fbpx

OJQ-të kërkojnë mësim të drejtpërdrejtë me fëmijët me nevoja të veçanta, MPPS thotë nuk ka kërkesë zyrtare

Organizatat që merren me trajtimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, nuk kanë mundësi për zhvillimin e orëve mësimore, drejtpërdrejtë. Për këtë, sipas tyre, është bërë kërkesë deri te Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, për të ndërmarrë masa. Ata kërkojnë që të lejohet mësimi, mësues – nxënës, për të mos humbur në kohë dhe për të mos ngecur zhvillimi i fëmijëve me aftësi të kufizuar. Mirëpo, një gjë të këtillë e demanton Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS), sepse asnjë kërkesë zyrtare nuk ka shkuar në adresë të tyre, shkruan Portalb.mk.

OJQ “Imago – plus” për Portalb.mk, thonë se janë ndërprerë mësimet në qendër, për shkak të pandemisë. Kjo ka ndikuar që të ndërmerren masa të tjera, që komunikimi  të zhvillohet në distancë (on’line) me fëmijët me nevoja të posaçme, gjegjësisht prindërit e tyre. Dhe se, ky lloj i mësimit nuk jep rezultate të duhura, prandaj ata kërkojnë që me orare të caktuar të caktohen terminet, në qendër, për trajnim të fëmijës me nevoja të posaçme.

“Ne kërkojmë që më shpejt të miratohet protokolli dhe të fillojmë me punë. Përndryshe, na kanë dërguar pyetësor në lidhje me trajtimet dhe sa fëmijë duan të fillojnë mësimin, në qendër. Dhe në bazë të asaj ta bëjnë protokollin. Kanë premtuar që së shpejti do ta miratojnë dhe të fillojmë me punë. Por, deri më tani nuk ka diçka definitive”, tha  për portalb, Zemrijet Bela nga shoqata “Imago-plus”.

Në të kundërtën, sipas saj, nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale u është kumtuar aplikantëve për leje të punës, për mësimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, se do të gjobiten në rast se ato punojnë pa protokoll.

Ndryshe ndodh me shoqatën “Dua Ylberin”, ku dy muaj nuk kanë punuar për trajtimin e fëmijëve, sepse u është nevojitur të mbajnë rekomandimet e autoriteteve qeveritare.

“Në këtë kohë orët grupore janë hequr tërësisht nga përdorimi. Nuk shkakton ndonjë rrezik përderisa u përmbahemi rekomandimeve, por gjithsesi duam të jemi në përputhje me normativat, me rregulloret që institucionet përkatëse i kanë lëshuar për të gjithë”, thotë trajnuesja në shoqatën  “Dua ylberin”, Edlira Destani.

Mirëpo, edhe pas një periudhe të gjatë të mësimit në distancë nga kjo shoqatë thonë se hapja e qendrave të edukimit special është bërë nga organet kompetente, për këtë organizatë. Porse, do të duhet të respektojnë distancën mes palëve dhe masa të tjera që janë rekomanduar, nga autoritetet shëndetësore.

“Secila trajnuese e ka tryezën e vetë, distanca dhe maskat mbahen për siguri dhe shishet dezinfektuese mbahen pranë dhe gjithë preparatet e tjera, sepse kështu është e nevojshme sot në punë”, thonë nga shoqata “Dua ylberin”.

Procesi mësimor në këtë qendër, sipas saj, mbahet në orë të caktuara me qëllim që të mos bien ndesh prindërit dhe fëmijët në këtë qendër. Por, orët grupore nuk mbahen më, dhe e gjithë kjo është bërë në koordinim me prindërit.

Mirëpo, nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se në kohën e pandemisë që edhe  e jetojmë, ku qendrat për trajtimin e fëmijëve me nevoja të veçanta u duhet të marrin leje, për aktivitetet e tyre, asnjë OJQ, nuk ka bërë kërkesë zyrtare.

“Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka përgatitur një Protokoll për veprimin e Qendrave të kujdesit ditor për fëmijët (Personat me aftësi të kufizuara) pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme dhe rregullave për veprimin e profesionistëve dhe përdoruesve pas hapjes së Qendrave të kujdesit ditor. E njëjta është dhënë dhe paraqitur në Komisionin e Sëmundjeve Infektive dhe priten komentet zyrtare dhe udhëzimet për propozimin. Ndërkohë, përmes Qendrave për Punë Sociale kryhen anketime me prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara për të përcaktuar numrin e njerëzve që kanë nevojë për kujdes të përditshëm. Deri më tani, asnjë kërkesë zyrtare nuk është paraqitur në MPPS nga ndonjë shoqatë ose qendër ditore për hapjen e Qendrave të Kujdesit Ditor. Këto qendra nga MPPS kontaktohen rregullisht nga prindërit dhe përdoruesit, dhe gjatë ditëve të kaluara janë siguruar pako me materiale didaktike për të gjithë fëmijët për të lehtësuar aktivitetet në shtëpi”, thanë për Portalb, nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Edhe mësuesit e shkollave thonë se përfshirja e fëmijëve me ndonjë problem është sfida më e madhe e mësimit në distancë. Për të cilën është ngritur si shqetësim jo vetëm nga mësuesit, e psikologët, por edhe prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button