Promovimi i lokalizmit në media dëmton interesin e përgjithshëm shoqëror

Burimi: KriThink

Lokalizmi dhe nxitja e qytetarëve në lokalizëm nuk duhet të zënë vend në media, aq më pak në një formë që është plasuar në artikullin që po recensojmë. Lokalizmi mbron interesa të ngushta të një rrethi apo krahine në vend të interesave të përgjithshme shoqërore. Pikërisht kjo e fundit -interesi i përgjithshëm shoqëror- duhet të jetë synimi i mediave që të kemi një shoqëri të shëndoshë.

Foto nga lajmi i recensuar

Linku origjinal i artikullit:ASH -AAA nuk i përfillin tetovarët, ndërsa kërkojnë vota në Tetovë

Data e publikimit: 30.05.2020

Data e recensimit: 31.05.2020

Recensuese: Naile Dauti

Lajmi nuk duhet t’ju ngjajë shkrimeve letrare

Artikulli që po recensojmë përveç se është marrë ‘copy-paste’ nga nje media tjetër, është i gjithi koment tërësisht subjektiv dhe assesi nuk duhet të jetë në kategorinë e lajmeve. Megjithëse nuk duhet të zë hapësirë në media, për shkak të natyrës tendencioze dhe përçarëse të tij, më e pakta që mund të bëhej në aspektin etik, do të ishte të futej në kategorinë e opinioneve apo editorialeve.

“Po ti shohësh në tavolinën përreth duken gjashtë politikanë të zakonshëm me plot përplasje në të shkuarën, akuza të rënda dhe në fund paqe mes tyre. Por po të gërmosh më thellë nga kjo fotografi prej gjashtë politikanësh në ” tryezën ” e madhe , e kupton dicka tjetër që bie në sy menjëherë raporton TetovaSot. Aty e sheh se kush vendos, kush pyetet dhe kush nuk përfillet nën kamuflimin e fjalëve dhe të vërtetave që heshten. Aty ku politikanët lartësohen përmes frazave të mëdha dhe harrojnë një qytet të rëndësishëm që u jep pushtet prej kohësh .Aty e sheh qartë se Tetova është fshirë përgjithmonë nga harta politike e atyre që e duan ” ndryshimin” në Maqedoni. Shkupi,Gostivari,Kumanova e Struga në një tavolinë ku bisedohet e ” ardhmja ” e shqiptarëve pa qendrën më të madhe dhe vendosëse -Tetovën përcjellë TetovaSot.

Në shikim të parë, ky shkrim të ngjan në vargje letrare epiko-lirike, ku autori shpreh ndjenjat dhe mendimet e tij për ndonjë çështje të caktuar. Por autori ka harruar mesa duket se është duke shkruar për çështje politike dhe më e rëndësishmja u është servirur lexuesve si lajm- informacion. Kjo e fundit është një shkelje profesionale nga autori, pasi nuk ia bën me dije qytetarit të rëndomtë, se për çfarë bëhet fjalë.

Takimet jo domosdoshmërish janë pasqyrë e politikave të partive

Zhvillimi i takimeve dhe prejardhja e njerëzve në këto takime jo gjithmonë paraqesin reflekim të politikave të partive. Autori nuk duhet të supozojë duke u bazuar thjeshtë nga një fotografi apo takim, i cili mund të jetë zhvilluar në kontekst shoqëror dhe aspak politik. Realisht brenda asaj fotografie mungojnë shumë persona, nga shumë qytete, por a do të thotë kjo mospërfillje? Autori spekulon se personat që janë në atë fotografi janë vendim marrësit e të gjitha politikave brenda koalicionit të apostrofuar në tekst, por nuk sjellë asnjë fakt veç komentimit të fotografisë. Madje këtyre lloje spekulimesh nuk mund t’jua bashkëngjisësh as edhe faktet.

Lokalizëm i panevojshëm dhe në dëm të interesit të përgjithshëm

Autori i artikullit, ka përdorur një fjalor jashtë mase lokalist, nxitës dhe përçarës, njëkohësisht shumë kontestues e jo logjik. Autori pretendon se Tetova u jep kaq shumë deputetë partive dhe ata në këmbim ju japin mospërfillje, që realisht nënvlerëson votuesit e atij qyteti dhe njëkohësisht tenton t’jua imponojë bindjet e veta qytetarëve.

“Në fakt Tetova e ka merituar prej kohësh këtë mospërfillje sepse është treguar zemërgjerë si një makineri votuese për të tjerët dhe kurrë për veten.Ka dhënë kaq shumë dhe ka marrë kaq pak.Tetovarët mjafton që votojnë, përplasen me njëri-tjetrin për të ngritur në fron të tjerët dhe më pas rrëfimi mbyllet aty.Ata janë të rndësishëm deri të dielën në mbrëmje kur mbyllen kutitë e votimit sepse të hënën drejt kryeqendrës nisen ” mbretër” të tjerë që dehen pas pushtetit.Në tryeza të tilla si kjo me politikanë që ” bartin peshën e shqiptarëve” një qytet ku të jep kaq deputetë është fshirë nga ” tavolina politike” sepse Tetova s’është për aty.Tetova është për të votuar .Tetova duhet të zgjedhë të tjerët.Tetova është për tu rekrutuar kur ka konflikte.Tetova është për të dhënë gjithcka dhe mos merr asgjë.”, thuhet në artikull.

Teksti përmban shkelje të shumë neneve të Kodit Etik të Gazetarëve, ndër to nenin 10, 11, 13, 14, 15 dhe 16.

“Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdolloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…”- neni 10 i Kodit Etik.

 

“Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari patjtetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike.”- neni 14 i Kodit Etik.

Përveç se bëhet fjalë për spekulim të një niveli mediokër që dëmton arsyen e shëndoshë të lexuesit, autori priret të paraqes vetëm dy mundësi- pasi mungon një funksionar nga Tetova në atë tavolinë, patjetër bëhet fjalë për mospërfillje. Domethënë, sipas autorit, nuk mund të ketë një mundësi apo shpjegim tjetër. Në këtë rast bëhet fjalë për manipulimin e “Dikotomisë false”.  Nëse gjatë manipulimit tjetër Prirje për të  konfirmuar këndvështrimin e vet ka prirje  për të favorizuar dhe gjurmuar informacione që konfirmojnë pikëpamjet ekzistuese, këtu autori në fakt  nuk ka gjurmuar asnjë informacion, thjeshtë ‘gjurmon’ fotografinë, të cilën e konsideron dëshmi të madhe për mospërfillje.
Këto dy lloje dhe lloje të tjera manipulimesh që përdoren në media, mund t’i lexoni në Doracakun e Kirthinkut.

Për lexuesit

Lexuesit të shtojnë kujdesin e tyre nga media të këtij lloji. Lokalizmi, spekulimet, shpifjet dhe komentet e këtij niveli nuk i shërbejnë askujt. Përkundrazi, nxit përçarje mes njerëzve të një etniteti por nga qytete të ndryshme, pra nxit prirje lokaliste. Llojet e tilla të artikujve bëhen me qëllim sulmimin e një partie politike, në këtë rast koalicioni, që është në kundërshtim me Kodin Etik, i cili rekomandon distancim nga partitë politike. Prandaj sugjerohet që lexuesit të zhvillojnë mendimin kritik që kategoritë e tilla të artikujve të mos kenë asnjë ndikim tek ata, madje të jenë vetë ata që do të kritikojnë mënyrën e tillë të nxitjes së urrejtjes nga mediat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button