Kurti: S’ia bëj pranim-dorëzimin atij që e shkarkova

Teksa e ka quajtur “qeveria koti” Qeverinë Hoti, ish-kryeministri Albin Kurti ka thënë se s’do ta bëjë pranim-dorëzimin e detyrës, për atë që e ka shkarkuar sa ishte kryeministër në detyrë, transmeton Koha.net.

Në një video të publikuar në Facebook, kreu i Vetëvendosjes ka përsëritur se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, për dekretin e presidentit Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër, është i papranueshëm.

“Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm. Me atë vendim ata kanë bërë agresion mbi Kushtetutën e Republikës dhe kanë zhvlerësuar veten e tyre si Gjykatë. Kjo qeveri është e paligjshme. Kjo është qeveria koti, ne jemi qeveria alternative. S’do ta bëj pranim-dorëzimin sepse s’mund të pranoj atë që e shkarkova, ndërkohë që edhe u dorëzua te presidenti. Ne vazhdojmë betejën, do të kthehemi përsëri e shumë shpejt”, ka thënë ai ndër tjerash në video.

Ai ka thënë se që nga nesër më nuk do të jetë në zyrën e kryeministrit, gjersa ka numëruar disa prej vendimeve që ka marrë.

“Sot janë bërë katër muaj që jam zgjedhur kryeministër, kurse nesër nuk do të jem më në këtë zyrë. Katër muaj qeverisje e mirë, 39 mbledhje të mira të Qeverisë, 213 vendime që e kanë shumë më të mirë politikën në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Ai ka falënderuar qytetarët për mbështetjen si dhe bashkëpunëtorët e tij përgjatë kësaj periudhe.

“Që nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019 kemi dëshmuar se jemi partia e parë dhe më e madhe në vend e në Kuvend, se subjekti kryesor politik në Republikën e Kosovës quhet Lëvizja Vetëvendosje. Kemi dëshmuar se mund të qeverisësh pa marrëveshje me Listën Serbe dhe duke mos u varur prej saj. Kemi dëshmuar se mund të zvogëlohet kabineti qeveritar e të forcohet shteti demokratik”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se kanë dëshmuar se mund të zvogëlohen pagat e qeveritarëve e të rritet përkushtimi ndaj qytetarëve.

“Kemi dëshmuar se mund të ndalet edhe gjakderdhja financiare në asfaltin e shtrenjtë në tokat bujqësore. Kemi dëshmuar se mund të menaxhohet pandemia e virusit Corona, pa panik, me kujdes, pa shpallur gjendje të jashtëzakonshme, me sukses shembullor për rajonin e më gjerë”, ka thënë Kurti.

Ish-kryeministri nuk ka lënë as pa përmendur edhe vendimet e Qeverisë së tij kundrejt Serbisë.

“Kemi dëshmuar se mund të vendoset reciprociteti ndaj Serbisë e të ndihmohen Presheva, Medvegja dhe Bujanoci. Kemi dëshmuar se edhe në pandemi mbijetojmë e zhvillohemi, me pakon fiskale emergjente e me pakon e rimëkëmbjes ekonomike. Kemi dëshmuar se bordet e drejtorëve të korruptuar kryeshefat ekzekutivë shkarkohen edhe kur janë familjarë të presidentit”, ka thënë Kurti.

Tutje ai ka shtuar se, “kemi dëshmuar se mund të fillojë vettingu në sistemin e drejtësisë. Kemi dëshmuar se mund të riatdhesohen të ashtuquajtur konsuj të nderit e të përfaqësojnë me dinjitet vendin tonë në politikën e jashtme. Kemi dëshmuar se mund të arrihet pavarësia elektroenergjetike e Republikës së Kosovës. Kemi dëshmuar se diasporës sonë mund t’ua paguajmë Kartonin e Gjelbër”.

Kjo video e Kurti vjen pak kohë pas zgjedhjes së Avdullah Hotit kryeministër i Kosovës, me votat e deputetëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button