Izolohet Mavrova e Rostushja, rrugët e bllokuara e pa energji elektrike

Në komunën Mavrovë-Rostushë në disa vendbanime siç është Zhirovnica, Skudrinja, Trebishta,  Prisojnica, Axhievca, nuk ka energji elektrike disa ditë.

Në vendet që ka, furnizimi nuk është i rregullt dhe me ndërprerje të përhershme, nga të cilat shkatërrohen aparatet elektrike, kumtoi Shtabi komunal i krizës pas seancës në të cilën është shqyrtuar gjendja aktuale pas reshjeve të borës dhe temperaturave të ulëta të cilat mbizotërojnë në rajon.

Në kumtesën e shtabit me të cilën udhëhoqi kryetari i komunës Mukrem Mehmedi, theksohet se mungesa e energjisë elektrike, ndikon negativisht edhe në ekonomi.

Pronarët e kapaciteteve ekonomike janë të revoltuar dhe paralajmërojnë padi deri te EVN-ja për shkak të dëmeve të shkaktuara dhe prodhimtarisë së ndërprerë.

Në shkollat, theksohet, të cilat ngrohen me ngrohje qendrore, mësimi nuk mund të mbahet, për shkak të klasave të ftohta.

“Përgjegjësia për gjendjen është e EVN-së. Ata nuk e mbajnë trasenë e përçimeve elektrike, e cila është në gjendje shumë të keqe dhe nga bora e parë erdhi deri në këputje të telave dhe rrëzim të shtyllave. Edhe pse popullata lokale tregoi gatishmëri dhe i ndihmoi ekipet në numër të vogël të EVN-së në terren, gjendje është akoma e vështirë, sepse paraqiten gjithnjë e më shumë defekte”, thuhet në kumtesën e shtabit të krizës.

Rruga lokale Mavrovë-Dibër është e kalueshme, ndërsa në disa vende paraqiten rrëshqitje dheu, të cilat në mënyrë plotësuese e vështirësojnë trafikun. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button