COVID-19, shtetet në të cilat deri më tani (s’)mund të udhëtoni

Kufijtë e të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian janë mbyllur që nga mesi i marsit, me qëllim të parandalimit të shpërndarjes së virusit korona. Pasi që vetëm se ka filluar sezoni turistik, disa shtete kanë filluar t’i hapin kufijtë për turistët, ndërkaq disa të tjerë vazhdojnë me masat kufizuese, por me lehtësime për vendet fqinje, shkruan Portalb.mk.

Atë që duhet të dinë udhëtarët është se lajmet për hapjen e kufijve vazhdimisht përditësohen dhe përpara se të vendosin për të udhëtuar në një vend të caktuar, fillimisht duhet të shohin në shtetin e tyre nëse ka fluturim apo transport për të udhëtuar deri në vendin e caktuar, por dhe t’i shohin kushtet cilat janë për të hyrë në atë shtet ku planifikojnë të shkojnë.

Në rast se vendosni të shkoni në një shtet të caktuar, gjithsesi vizitoni ueb-faqet zyrtare të Qeverisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Jashtme, por edhe në ka ndonjë ueb-faqe specifike për pandeminë COVID-19 në atë shtet. Informata zyrtare mund të merrni edhe nga ueb-faqja e BE-së të cilën mund ta gjeni: KËTU.

Portalb.mk, në pika të shkurtra i ka përmbledhur të dhënat zyrtare të shteteve ballkanike dhe evropiane, në lidhje me masat e hapjes së kufijve.

  • MAQEDONIA E VERIUT

Maqedonia e Veriut vazhdon t’i ketë të mbyllura kufijtë për shtetasit e huaj deri në njoftimin e radhës nga autoritetet përkatëse. Kjo ndalesë nuk vlen për shtetasit e RMV-së të cilët janë jashtë vendit. Nëse të njëjtit vendosin të kthehen në RMV, atëherë të njëjtët do të dërgohen në karantinë shtetërore. Nëse dëshirojnë ta shmangin karantinën shtetërore, duhet që të kenë test PCR negativ në COVID-19, i cili është bërë në 72 orët e fundit prej çastit kur ka hyrë në kufi, në këtë rast të njëjtët do të dërgohen në vetëizolim shtëpiak 14 ditor. Ka mundësi që edhe brenda karantinës shtetërore të bëhet test, por të njëjtin duhet ta paguajë personi i karantinuar, jo shteti. Në rast se nuk bëjnë test, personi është i obliguar të qëndrojë në karantinë pë 14 ditë.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://mvr.gov.mk/vest/12065

  • KOSOVA

Nga dita e hënë, në Kosovë u rihapën kufijtë tokësorë që ishin mbyllur qysh më 13 mars, për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar konfirmoi se janë rihapur kufijtë në Merdarë, Vërmicë, Kullë, Hani i Elezit, Jarinë dhe Dheu i Bardhë. Autoritetet vendosën që të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës dhe posedojnë rezultate negative për testin e koronavirusit – jo më të vjetra se katër ditë – të mos u nënshtrohen procedurave të vetizolimit. Ata që nuk posedojnë testin, detyrohen të vetizolohen për shtatë ditë.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://msh.rks-gov.net/45369/ 

  • SHQIPËRIA

Shqipëria ka rihapur të gjithë kufijtë tokësorë dhe ka mundësuar lëvizje të lirë të njerëzve nga 1 qershori, ndonëse aktivitetet masive vazhdojnë të jenë të ndaluara deri më 23 qershor. Me qëllim të rikthimit të turizmit, Shqipëria ka hapur plazhet dhe hotelet po ashtu nga 1 qershori. Personat që hyjnë në Shqipëri nuk kanë asnjë detyrim për test negativ PCR për koronavirus.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://new.shendetesia.gov.al/

  • GREQIA

Greqia ka paralajmëruar hapjen e që nga 15 qershori për turistët e 29 vendeve, në mesin e të cilëve është edhe Maqedonia e Veriut. Testimi dhe karantina nuk do të jenë të nevojshme, por do të ketë testim të rastësishëm për ata që e kalojnë kufirin.

