fbpx

Kryeministrja skoceze: Vështirë të mos konkludojmë se Trump është racist

Kryeministrja e Skocisë, Nicola Sturgeon në një intervistë për një radiotelevizion sot deklaroi se ishte “e vështirë të mos konkludohet” se presidenti i SHBA-së, Donald Trump është racist, transmeton Anadolu Agency (AA).

Komentet e saj erdhën në vazhdën e protestave në SHBA dhe në botë kundër vrasjes së George Floyd nga oficerët e policisë amerikane, një ngjarje që ka nxjerrë në qendër të vëmendjes racizmin strukturor në të gjithë botën, përfshirë SHBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Duke folur për Radio Clyde dhe Radio Forth në një intervistë të transmetuar sot në mëngjes, Sturgeon u pyet nëse ajo mendonte se Trump ishte racist.

“Unë mendoj se ndonjëherë është e vështirë të mos konkludosh këtë”, tha ajo. “Ajo që unë gjithmonë them kur më bëhen pyetje si kjo është se nuk mund ta shoh çfarë ka në kokën e tij”.

“Jam pyetur edhe më parë rreth komenteve që Boris Johnson ka bërë në lidhje me muslimanët dhe a mendoj se ai është racist”, tha ajo.

“Nuk është mosdashje që të përballesh me këtë çështje. Nuk e di se çfarë ndodh brenda kokës së Donald Trumpit, ndoshta kjo është një gjë e mirë. Por, unë e di se gjuha që përdorni dhe si shpreheni ka rëndësi. Nëse nuk doni të akuzoheni për racizëm, atëherë mos përdorni gjuhë raciste”, tha ajo.

“Mos tingëlloni sikur të jeni duke barazuar njerëzit që protestojnë kundër racizmit me njerëzit që dalin në rrugë me qëllim që të përpiqeni të krijoni vlera dhe qëndrime raciste”, tha Sturgeon.

Ajo foli për nevojën e një lloj lidershipi të veçantë në kohën e trazirave popullore:

“Mendoj se në momente si kjo, pavarësisht nëse është Amerika apo ndonjë vend tjetër, keni nevojë për një udhëheqës, vështirë edhe pse askush nga ne nuk është perfekt në cilën do prej këtyre situatave, që përpiqet të bashkojë njerëzit dhe të shuaj përçarjet dhe të adresojë çështjet themelore dhe jo një që duket se dëshiron të polarizojë, të provokojë dhe të detyrojë njerëzit në dy anë të ndryshme”.

“Nuk e di, e them këtë pa dashakeqësi ose kënaqësi. Nuk e di nëse Donald Trump është i aftë për atë lloj udhëheqjeje, por nëse ka ndonjë moment që ai duhet ta dëshmojë se është i duhuri, atëherë ai moment është tani”, thotë kryeministrja skoceze.

Sturgeon shtoi se Mbretëria e Bashkuar duhet të shikohet në pasqyrë pasi asnjë vend nuk është imun nga racizmi ose që nuk ka probleme me pabarazinë racore.

Në Skoci, theksoi ajo, Parlamenti skocez ende nuk ka parë një grua të pakicës etnike të zgjedhur në radhët e saj.

“Sado e ligjshme, mendoj se të jesh kritik ndaj udhëheqjes së Trumpit, ne duhet ta shohim veten në pasqyrë, sepse nuk ka vend as shoqëri, dhe unë e përfshij edhe Skocinë këtu, që është imun nga racizmi ose që nuk ka çështje të padrejtësisë racore dhe pabarazisë”, tha ajo.

“Unë jam ulur si kryeministre në një Parlament që është ende në 21 vitet e ekzistencës së tij, me shumë pak njerëz të zgjedhur nga komunitetet tona të pakicave etnike. Asnjë grua e pakicës etnike nuk është zgjedhur”, tha ajo.

“Ne të gjithë kemi çështje të mëdha me të cilat duhet të përballemi. Le të përqendrohemi tek Amerika dhe le t’i bëjmë presion Donald Trumpit dhe Amerikës, por të mos harrojmë se duhet t’i rregullojmë edhe shtëpitë tona”, tha Sturgeon.

SHBA është përfshirë nga protesta të shumta që nga java e kaluar pas daljes në qarkullim të një videoje ku shihet Floyd duke u dhunuar nga Derek Chauvin, oficeri i bardhë i policisë në Minneapolis të Minesotas, ndërsa po arrestohej.

Ai ndërroi jetë menjëherë pasi u dërgua në spital.

Fjalët e tij të fundit ishin: “Nuk mund të marr frymë”, i cili u bë slogan i protestave mbarëkombëtare.

Floyd humbi jetën nga “asfiksimi i presionit të vazhdueshëm”, thuhet në autopsië e pavarur e cila u publikua të hënën.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close