e Lipjanit, Pozharevacit, Quprisë dhe Nishit. Ai ka qenë njëri nga të burgosurit politik më të rinj e më të guximshëm në Evropë. Kurti ka histori të pastër personale dhe njerëzore. Ai shumë i ri hyri në rrjedhat e politikës, kryesisht duke qëndruar i pa përkulshëm në bindjen e tij ideologjike e politike. Ka qenë edhe zëdhënës i UÇK në zyrën e Adem Demaçit.   U arrestua më 28 prill të vitit 1999. Gjykata e qarkut të Nishit i dha dënim me 15 vjet burgim dhe u lirua në 7 dhjetor 2001 pas intervenimeve kombëtare e ndërkombëtare. Albini kurrë se njohu atë vendim të padrejtë gjyqësor, këtë ‘’kokëfortësi’’ e dinë edhe ‘’zogjtë e malit’’ ane e mbanë vendit.

Ai është kalitur politikisht drejtë dhe karriera e tij politike nuk është formale dhe e pa bazë. Albini dhe LVV kanë qëndrime të bindshme në vendimet e tyre serioze. Postet dhe punësimet në konceptin qeverisës të “Vetëvendosjes” nuk janë privilegj, por obligim e përgjegjësi kombëtare, prandaj një post apo bord që do ta merrte ndonjë i propozuar nga qeveria i tij, e ka të rëndë pranoj atë ‘’dhuratë’’, sepse duhet ta heq nga mendja e vet keqpërdorimin dhe veprimin e keq, dhe assesi të punojë ashtu siç kanë vepruar të tjerët më parë. Secili njeri nuk është i gatshëm t’i pranojë këto kushte dhe sakrifica që i ka vendosur fryma e re politikës së Kosovës. Fabrika politike e pasurimit të shpejtë, me muskuj politik të rrejshëm, ka mbaruar në vetëdijen e kësaj gjenerate të re, gjeneratë që është e shkolluar dhe furnizuar me dije e vlera të shëndosha kombëtare. Këta duan të bëjnë shtetin e së drejtës, prandaj ardhmja e këtyre të rinjve ka admirim shoqëror dhe mund të bëhet në të ardhmen kulturë e ndritshme për veten dhe të tjerët, karshi interesave të përgjithshme të qytetarit. Ngase shpresa dhe vullneti i tyre vendimmarrës është të bëjnë shtet funksional dhe të përshtatshëm për të gjithë. Të kthejnë trurin e shëndosh nga diaspora që t’i shërbejë vendit. Të rrisin standardin dhe mirëqenien njerëzore në vend, sikurse vendet tjera të rajonit dhe Evropës.

 Remzi Salihu

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button