INFORMATA TË DETAJUARA: https:/www.mfa.gr/usa/en/the-embassy/neës/coronavirus–ëhat-travelers-should-knoë.html

  • SERBIA

Serbia që nga 21 maji ka vendosur t’i rihapë kufijtë e vendit. Të gjitha kufizimet janë hequr si për shtetasit e saj, ashtu edhe për të huajt. Nëse dëshironi të udhëtoni në Serbi, nuk ashte e nevojshme të keni një test PCR negativ për KOVID-19. Qeveria gjithashtu e hoqi masën e karantimit.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://covid19.rs/

  • MALI I ZI

Prej 1 Qershorit Mali i Zi i ka rihapur kufijtë për të gjitha vendet, me një kusht që udhëtari që hyn në këtë shtet të mos jetë i ndonjë prej vendeve që kanë 25 pacientë në 100.000 banorë. Për shkak të statistikave, në listën e shtetasve që mund të udhëtojnë në Mal të Zi, nuk janë edhe të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

INFORMATA TË DETAJUARA: http://www.gov.me/vijesti/225828/NKT-Crna-Gora-od-ponedjeljka-otvara-granice-ublazavaju-se-mnoge-mjere.html

  • BOSNJE DHE HERCEGOVINA

Bosnje dhe Hercegovina i ka rihapur kufijtë e saj për qytetarët e vendeve fqinje, Serbisë, Malit të Zi dhe Kroacisë prej më 1 qershor. Kufijtë janë të hapura për të gjithë qytetarët e vendeve fqinje, pavarësisht nga arsyet e vizitës.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://covid19.fmoh.gov.ba/novosti

  • BULLGARIA

Bullgaria ka ndaluar hyrjen e shtetasve të huaj në territorin e Bullgarisë prej më 1 qershor. Nga ndalesa përjashtohen shtetasit bullgarë, shtetas të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (BE), Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, Zonës Shengen, Republikës së Serbisë dhe Republikës së Maqedoninë së Veriut. Kalimi transit lejohet vetëm në rastet kur garantohet largimi i menjëhershëm nga Republika e Bullgarisë. Nëse personi ka për qëllim banimin në Bullgari, atëherë i njëjti detyrohet që të shkojë në karantinë prej 14 ditëve.

INFORMATA TË DETAJUARA: http://www.mh.government.bg/bg/novini/aktualno/zdravniyat-ministr-izdade-zapoved-za-vlizaneto-na-/

  • KROACIA

Autoritetet kroate kanë dhënë një njoftim zyrtar që kufijtë janë të hapur për shtetasit e huaj që hyjnë në vend duke rezervuar paraprakisht akomodimin e tyre. Ende mbetet një konfuzion nëse kufijtë janë të hapur vetëm për shtetasit e BE-së ose për qytetarët jashtë BE. Autoritetet kroate janë përgjigjur në lidhje me situatat specifike se kur mundet dhe kur jo të udhëtohet për në Kroaci. Ata kanë dhënë gjithashtu një konfirmim specifik për shtetasit amerikanë, britanikë, rusë, meksikanë, ukrainas dhe norvegjezë.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://www.koronavirus.hr/najcesca-pitanja-o-uvjetima-ulaska-u-republiku-hrvatsku/657

  • AUSTRIA

Duke filluar prej më 5 qershor, Austria ka thënë se do të heqë kufizimet kufitare, të lidhura me koronavirusin, për të gjitha shtetet fqinje – duke përjashtuar Italinë. “Prej nesër, nuk do të ketë më kontrolle për të hyrë në Austri”, është cituar të ketë thënë Ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg, në një konferencë për media të mërkurën, raporton agjencia e lajmeve, AFP. Ai ka thënë se kontrollet me kufirin italian do të analizohen sërish javën e ardhshme, duke shtuar se janë duke konsideruar mundësinë që t’iu mundësohet hyrja italianëve nga rajonet më pak të prekura nga koronavirusi. Austria ka mbyllur kufijtë e saj në mes të muajit mars.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://www.sozialministerium.at/en/Coronavirus.html

