Të punësuarit në USHT, të revoltuar nga vonesa e rrogave

Ka shpërthyer revolta mes të punësuarve në Univestitetin Shtetëror të Tetovës. Shkak kryesor është pagesa jo e rregullt nga ky universitet dhe vonesa e rrogave me javë e muaj të tërë. Disa nga të punësuarit në administratën e USHT-së në disperzimin në Shkup dëshmojnë për Portalb se rrogat i marrin me vonesë të madhe, ndërsa shpesh janë edhe pre e gjobave të inspeksioneve të  brendshme të USHT-së.

“Për muajin tetor rrogat i kemi marrë në fillim të dhjetorit, edhe pse duheshte që ti marrim më së voni më 5 nëntor. Për muajin nëntor akoma nuk kemi rroga. Kjo pakujdesi dhe parregullsi e universitetit nuk është prej tani, po zgjat një periudhë” –  thotë një i punësuar në administratën e USHT-së në Shkup.

Sipas burimit të njëjtë, USHT bën çmos që të gjobiten të punësuarit, duke dërguar inspeksione edhe para fillimit të orarit të  punës.

“Vijnë në kontroll në orën 8:20 dhe normalisht që i gjejnë zyrat mbyllur, pasi ne fillojmë me punë në ora 8:30. Pastaj na dënojnë me gjobë për këtë arsye” – thonë të punësuarit.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i USHT-së Selam Sulejmani shkurt vetëm  mohoi këto dëshmi,  edhe pse në fillim nuk deshi të japë deklaratë zyrtare pa i treguar emrat e personave që janë drejtuar në redaksinë tonë, të cilët dëshironin të mbesin anonim.

“Administrata e USHT-së i merr dhe do ti merr me rregull rrogat e tyre” –  deklaroi Sulejmani.
Sipas asaj që mëson  Portalb, përveç punëtorëve të administratës, edhe asistentët dhe bashkëpunëtorët e jashtëm të këtij universiteti nuk marrin rrogë me rregull.

Portalb u mundua që për këtë problem të merr prononcim nga rektorati i USHT-së, por për disa orë askush nuk përgjigjet në numrin zyrtar të këtij rektorati./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button