MSHIA: Nuk është bërë diskriminim në ndihmën e mediave të prekura nga kriza e koronës

Ministria e Shoqërisë Informative dhe Administratës (MSHIA) ka reaguar me rastin e grevës së paralajmëruar të Shoqatës “Medium objektiv”, në të cilën përfshihen stacione televizive rajonale dhe lokale dhe shton se nuk është bërë asnjë përzgjedhje apo diskriminim në sigurimin e ndihmës për mediat e prekura nga kriza Kovid-19, shkruan Observatori Mediatik, transmeton Portalb.mk.

“ASHAAV i ka liruar të gjithë radiodifuzerët nga shpenzimet e licencave për transmetim ndaj Agjenci për vitin 2020. Qeveria ka siguruar fonde nga Fondi për luftën kundër pasojave nga kriza me koronavirusit, me të cilat janë mbuluar shpenzimet për transmetim të sinjalit digjital, përkatësisht shpenzimet për multipleks, për të gjithë radiodifuzerët (në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal). Qeveria po përgatit një dekret me të cilin radiostacionet do të lirohen nga detyrimi për të paguar tarifën vjetore për përdorimin e frekuencave në Agjencinë për komunikime elektronike”, thuhet në reagimin e MSHIA.

Aty shtohet se me këto dekrete, në të vërtetë mbulohen të gjitha kostot të cilat të gjithë radiodifuzerët i kanë ndaj rregullatorëve përkatës, varësisht nga lloji i licencës që ata e posedojnë.

“Askush nuk është lënë anësh dhe s’ka kurrfarë diskriminim. Për më tepër, të gjitha mediat kanë pranuar mbështetje të barabartë prej 14,500 denarë në muaj për secilin punonjës”, shtojnë nga MSHIA.

Ata theksojnë se janë të hapur për të shqyrtuar propozime shtesë për ndihmë ndaj mediave, por deri më tani, siç thonë ata, ata nuk kanë marrë ndonjë propozim konkret.

“Më 1 qershor, shoqata “Medium objektiv” ka dërguar një shkresë pa nënshkrues dhe pa kontakt, kështu që si përgjigje i ftojmë ata publikisht në një takim dhe bisedë dhe nëse ekziston një propozim specifik, jemi në dispozicion për ta shqyrtuar atë. Në vend që menjëherë të hyjnë në grevë, besojmë se mund të diskutojmë të gjitha propozimet në një takim të përbashkët. Sidoqoftë, kjo është shoqëri demokratike dhe vend demokratik dhe të gjithë kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre në mënyrën e vet, kështu që është e padiskutueshme që anëtarët e “Medium objektiv” kanë të drejtë të shprehin pikëpamjet e tyre në këtë mënyrë”, thuhet në reagimin e MSHIA.

Stacionet televizive rajonale dhe lokale që transmetojnë përmes operatorëve të rrjetit të komunikimeve elektronike dhe anëtarëve të shoqatës “Medium objektiv”, kanë paralajmëruar grevë për shkak se me vendim i marrë në seancën qeveritare më 30 maj ndihmë financiare do t’iu ndahet vetëm për pesë stacione televizive kombëtare dhe për gjashtë stacione rajonale tokësore.

Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve të Mediave (SPGPM) gjithashtu ka reaguar ndaj dekretit të qeverisë për të ndihmuar median, duke thënë se ishte selektiv dhe nuk i mbulonte të gjitha mediat.

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button