  • BELGJIKA

Udhëtarët që vijnë prej jashtë Bashkimit Evropian nuk u lejohet hyrja. Vendi zbaton kontrolle të kufirit tokësor. Kjo nuk vlen për personat me nënshtetësi britanike. Kufizimi gjithashtu nuk vlen edhe për personat me leje qëndrimi afatgjatë ose vizë të lëshuar nga shtetet e Zonës Ekonomike Evropiane (ZEE), Zvicra ose Mbretëria e Bashkuar. Fluturimet lejohen vetëm mes orëve 7 dhe 9 të mëngjesit, sipas orës lokale.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://www.info-coronavirus.be/en/

  • TURQIA

Turqia i ka të mbyllur kufijtë për shtetasit e huaj. Ajo ka paralajmëruar se do të rihapet për turistët evropian në fund të korrikut. Maqedonia e Veriut gjendet në listë e dhjetëra shteteve, qytetarët e të cilëve nuk lejohet të hyjnë në Turqi në 14 ditët e fundit kanë qenë në RMV.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://covid19bilgi.saglik.gov.tr/tr/

  • SLLOVENIA

Hyrja në Republikën e Sllovenisë u lejohet shtetasve të huaj me kushtin që ata të paraqesin prova në gjuhën sllovene, angleze ose italiane të një testi laboratorik molekular për praninë e COVID-19 që tregon rezultate negative për jo më i vjetër se tre ditë. Edhe nëse qytetari i huaj nuk paraqet një provë të tillë, atyre do t’u jepet hyrje në Republikën e Sllovenisë nëse temperatura e trupit të tyre është nën 37.5 ° C dhe nuk ka indikacione të qarta të një infeksioni të traktit të sipërm respirator (kollë, teshtitje, gulçim) e frymë). Aeroportet në Slloveni tani janë rihapur për transport pasagjerësh. Kontrollet shëndetësore janë duke u bërë në të gjitha pikat e hyrjes në kufi.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://www.gov.si/en/state-authorities/ministries/ministry-of-health/

  • SLLOVAKIA

Hyrja në Sllovaki lejohet vetëm për shtetasit sllovak, ndërkaq për të tjerët vetëm me kushte të caktuara. Në këtë shtet vazhdon të vlejë karantimi shtetëror pas hyrjes brenda kufijve. Për të dalë nga karantina shtetërore dhe për të shkuar në karantinë shtëpiake, duhet që të testoheni dhe të dilni negativ në KOVID-19.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://www.mzv.sk/ëeb/en/covid-19

  • ÇEKIA

Republika Çeke ka hequr shumicën e kontrolleve kufitare në vendkalimet kufitare me Gjermaninë dhe Austrinë. Udhëtimet për turistët janë të kufizuara. Që nga 26 maji, regjimi në kufijtë e shtetit është lehtësuar. Qytetarët e BE-së me statusin e një rezidenti afatgjatë në shtetin anëtar të BE-së do të jenë në gjendje të hyjnë në Çeki për të kryer aktivitete ekonomike, për të vizituar të afërmit ose për të studiuar në universitete. Të gjithë do të duhet të dëshmojnë test negative. Edhe 4 aeroporte janë rihapur. Shtetasit çek do të munden të udhëtojnë në vendet e BE-së dhe Shengenit dhe pas kësaj nuk do të duhet të kenë dëshmi test negativ. Shtetasit e huaj nëse udhëtojnë nga vendet me rrezik të mesëm dhe të lartë do të duhet që të dëshmojnë test negativ, në të kundërtën do të dorëzohen në karantinë.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://www.vlada.cz/en/media-centrum/aktualne/measures-adopted-by-the-czech-government-against-coronavirus-180545/

