SHBA-ja përshëndeti votimin e qeverisë Hoti

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka uruar për “formimin në mënyrë paqësore të qeverisë së re të Kosovës”.

“Mezi presim të punojmë me qeverinë Hoti, për të vazhduar punët e rëndësishme për paqen, drejtësinë dhe përparimin, përfshirë përpjekjet për fuqizimin e marrëdhënieve rajonale në luftimin e pandemisë së COVID-19”, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane, transmeton REL.

Edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell e ka mirëpritur votimin e qeverisë së re të Kosovës.

“Ne e mirëpresim formimin e qeverisë së re dhe mezi presim të bashkëpunojmë për vazhdimin e dialogut me Serbinë”, thuhet në deklaratën e zyrtarit amerikan.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar heqjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë, në mënyrë që të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Hoti, ka thënë më parë se qeveria e drejtuar nga ai, do të heqë të gjitha pengesat që e bllokojnë rifillimin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Masa e reciprocitetit është vendosur nga qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri Albin Kurti.

Qeveria e re e Kosovës me kryeministër, Avdullah Hotin, u votua të mërkurën nga Kuvendi i Kosovës, me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button