Është koha për të ndryshuar vetëdijen për mbrojtje nga Covid-19

Sipas njohësve të rrethanave, sjellja e pakujdesshme dhe e papërgjegjshme e disa qytetarëve ndaj masave kundër koronavirusit nuk mund të ndryshohet brenda natës dhe është pasojë e mosbesimit ndaj institucioneve. Disa ekspertë e bëjnë thirrje se është koha për një fushatë më të gjerë me më shumë shpjegime, e jo dënime më të ashpra, shkruan Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Rritja e personave të infektuar rishtazi nga koronavirusi në vend ka riaktivizuar, për qytetarët, masat jopopullore siç janë ora policore dhe karantinat e gjata për komunat në të cilat ka më së shumti të infektuar. Mbajtja e maskave mbrojtëse dhe ruajtja e distancës sociale mbesin në fuqi, megjithëse është e qartë se në jetën e përditshme shumë qytetarë nuk i respektojnë këto masa. Mosrespektimi i masave dhe neglizhenca e qytetarëve është arsyeja e përhapjes së këtij virusi, thonë autoritetet.

Por, nëse ende ekziston shumicë e qytetarëve, të cilët nuk besojnë se virusi ekziston ose besojnë se është vetëm grip i rëndomtë, si mund të detyrohen qytetarët të respektojnë masat?

Video – protokollet e mbrojtjes dhe më pak vizitorë:

Profesor Mirjana Najçevska thotë se mosbesimi i qytetarëve ndaj institucioneve dhe masave që ata marrin janë arsye për sjelljen e përgjithshme të qytetarëve dhe se kjo nuk mund të ndryshohet brenda një kohe të shkurtër.

“Ne nuk mund të presim që aspekti i veprimit të ndryshojë brenda natës dhe nëse për momentin ndërtohet ndonjë politikë, ajo duhet të hiqet nga ai pozicion. Për shkak se njerëzit nuk u besojnë institucioneve, duhet të gjejmë një mënyrë tjetër për të paraqitur rrezikun e virusit ndaj të cilit mund të reagohet, në mënyrë që njerëzit të fillojnë të sillen siç duhet,” thotë profesoresha dhe aktiviste për të drejtat e njeriut Mirjana Najçevska.

Përndryshe, prej mbrëmë në ora 21 deri në ora 5 në mëngjes të hënën, do të aplikohet orë policore në të gjitha komunat e Shkupit, Kumanovë, Likovë, Shtip, Tetovë, si dhe në komunat Bogovinë, Bërvenicë, Tearcë, Zhelinë dhe Jegunovc. Në të gjitha qytetet e tjera, do të ketë orë policore prej enjten në orën 21 e deri të premten n’ora 5 e mëngjesit, ndërsa ditët e tjera deri të dielën do të fillojë nga ora 16 deri në orën 5 të mëngjesit. Është e ndaluar edhe vizita në varreza në të gjithë Maqedoninë, përveç për funerale. Të premten dhe të shtuna është Përshpirtja dita kur besimtarët ortodoksë vizitojnë varret e të dashurve të tyre dhe shpërndajnë ushqim për shpirtrat e të ndjerëve.

Profesori i sociologjisë në Universitetin Shtulit, Ali Pajaziti, thotë se qytetarët në vendin tonë kanë problem me perceptimin e së vërtetës për koronavirusin dhe atë mungesë serioziteti e  lidh me mentalitetin e njerëzve që jetojnë këtu.

“Në atë drejtim, mendoj se është më se e nevojshme që të fillojmë nga fillimi. Kjo do të thotë informim i saktë i qytetarëve se ky është një fenomen serioz që nuk mund të kalohet kot-e-kot. Dhe kjo duhet kuptohet realisht dhe me seriozitetin më të madh. Pa paragjykime dhe teori konspirative që qarkullojnë tashmë tre muaj”, thotë profesori Pajaziti.

Pajaziti shtoi se perceptimi i gabuar për seriozitetin e situatës është ndihmuar edhe nga politikanët dhe institucionet fetare, të cilat shtoi ai, me deklarata publike u vendosën në situatë sikur të ishin ekspertë mjekësorë, duke mashtruar ashtu qytetarët.

Numri i të infektuarve është rritur gjatë ditëve të kaluara, pasi disa javë më parë ky numër zvogëlohej. Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe deklaroi se shumica e pacientëve të rinj janë rezultat i tubimeve familjare dhe mos mbajtjes së pajisjeve mbrojtëse, por shtoi se përveç mosrespektimit, numri i madh i të infektuarve rishtazi është rezultat i mosndëshkimit për shkelësit nga MPB.

Ndërkohë, shifrat e fundit nga Ministria e punëve të brendshme tregojnë se policia ka lëshuar vendime për të izoluar 435 persona, ndërsa 75 kanë nënshkruar deklarata për vetëizolim. Nëpunësit policorë kanë kryer inspektime të personave në izolim dhe vetëizolim të tyre dhe kanë regjistruar tetë persona, të cilët nuk e kanë respektuar masën për izolim dhe vetëizolim. Po ashtu, në lidhje me masën për mos mbajtje të mbrojtjes personale, janë regjistruar 641 kundërvajtje.

Profesoresha Najçevska thotë se dënimet më të ashpra nuk do t’i detyrojnë njerëzit t’iu binden dhe t’i respektojnë rekomandimet e autoriteteve.

“Nuk mendoj se dënimet më të ashpra do të bëjnë diçka, përkundrazi, veçanërisht pasi edhe vetë mesazhet që nga fillimi ishin kontradiktore dhe konfuze, shpesh edhe kontroverse. Edhe trajtimi i policisë ishte i ndryshëm për grupe të ndryshme të njerëzve, kështu që pak iu shikua përmes gishtërinjve të bashkësive fetare dhe të ngjashme, kështu që nuk mund të ndikohet me dënime më të rrepta. Unë mendoj se është koha për një fushatë shumë të gjerë me shumë shpjegime dhe shumë shembuj të përpiqemi të shpëtojmë atë që mund të shpëtohet”, ka bërë thirrje Najçevska.

Mjekët vazhdojnë të bëjnë thirrje për respektim të rreptë të masave për të parandaluar përhapjen e virusitAta kërkojnë disiplinë dhe përgjegjësi prej qytetarëve.

“Ne duhet të jemi më të kujdesshëm që rekomandimet që dalin nga autoritetet shëndetësore të respektohen në mënyrë rigoroze. Sepse vetëm ashtu mund të kontribuojmë që numri i rasteve të konfirmuara të ulet, thotë Dr. Fadil Cana, nga Klinika universitare për sëmundje infektive dhe sëmundje febrile.

Sipas të dhënave të Institutit të shëndetit publik, në Shkup aktualisht ka 396 raste aktive. Që nga fillimi i epidemisë, janë regjistruar gjithsej 987, nga të cilët 37 kanë vdekur dhe 554 janë shëruar. Drejtori i Qendrës për shëndet publik, Arben Ziberi, në paraqitjen e mbrëmshme të mysafirëve në Telma TV zbuloi se 90 përqind e pacientëve në valën e re janë nga 15 familje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button