DANIMARKA

Kufijtë e Danimarkës janë të mbyllura për turistët e huaj me disa përjashtime. Nga 15 qershori do të hiqen kufizimet për turistët nga Gjermania, Islanda dhe Norvegjia. Turistët nga vendet e përmendura duhet të tregojnë dokumentacionin e një rezervimi të vlefshëm gjatë mbërritjes së tyre. Ky prenotim duhet të jetë për një qëndrim që zhvillohet jashtë kryeqytetit Kopenhagë (Komuna e Kopenhagës dhe Komuna Frederiksberg) dhe duhet të zgjasë së paku gjashtë netë. Nëse gjatë hyrjes në kufi, udhëtari tregon shenja të qarta të COVID-19, për shembull kollë, ethe ose të ngjashme, nuk do t’i lejohet të kalojë kufirin. Në lidhje me shtetasit tjerë, shteti danez nuk do t’i marrë për bazë arsyetimet për vizitë të përgjithshme të familjes, udhëtimeve për turizëm, udhëtimeve të biznesit ose të ngjashme.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://www.visitdenmark.com/denmark/travel-essentials/coronavirus

  • ESTONIA

Prej 1 qershorit, shtetasit e zonës Shengen dhe të Britanisë së Madhe kanë të drejtë të hyjnë në shtet. Nëse gjatë hyrjes shtetasi ka simptoma të COVID-19, do t’i mohohet hyrja. Një person që hyn në Estoni nga një vend në të cilin zbatohet kërkesa e karantinës do të duhet t’i sigurojë Policisë dhe Rojeve Kufitare garanci për qëndrimin në karantinë shtëpiake 14 ditore. Të huajt lejohen të kalojnë Estoninë për të shkuar në vendin amë, por nëse nuk tregojnë simptoma të COVID-19. Nuk ka kufizime për dalje nga shteti,

INFORMATA TË DETAJUARA: https://www.visitestonia.com/en/ëhy-estonia/coronavirus-and-travelling-to-estonia

  • FINLANDA

Trafiku ndërkombëtar është kufizuar deri më 14  qershor. Udhëtarët nuk lejohen të hyjnë në Finlandë, përveç shtetasve të saj, banorëve të BE-së dhe Britanisë së Madhe, por edhe atyre që kanë leje qëndrimi të lëshuar nga Finlanda. Hyrja e shtetasve të vendeve të treta që vijnë për punë sezonale përmes një shteti tjetër Shengen do të dokumentohet në përputhje me udhëzimet specifike të lëshuara. Një person që arrin në vend duhet të kufizojë kontaktet e panevojshme dhe të vetëizolohet për 14 ditë. Gjatë vetëizolimit personit i lejohet të lëvizë mes vendit të punës dhe vendbanimit, por edhe për arsye tjera thelbësore.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://www.raja.fi/current_issues/guidelines_for_border_traffic

  • FRANCA

Aktualisht Franca ka vendosur t’i ulë masat dramatike të udhëtimeve ndërkombëtare duke mbyllur kufijtë e jashtëm të hapësirës evropiane. Franca ka ulur udhëtimet e këtij vendi. Kufijtë me vendet e Shengenit do t’i hapë më 15 qershor. Shtetasit që janë nga vendet jo-shengen nuk lejohet të hyjnë në Francë, por kjo nuk vlen për shtetet anëtare të Zonës Ekonomike Evropiane, Zvicrës dhe Britanisë së Madhe, por edhe ata që kanë leje të lëshuar nga Franca. Shtetasit britanik që do të hyjnë në Francë, nuk do të kenë nevojë për izolim 14 ditor.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://www.diplomatie.gouv.fr/en/coming-to-france/

