RMV, sondazhi i QMBN: 71.3% e qytetarëve janë të shqetësuar për koronavirusin

Situata e shkaktuar nga Kovid-19 ishte shkas që Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN) të realizojë hulumtim mbi qëndrimet e qytetarëve në lidhje me shëndetin, por edhe me një numër të madh çështjesh që i shkaktoi sëmundja Kovid-19. Sondazhi zbuloi se 71,3 përqind e qytetarëve ishin të shqetësuar shumë për gjendjen aktuale të shkaktuar nga koronavirusi. Në rrafshin demografik, gratë janë më të shqetësuara (80,6 përqind) sesa burrat (61,7 përqind), ndërsa maqedonasit etnikë me 75,4 përqind janë më të shqetësuar se shqiptarët me 56,2 përqind, njofton Portalb.mk.

Sipas nivelit arsimor të të anketuarve, gjithsej 60 përqind janë të shqetësuar se personalisht do të infektohen nga virusi korona, e në mesin e tyre, përqindja e grave (68,4 përqind) është më e lartë se ajo e burrave (51,7 përqind). Fatkeqësisht, qytetarët janë të ndarë në shqetësimin, se pa e ditur që e kanë virusin ata e përhapin. Shqetësim të tillë për ndërgjegjen e tyre kanë 48,8% e qytetarëve, ndërsa 45,5% e bashkëqytetarëve të tyre thanë se nuk shqetësohen fare ose se shqetësohen vetëm në një farë mase për këtë mundësi.

Një përqindje e lartë (42,7 përqind) e atyre që besojnë se Kovid-19 ka “dalë” nga laboratori. Nga ata, 36.7 përqind thanë se ishte bërë me qëllim, ndërsa 6 përqind kanë thënë se ka ndodhur ndonjë gabim. Gjithsej 19 përqind kanë thënë se virusi është shfaqur natyrshëm, ndërsa 10.3 përqind kanë thënë që nuk besojnë se ekziston.

Teoritë e popullarizuara që shfaqja e Kovid-19 ndërlidhet me vendosjen e rrjeteve 5G kanë mbështetjen nga 4,9 përqind të të anketuarve. Shikuar nga prizmi etnik, maqedonasit janë më të prirur të besojnë se virusi është krijuar në laborator, ndërsa shqiptarët që ai nuk ekziston.

Shumica e të anketuarve kanë thënë se ata aktualisht punojnë në vendin e punës, 22 përqind janë në pushim të detyruar, ndërsa 17.8 përqind thanë se punonin nga shtëpia. Për pothuajse gjysmën (49,2 përqind) nuk ka ndonjë ndryshim rreth kryerjes së punës, ndërsa për 31,1 përqind e të anketuarve kanë thënë se tani është më e vështirë të kryhet puna prej në shtëpi. Për rreth një të pestën e të punësuarve, kjo mënyrë e punës nuk është aspak e qëndrueshme.

Madje 80 përqind besojnë se puna e tyre është e sigurt, e në mesin e tyre, ka më shumë burra. Punonjësit në institucionet publike (84,9%) shfaqin siguri më të madhe për vendin e punës, për dallim me të punësuarit në ndërmarrjet private (75,2%). Përveç sigurisë në punë, prej përgjigjeve është e qartë edhe siguria për të ardhurat e qytetarëve (76,2 përqind). Por ndonëse janë të sigurt për punët e tyre, madje 79.3 përqind e të anketuarve besojnë se shumë njerëz do të humbasin punën e tyre për shkak të virusit, thuhet në pjesën e parë të sondazhit të QMBN

Të dhënat janë grumbulluar në sondazh telefonik, në periudhën nga 16 deri më 22 maj 2020, në një mostër përfaqësuese në nivel kombëtar prej 1.000 të anketuarve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button