TURLIÇOBANI DHE UJKU NDËR DHEN

Tani më nuk ka dyshim se qeveria e Maqedonisë së Veriut dështoi si asnjë shtet tjetër ballkanik me mbikëqyrjen e pandemisë. Dëshmi për këtë është shumëfishimi i numrit të të infektuarve me Covid-19 në nivel ditor dhe kthimi i orës policore në qytetet më të rrezikuara aktualisht (Shkup, Tetovë, Kumanovë, Shtip…), vetëm pak ditë pas heqjes së orës policore.

Kjo ka shkaktuar pakënaqësi të shumta te njerëzit, të cilët respektuan me përpikëri rregullat e caktuara që ditën e shpalljes së pandemisë, për të kufizuar përhapjen e virusit vrasës. Shi për këtë, të zhgënjyerit tani kërkojnë fajtorin e dështimit që riprangosi jetën normale, duke sjellur buzë greminës mijëra familje që mezi sigurojnë kafshatën e bukës. Të parit që kritikohen janë njerëzit, të cilët nuk i përfillën rekomandimet dhe apelet e Ministrisë së Shëndetësisë – ata që u besuan teorive konspirative mbi gjoja virusin inekzistent, duke u shndërruar kësisoj pavetëdijshëm në “bomba biologjike” të shpërndarjes së tij gjithandej ku lëvizën pa asnjë pengesë. Kjo është e vërteta që nuk mund ta mohojë askush, por prapa saj qëndron një fajtor akoma më i madh dhe kjo është Qeveria teknike e arnuar me ministra ushtrues detyrash, e cila u tregua shumë joparimore dhe theu vetë rregullat që vendosi për popullatën.

Si e para, ajo nuk bëri sa duhet për ndërgjegjësimin e njerëzve, sepse nuk u shpalli luftë institucionale teorive konspirative që shpërndanë e shpërndajnë mediet e vërdhemta, të cilat, më shumë se specialistëve të virusologjisë, u dhanë e u japin hapësirë tipave që shesin heroizëm duke mohuar ekzistimin dhe rrezikun e virusit.

Qeveria teknike u tregua hileqare e joparimore edhe në masat ndëshkuese të ndërmarra ndaj njerëzve që nuk e respektuan orën policore. Ajo, edhe në kohë pandemie, për dikë qe nënë e për dikë njerkë. Mjafton të përmendim dënimet e shqiptuara në Hasanbeg, kur një grup qytetarësh theu orën policore për shkakun e njohur tani më, po që ministri i punëve të brendshme e veshi me prapavijë politike, dhe mbylljen e syve të shtetit për thyerjen e orës policore nga besimtarët ortodoksë gjatë festës së Pashkëve, po në Shkup.

Tërë kësaj ia vuri kapakun koketimi i hapur i Qeverisë me prijësit e bashkësive fetare, të cilët e shantazhuan hapur, duke ia bërë me dije se, nëse tenton t’i pengojë aktivitetet e tyre, do t’i hakmerren në zgjedhjet parlamentare. Kështu, në vigjilje të heqjes së orës policore, Qeveria jounike (me një kryetar pozite dhe me një kryepolic opozite, të dy ushtrues detyre) u tregua maksimalisht tolerante ndaj paradës më shumë se fetare të besimtarëve ortodoksë në shëtitoren e Strugës, ndërkohë që u përpoq më kot të pengojë manifestimet fetare gjatë festës së Bajramit, sepse dallavereve u doli boja dhe s’kishte kush t’i zbrapsë besimtarët muslimanë, që sigurisht do t’i respektonin këshillat e një qeverie të paanshme. Kjo lojë cic-mici e rriti numrin e përkrahësve të teorive konspirative që propagandojnë lajme për virusin inekzistent, të cilin parësia e politizoi në nivele skandaloze në gjithë vendin.

Jo rastësisht pjesa më e madhe e popullatës, pa dallim etnie e feje, edhe përkundër rrezikut para të cilit gjendet, braktisi kujdesin fillestar dhe erdhi në “derexhenë” aktuale. Pas aq joparimësishë, populli e ka humbur besimin në qeverinë e askujt, e cila tani luan rolin e çobanit që nuk ia mbush mendjen kujt se ujku vërtet ka rënë ndër dhen. Kjo, natyrisht, s’është gjë e mirë për hallexhinjtë e mbetur as te hapa as te hupa.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button