Prapaskenat rreth ‘laboratorit të drogës’ dhe akuza e Thaçit ndaj Vetëvendosjes

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka bërë një varg akuzash në drejtim të zyrtarëve të qeverisë Kurti. Akuzat e bëra nëpër konferenca për media, studio televizive por edhe në profilin e tij në Facebook.

Kreu i shtetit e ka publikuar një video në rrjetin social Facebook ku shihet një laborator i përpunimit të drogës. Bashkëngjitur me videon, ai ka shkruar se këto pamje dëshmojnë se ‘Grupi Kurti’ dhe familja e Ministres së Drejtësisë, duke aluduar në Albulena Haxhiun kanë tentuar t’i zhdukin faktet inkrimunese nga depoja e aseteve të konfiskuara e sekuestruara.

“Këto pamje dëshmojnë një prej inkriminimeve të Grupit Kurti dhe familjes politike të Ministres së Drejtësisë. Janë pamje nga laboratori i drogës në Prishtinë, që me anëtarin tjetër të këtij grupi kriminal, Xhelal Sveçlën, ditë më parë u përpoqën t’i zhdukin si fakte inkriminuese nga depoja e aseteve të konfiskuara dhe të sekuestruara. Është koha që të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Thaçi në Facebook, pasi të njëjtat akuza i kishte dhënë edhe në ditën paraprake.

Kurse, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka paralajmëruar padi ndaj presidentit Hashim Thaçi për shpifje.

“Thaçi ka humbur toruan! President shpifës që do të përgjigjet për akuzat e rënda. Ai tha se familjarët e Albulena Haxhiut kanë laborator droge! Qysh nesër do të deponojmë padi për këtë shpifës të paskrupullt”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ndërkaq, pas publikimit të videos nga presidenti, Haxhiu reagoi sërish duke e quajtur atë “president shpifës”.

“Dje akuzoi që familja ime ka laborator droge, ndërsa sot, thekson familja politike. Sikur herën e parë po ashtu edhe herën e dytë, ai ka shpifur me qëllime të pista! Ju njoftoj që lidhur me akuzat e shpifjet e tij, familjarët e mi me shtetësi zvicerane janë duke u konsultuar me avokatë për ta paditur Hashim Thaçin, në Gjykatën e Zvicrës. Në anën tjetër policia DUHET ta demantojë Hashim Thaçin sepse ata i kanë informacionet e sakta. Le të dalin e të flasin publikisht!”, thuhej në reagimin e saj.

Në anën tjetër, laboratori të cilin e ka përmendur Thaçi, ishte raportuar në media se ai i përkiste familjarëve të ish-deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Nazlie Bala, tash këshilltare e ministres në detyrë, Albulena Haxhiut.

Për një laborator të tillë, Policia e Kosovës kishte dhënë detaje.I pari që i kishte bërë akuzat për “laboratorin e drogës” ishte ndaj ish-drejtorit të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar, Rrahim Rama. Deputetja, Nazlie Bala ka deklaruar se do të deponojë padi ndaj ish-drejtorit Rama.

Ky i fundit në një intervistë dhënë për T7, kishte deklaruar se familjarë të Nazlie Balës kanë laborator të drogës dhe se të njëjtin e ka sekuestruar Agjencia të cilin e drejtonte ai deri para pak ditësh.Këto pretendime Bala i ka quajtur shpifje.

Burimi: VERTETMATES

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button