Faji

Numri i të prekurve nga Covid19 sa vjen e shtohet. Në kohën kur vendet tjera fillojnë të relaksohen dhe t’i zbusin masat, ne para vetes kemi një fundjavë të vazhduar izolimi. Në kohën kur në vendet fqinje hapet sezoni i verës dhe gjërat fillojnë të kthehen në normalitet ne përjetojmë përsëritje të fazës së parë të kësaj sëmundjeje. Në kohën kur vendet tjera kanë filluar seriozisht të mendojnë si do të përballen me fazën e dytë e cila pritet diku rreth mesit të vjeshtës, ne nuk arrijmë ta kalojmë as fazën e parë. Kur vendet tjera numërojnë numra njëshifrorë të të infektuarve, ne numërojmë numra treshifrorë që sa vinë e rriten. Në kohën kur vendet tjera hapin kufinjtë, këta kufinj i hapin për të tjerët dhe jo për ne, të padisiplinuarit që nuk ditën të përballen me sëmundjen dhe ta ruajnë shëndetin e tyre.

Në kohëra të këtilla asgjë nuk është e sigurtë me përjashtim të vetëm një gjëje: Faji është gjithmonë jetim. Askush nuk e pranon që ka faj, sepse faji është gjithmonë i tjetrit, dhe kështu, në fund del që faji për këtë katastrofë në fakt nuk është i askujt!

Fajin të gjithë e hedhin si top llastiku te njëri tjetri. Qeveria thotë fajin e ka opozita, sepse ministri i punëve të brendshme që vjen nga rradhët e opozitës nuk e ka mbajtur rendin si duhet dhe nuk i ka dënuar ata që nuk i kanë respektuar masat. Opozita thotë që fajin e ka megjithatë qeveria sepse nuk është përballur si duhet me sëmundjen. Autoritetet i fajësojnë qytetarët sepse nuk u përmbahen masave, por të njëjtit nuk i dënojnë për këtë. Qytetarët nuk i respektojnë masat dhe fajësojnë qeverinë se nuk i detyron ata që t’i respektojnë më shumë. Të sëmurit nuk duan të testohen, të identifikuarit si pozitivë nuk duan të izolohen e as të tregojnë se me kë kanë kontaktuar. Të gjithë janë të pakënaqur me të gjithë ndërsa situata bëhet çdo ditë e më serioze.

Në këto kushte është mirë të bëjmë një retrosektivë të jetës sonë gjatë muajve të kaluar dhe të pyesim veten: A ia vlente?

A ia vlejtën debatet pa fund në kafenetë e mëhallës ku banorët flasin me maskat në mjekër për çështje të mëdha të politikës ndërkombëtare dhe sjellin konkludime jetike për atë se a ekziston virusi apo nuk ekziston? A ia vlejnë këto debate tani, kur rrethi ngushtohet dhe një nga një identifikohemi të gjithë si të sëmurë potencialë?

A ia vlejtën ekzibicionet që i bëmë me mosrespektim të orës policore? Rrahja gjoks se askush nuk na bën dot asgjë se ne jemi shumë azganë dhe dalim e hecim lirshëm rrugës bile me fëmijët përdore gjatë kohës së izolimit? Për kë ishte ajo orë policore? Mos ishte për ata alienët në Mars që të mbrohen nga virusi apo ishte për shëndetin tonë? A ia vlen sërish ta bëjmë të njejtën gjatë fundjavës që vjen?

A ia vlejtën ritet fetare kolektive të javëve të Ramazanit dhe të Bajramit që pasoi, tani kur e shohim se nga një drekë e përbashkët Bajrami rezultojnë tri shtëpi të infektuara? A ia vlejti iftari i përbashkët i mëhallës tani kur numrat në komunat shqiptare u shumëfishuan? A ia vlejti inati ndërreligjioz ku prijësit fetarë argumentonin se nëse “ata” kanë dale për Shën Gjergj në Strugë “ne” do e falim se s’bën Namazin e Bajramit? A ia vlen tani, kur pas dy javëve e korrim atë që e mbollëm duke pretenduar se e adhurojmë krijuesin i cili qartazi na ka transmetuar cilat rregulla duhet të respektohen gjatë pandemisë? A ia vlejti rrezikimi i dhuratës më të çmuar të krijuesit për ne: jetës dhe shëndetit tonë?

Për më tepër është mirë të pyesim veten se çfarë tamam duam. Duam që masat të respektohen me përpikshmëri kur vet shohim si ti eskivojmë? Kërkojmë që shteti të na dënojë kur të dalim nga shtëpia gjatë orës policore? Kërkojmë një polic për kokë banori që të na rrahë sa herë të mos e rrespektojmë një masë të vendosur nga shteti? Me një fjalë kërkojmë që të ketë masa, ne të mos i respektojmë, dhe për këtë të dënohemi, ashtu? Pra kërkojmë policia të jetë më e ashpër, të dënojë, të burgosë dhe mundësisht nga pak të na rrahë, ashtu? Kërkojmë brutalitet policor sepse nuk jemi në gjendje t’i respektojmë masat që sillen për të mirën tone, ashtu?

Epo populli që me vetëdije kërkon brutalitet policor për të shpëtuar nga pandemia është i destinuar të vuajë, për një kohë të gjatë dhe me pasoja të rënda. Prandaj kur ta kërkojmë fajin ta kërkojmë mirë, se mos ndoshta e gjejmë te secili prej nesh. Tek autoritetet që duhet të jenë më efikase se kaq, por edhe tek vetëdija jonë e ulët dhe vetëshkatëruese.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button