Filipçe sqaroi se 90% e rasteve të reja janë nga 15 familje, ndërsa prej të hënës pritet heqje e kufizimeve

Venko Filipçe, ministri i shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut sot në konferencë për media është përgjigjur ndaj pyetjeve të gazetarëve, duke theksuar se prej të hënës nuk do të ketë masa kufizuese, transmeton Portalb.mk.

“Nuk planifikohet asnjë masë kufizuese prej të hënës, përkundër numrit të madh të infektuarve të rinj me virusin korona”, deklaroi Filipçe, duke theksuar se pritet situata të vlerësohet përsëri në ditët në vazhdim.

Ministri Filipçe raportoi se analizat tregojnë se 90% e rasteve të reja janë nga 15 familje. Gjithashtu ai sqaroi se rreth 90% e rasteve janë asimptomatike, ose me simptoma të lehta.

Në pyetjen e Portalb.mk se a do të ketë masa shtesë, ose mbyllje të ndonjë reparti mjekësor në Tetovë, derisa katër mjek tashmë janë të infektuar, ministri theksoi se infektimet vijnë nga jashtë.

“Për momentin nuk kemi informata se ka të infektuar prej Institutit, por virusi është sjellë nga jashtë. E dyta, për momentin asnjë repart nuk është në rrezik. Gjithçka funksionon normal”, u përgjigj ministri.

Ministri sqaroi se të dielën do të ketë takim të Komisionit për sëmundje ngjitëse ku do të diskutohet për hapat e ardhshëm.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot informoi se në 24 orët e fundit janë regjistruar 180 raste të reja të të infektuarve me virusin korona. Me këtë, numri i përgjithshëm i të infektuarve në RMV është 2790 persona ndërsa raste aktive janë 1009. Janë shëruar 11 persona ndërsa kanë ndërruar jetë 2 pacientë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button