Prej të hënës nuk ka gaz dhe mazut për “Ngrohtoren”

Prej të hënës nuk do të ketë gaz dhe mazut për ndërmarrjen “Toplifikacija”(Ngrohtoren). Makpetroli bëri të ditur publikisht se nuk është kapërcyer kontesti mes saj dhe “Toplifikacijas”, por, vetëm është shtyrë për në 14 dhjetor, deri kur, sipas ligjit, duhet të merret vendimi se cila kompani do të marrë licencat për prodhim, furnizim dhe shpërndarje të energjisë termike.

Nga Makpetroli shprehen se nëse deri të premten “Toplifikacija” (Ngrohtorja) nuk e paguan borxhin prej tre milionë eurosh, ato do të ndërpresin furnizimin me gaz dhe mazut, transmeton Alsat-m.

“Nëse Makpetroli lejon që të vihet në një situatë, të mos paguajë gazin para dërguesit rus apo mazutin ndaj rafinerisë OKTA, besoni se, ka për të rënë garancia që ne kemi dhënë prej 14,2 milionë dollarësh për konsumin dymujor të gazit natyror ndaj partnerit tonë Gazprom eksport dhe me siguri do të ndalen të gjitha dërgesat e gazit natyror dhe jo vetëm për “Toplifikacijan” (Ngrohtoren), por dëm kolateral do të jetë edhe Makpetroli dhe shfrytëzuesit e tjerë të gazit natyror. Makpetroli nuk do ta lejojë këtë”, deklaroi Andrea Josifovski, drejtor i përgjithshëm i “Makpetrol”.

Me konferencën e sotme për mediat të Josifovskit, në sipërfaqe dolën edhe detajet si se si para disa javësh është zgjidhur kontesti për relacionin Makpetrol – “Toplifikacija”. Atëherë, në kumtesën qeveritare flitej se problemi është tejkaluar, me ndërmjetësim të Qeverisë dhe ministrit të Financave Zoran Stavreski. Prej atëherë, shumë herë u parashtrua pyetja për mënyrën e zgjidhjes së kontestit, por, kurrë nuk u mor përgjigje. Stavreski sikurse deri tani, ashtu edhe sot, përsëriti të njëjtën gjë.

“Kjo megjithatë është çështje e subjekteve ekonomike, janë subjekte private, qeveria asistoi në këtë pjesë, e bëmë atë që ne mundemi si Qeveri, çështja tjetër u mbetet atyre”, tha Zoran Stavreski, ministër i Financave.

“U organizua një takim tek ministri i Financave, pasi Qeveria gjatë gjithë kësaj periudhe, ndërsa unë për herë të parë atëherë mora një informacion të tillë, ka ndërmjetësuar mes ‘Toplifikacija’-s dhe ‘Teto’-s”, tha Andrea Josifovski, drejtor i përgjithshëm i “Makpetrol”. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button