  • GJERMANIA

Udhëtarët që vijnë nga shtetet jashtë Shengenit nuk do të lejohen të hyjnë në Gjermani. Hyrja në Gjermani për turizëm është rreptësisht e ndaluar. Qytetarët e BE-së dhe shtetasit e Mbretërisë së bashkuar, u lejohet të kthehen në vendin e tyre të lindjes ose nëse kanë një vendbanim në Gjermani. Kjo vlen gjithashtu edhe për shtetasit që kanë leje qëndrimi afatgjatë, përfshirë vizat e qëndrimit të gjatë. Udhëtimi përmes Gjermanisë për të arritur në një destinacion jashtë Gjermanisë lejohet vetëm nëse nuk ekziston rrugë alternative për udhëtim. Nëse i përmbushni kushtet lejohet që të hyni në Gjermani, nëpërmjet kufirit tokësor dhe më pas të udhëtoni nëpërmjet aeroporteve të Gjermanisë, kjo vlenë edhe për shtetasit që dëshirojnë të kthehen në shtëpi drejt vendit të origjinës. Nëse udhëtarët japin prova për kryerjen e një funksioni të rëndësishme, u lejohet hyrja në Gjermani.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://www.bmi.bund.de/SharedDocs/faqs/EN/topics/civil-protection/coronavirus/coronavirus-faqs.html#doc13797140bodyText3

  • HUNGARIA

Që nga 16 marsi Hungaria i ka mbyllur kufijtë e saj për udhëtarët ndërkombëtar. Vendi pritet të rihapet nga 15 qershori. Më 28 maj Hungaria njoftoi rihapjen e kufijve me Çekinë dhe Sllovakinë, por udhëtarët që do të hyjnë nga këto vende nuk duhet të qëndrojnë më shumë se 48 orë, pasi në të kundërtën mund të përfundojnë në karantinë. Hungaria gjithashtu paraprakisht i rihapi kufijtë me Serbinë dhe Rumaninë, pasi që të dyja vendet filluan të kenë më pak raste.

INFORMATA TË DETAJUARA: http://abouthungary.hu/

  • ITALIA

Prej sot, 3 qershor, lejohet udhëtimi mes rajoneve të Italisë. Gjithashtu lejohet udhëtimi në Itali nga shtete e BE-së, Shengenit, Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlanda e Veriut, Andora dhe Monako. Turistët nuk lejohen të hyjnë në Itali përmes aeroporteve në rajonin e Lombardisë dhe provincat Alesandria, Asti, Modena, Novara, Padova, Parma, Pesaro dhe Urbino Piaceza, Reggio Emilia, Rimini, Treviso-Venecia, Verbano-Cusio Ossola dhe Cerceli.

INFORMATA TË DETAJUARA: http://www.governo.it/it/coronavirus-misure-del-governo

  • IRLANDA

Fluturimet dhe shërbimet e trageteve mes Irlandës dhe Britanisë së Madhe vazhdojnë të funksionojnë, por me një kapacitet të zvogëluar. Rregulloret irlandeze u kërkojnë udhëtarëve që hyjnë në këtë vend adresën se ku do të kalojnë 14 ditët e vetëizolimit. Kjo vlen për të gjitha nacionalitetet, përfshirë edhe shtetasit irlandez. Kjo çështje do të rishikohet më 18 qershor.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://www.dfa.ie/travel/travel-advice/coronavirus/

  • LETONIA

Që nga 15 maji, Letonia i ka rihapur kufijtë me Lituaninë dhe Estoninë. Ata që hyjnë në këtë shtet duhet që të mos kenë simptoma të COVID-19 dhe të mos kenë udhëtuar në 14 ditët e fundit jashtë rajonit të Baltikut. Personat që udhëtojnë për dhe nga Letonia do t’i nënshtrohen karantinës 14-ditore. Kufijtë me shtetet tjera vazhdojnë të jenë të mbyllur deri në njoftimin e radhës nga autoritetet.

INFORMATA TË DETAJUARA: http://www.sam.gov.lv/?cat=8&art_id=9750

  • LIHTENSHTAJNI

Politikat kufitare të Lihtenshtajnit janë të njëjtat me të Zvicrës, për më shumë informata mund të lexoni më poshtë.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://ch.usembassy.gov/covid-19-info-05-22-2020/

  • LITUANI

Vazhdon të jetë e ndaluar hyrja e shtetasve të huaj, përveç atyre të Zonës Ekonomike Evropiane, Konfederatës Zvicerane dhe të Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës dhe personave që banojnë me ligj në këto viende.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://urm.lt/default/en/

