fbpx

Udhëzues për të pasur më shumë vetëbesim

Do t’ju sugjeroja të lexonit librin “The Magic of Thinking BIG” nga David J. Schwartz, për të gjithë ata që dëshirojnë të përmirësojnë disi jetën e tyre. Secila prej këshillave të tij pasohet nga një shembull i jetës reale, çka e bën më të lehtë për tu kuptuar, transmeton Class.

Sidoqoftë, unë kam zgjedhur pesë këshillat e mia të preferuara nga ky libër, të cilat do t’ju ndihmojnë të rritni vetëbesimin tuaj dhe besoj se të gjithë duhet t’i dinë dhe t’i zbatojnë ato. Shpeshherë ne mendojmë se vetëbesimi është një aftësi e cila lind bashkë me ne, çka është e gabuar. E vërteta qëndron se e kemi vetë në dorë vetëbesimin tonë.

1. Uluni gjithmonë në rreshtin e parë

A e keni vërejtur ndonjëherë në mbledhje, në kishë, në klasë dhe në lloje të tjera kuvendesh se si vendet e pasme mbushen së pari? Shumica e njerëzve përpiqen të ulen në rreshtat e pasmë, kështu që ata nuk do të jenë “shumë të dukshëm”. Dhe arsyeja pse ata kanë frikë të jenë të dukshëm është se atyre u mungon besimi. Të ulesh në fillim kërkon kurajo dhe krijon vetëbesim. Praktikojeni këtë gjë. Tani e tutje bëjeni zakon që të uleni sa më shumë përpara. Sigurisht, ju mund të jeni më të dukshëm në pjesën e përparme, por mbani mend, vetëm kështu mund të fitoni vetëbesimin e munguar. Kjo këshillë më kujton nënën time. Ajo gjithmonë më këshillonte të ulesha në rreshtin e parë në klasë. Në fillim ndihesha sikur isha e ekspozuar para botës, por pas njëfarë kohe, u mësova me këtë gjë. Unë mendoj se duhet ta provoni disa herë diçka që ju frikëson derisa të mos ju trembë më. Në ditët e sotme, gjithmonë kam tendencë të ulem në rreshtin e parë në çdo rast. Unë thjesht nuk dua të fshihem më, dhe as ti nuk ke pse fshihesh.

2. Shihini njerëzit në sy

Se si një person i përdor sytë, na tregon shumë për të. Instiktivisht, ju i bëni vetes pyetje për mikun që nuk ju shëh në sy, “’Cfarë po përpiqet të fshehë? Nga cili ka frikë?” Duke e parë personin tjetër në sy ju i thoni, “Unë jam i sinqertë dhe i hapur. Unë besoj në ato që po ju them. Unë nuk kam frikë. Unë jam i sigurt. ” Përdorini sytë tuaj. Shiheni tjetrin në sy. Kjo praktikë fare e thjeshtë ju ndihmon të fitoni vetëbesimin tuaj. Unë gjithashtu besoj se duke parë njerëzit në sy ju u transmetoni atyre mesazhin: “Unë ju shoh, ju respektoj, ju vlerësoj”.

3. Ecni 25 përqind më shpejt

Njerëzit që ecin 25% më shpejt tregojnë super vetëbesim. Ecja e tyre i tregon botës, “Unë kam një vend të rëndësishme për të shkuar, diçka të rëndësishme për të bërë. Për më tepër, do të arrij sukses në atë që do të bëj.” Përdorni teknikën e shëtitjes-25-përqind më të shpejtë për të ndihmuar në ndërtimin e vetëbesimit. Hidhni shpatullat mbrapa, ngrini kokën lart, ecni përpara pak më shpejt dhe ndjeheni se vetëbesimi rritet. Vetëm provoheni dhe shikoni rezultatin. Duket sikur ecja e shpejtë mund të fshehë pasiguritë tuaja mjaft mirë dhe t’u japë njerëzve përshtypjen se ju e dini se çfarë jeni duke bërë me jetën tuaj, edhe kur nuk është gjithmonë e vërtetë.

4. Praktikoni të folurit

Mos kini druajtje të flisni. Kjo është një vitaminë për ndërtimin e besimit në vetvete. Bëheni zakon që të flisni në çdo mbledhje të hapur që merrni pjesë. Flisni, thoni diçka vullnetarisht në çdo konferencë biznesi, mbledhje apo forumi në komunitetin ku merrni pjesë. Mos bëni asnjë përjashtim. Komentoni, bëni një sugjerim, bëni një pyetje. Dhe mos jini të fundit që flisni. Mundohuni të jeni akullthyesi, i pari me një koment. Dhe kurrë mos u shqetëso se mos do të dukesh i marrë. Sepse nuk do të dukeni. Për çdo person që nuk pajtohet me ju, gjasat janë që dikush tjetër do të pajtohet me mendimin tuaj. Shpeshhere kjo duket më e lehtë se sa në të vërtetë është. Meqenëse ne vazhdimisht jemi në kërkim të një vlerësimi nga bota e jashtme, të themi diçka të gabuar do të na bëjë të ndjehemi të turpëruar. Por më thuaj, a mbani mend ndonjë “marrëzi” që keni thënë? Po sikur t’ju pyes nëse kujtoni ndonjë nga miqtë tuaj duke thënë diçka “të marrë”? Në shumicën e rasteve, ju nuk do të kujtoni asnjë situatë të tillë. Sepse e vërteta është, nuk është diçka aq e madhe sa e bëjmë në mendjen tonë. Në fund të fundit, nëse themi diçka të marrë gjithmonë mund të qeshim me të më vonë.

5. Buzëqeshni sa më shumë

Një buzëqeshje do t’ju japë juve një nxitje të vërtetë. Buzëqeshja është një ilaç i shkëlqyeshëm për mungesën e besimit. Por shumë njerëz ende nuk e besojnë vërtet këtë sepse ata kurrë nuk janë përpjekur të buzëqeshin kur kanë ndjerë frikë. Provoni të buzëqeshni me të vërtëtë dhe kur nuk ndiheni të lumtur. Një gjysmëbuzëqeshje nuk do ju ndihmojë shumë. Buzëqeshni me dhëmbët jashtë. Kam dëgjuar shumë herë, “Po, por kur kam frikë nga diçka, ose kur zemërohem, nuk ndjehem e qeshur.” Sigurisht, që jo. Por kjo nuk do të thotë që ju nuk mund të buzëqeshni. Çelësi është të buzëqshni e atëherë kur nuk ndiheni gati. Thuajini vetes, “Unë do të buzëqesh”. Atëherë buzëqeshni dhe shihni se ç’ndikim do të ketë kjo buzëqeshje tek ju. Buzëqeshja do t’ju bëjë të ndiheni më optimistë dhe pozitivë. E pse mos të buzëqeshni në fund të fundit? Ju jeni këtu dhe ju jeni unik, kështu që buzëqeshni dhe tregoni botës vetëbesimin tuaj!

Kei Hysi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button