Ahmeti: Në RMV ka ardhur koha për kryeministër shqiptar

Sot partia Bashkimi Demokratik për Integrim shënon 18 vjetorin e themelimit. Me këtë rast, lideri i saj, Ali Ahmeti ka dërguar disa porosi, mes tjerash ku kërkon dhe kryeministër shqiptar për Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Bashkë i përcaktuam dhe i realizuam synimet tona dhe në këtë përvjetor kaq të rëndësishëm për të gjithë ne, le ta përcaktojmë bashkërisht edhe qëllimin tonë të radhës që në zgjedhjet që pasojnë. Të realizojmë synimin për të zgjedhur një personalitet të vlerësuar, të dëshmuar dhe të pranueshëm të cilin ose të cilën do ta përzgjedhim bashkërisht për kryeministrin e parë shqiptar” shprehet Ahmeti.

Sipas tij, sot jemi anëtarë fuqiplotë të aleancës më të madhe politiko-ushtarake në botë NATO-s dhe vend që negocion me Bashkimin Evropian për anëtarësim të plotë në familjen e madhe të kontinentit tonë.

“Sot jemi me barazi të plotë gjuhësore dhe me zbatim të plotë të pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit, me tre universitete në gjuhën shqipe, me shkolla, spitale, çerdhe, rrugë, institucione.. Akoma nuk është përmbyllur e gjitha dhe prandaj, tash ka ardhur koha për diçka të madhe.” thotë Ahmeti.

Ai nuk ka lënë pa komentuar edhe opozitën shqiptare.

“Nuk ri dot pa e thënë, edhe në këtë përvjetor, që alternativa në skenën politike shqiptare është përçarja e votës dhe plogështimi i vullnetit politik shqiptarë në parti të shumta që rrjedhin nga ndarjet dhe shkëputjet, e jo nga vullneti qytetarë dhe me synim për të bërë mirë. Çdo herë e përsëris që nuk na nevojitet defaktorizimi i shqiptarëve nëpërmjet të copëtimit të votës shqiptare në aq shumë parti dhe me përfaqësim me nahi e jo tërësi. Hidhjani një sy vetëm takimeve të ashtuquajtura të liderëve dhe mos e harroni atë ndjesi që ua krijon ajo fotografi.” deklaroi Ahmeti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button