Kosovë, Biznesmenët serbë të veriut paralajmërojnë masa radikale

Vetëm gjatë dy ditëve të fundit doganierët kosovarë në pikën kufitare të Jarinjës kanë kthyer mbrapsht për në Serbi dhjetëra kamionë me mallra serbe të destinuara për veriun e Kosovës, duke kërkuar që këto mallra të zhdoganohen në terminalin që ndodhet në jug të Mitrovicës, bëjnë të ditur burime të Kosovapress-it.

Sipas këtyre burimeve, kjo ka shtyrë që dhjetëra biznesmenë serbë të veriut të mbajnë një takim të jashtëzakonshëm të mërkurën mbrëma në Leposaviq dhe t’i bëjnë thirrje Qeverisë së Serbisë që të suspendojë menjëherë zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, për shkak se siç u tha, nuk janë duke u respektuar garancitë dhe marrëveshjet nga Brukseli sa i përket importit të mallrave serbe për veriun.

Mësohet se ata do të takohen edhe me shefin e doganës së EULEX-it në Jarinjë, për të kërkuar sqarime pse doganierët kosovarë në këtë pikë kufitare kërkojnë që mallrat e destinuara për veriun e Kosovës të doganohen.

”Nëse vazhdohet me këtë praktikë që mallrat të cilat kanë akcizë të dërgohen në pikën kufitare të Merdarës, ndërsa i gjithë malli tjetër në terminalin doganor në jug të Mitrovicës, ne do të detyrohemi të ndërmarrim masa radikale për t’i mbrojtur kompanitë tona, njëherësh edhe interesat tona nacionale”, citojnë burimet të kenë thënë disa nga këta biznesmenë, duke mos precizuar se për çfarë masash radikale bëhet fjalë. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button