  • LUKSEMBURGU

Luksemburgu ka kufizuar hyrjen e të gjithë udhëtarëve që nuk janë shtetas të Luksemburgut dhe familjarëve të tyre që të kthehen në shtëpi. E njëjta vlen edhe për shtetasit e BE-së, Shengenit dhe Mbretërisë së Bashkuar. Përjashtime ka për punonjësit shëndetësor, kufijve, ndihmave humanitare, personelit ushtarak dhe atyre që kanë dokumentacion për të arsyetuar kalimin.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://coronavirus.gouvernement.lu/en.html

  • MALTA

Malta do të fillojë të rihapet prej korrikut. Kryeministri ka njoftuar rihapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Maltës që nga 1 korriku i vitit 2020. Grupi i parë i deviacioneve që do të rihapen janë: Gjermania, Austria, Sicilia, Qipro, Zivcra, Sardegna, Irlanda Sllovakia, Norvegjia, Danimarka, Hungaria, Finlanda, Irlanda, Lituania, Izraeli, Letonia, Estonia Luksemburgu dhe Çekia.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://www.visitmalta.com/en/Covid-19

  • HOLANDA

Kufijtë e Holandës janë të hapura për vendet e Shengenit. Udhëtarët nga vendet me rrezikshmëri të lartë, përfshirë Britaninë e Madhe, do të duhet të plotësojnë një formular për simptomat e COVID-19. Nëse udhëtari ka simptoma, mund t’i refuzohet hyrja. Qeveria shpreson që të jetë në gjendje të sigurojë më shumë informata në lidhje me masat për pushimet verore.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://www.government.nl/latest/news/2020/05/28/press-conference-of-27-may-current-roadmap-of-measures-against-coronavirus

  • NORVEGJIA

Norvegjia është e mbyllur për vizitorët. Ky vendim mbetet në fuqi deri më 20 gusht, ndërkaq autoritetet do të marrin në konsideratë përjashtimet. Nga 15 qershori, norvegjezët që dëshirojnë të udhëtojnë në Danimarkë, për çfarëdo qëllimi do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://www.visitnorëay.com/fhi-infectious-diseases-coronavirus-en/

  • POLONIA

Prej më 15 marsit, Polonia ka ndaluar hyrjen e shtetasve të huaj, ndërkaq shtetasit polak lejohet që të hyjnë në vendin e tyre, por duhet të qëndrojnë në karantinë 14 ditore. Këto kufizime do të zgjatin deri më 12 qershor. Autoritetet polake njoftuan se vendi do t’i zbusë masat e bllokimit të vendosura për shkak të KOVID-19.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://www.gov.pl/web/coronavirus/temporary-limitations

  • PORTUGALIA

Nga 6 qershori, dyert e Portugalisë janë të hapura për turistët. Do të ketë ekipe mjekësore që do t’i kontrollojnë udhëtarët, por nuk do të ketë karantinë të detyrueshme. Megjithatë, të gjithë duhet t’u përmbahen rekomandimeve të autoriteteve.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://www.visitportugal.com/en/node/421189

  • RUMANIA

Më 15 maj Qeveria e Rumanisë njoftoi mbarimin e gjendjes së jashtëzakonshme dhe fillimin e gjendjes së gatishmërisë e cila do të zgjatë 30 ditë, pra deri më 15 qershor. Rumania ka pezulluar të gjitha fluturimet tregtare për në dhe nga Italia, Spanja, Gjermania, Franca, Austria, Belgjika, Zvicra, SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Irlanda, Holanda, Turqia dhe Irani. Prej 1 qershorit, Rumania ka rihapur kufirin me Hungarinë.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://stirioficiale.ro/despre

  • SPANJA

Kufiri aktualisht është i mbyllur për të gjithë, përveç shtetasve dhe rezidentëve spanjoll. Autoritetet spanjolle kanë njoftuar se turistët e huaj do të lejohen të hyjnë duke filluar nga korriku.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://www.mscbs.gob.es/profesionales/saludPublica/ccayes/alertasActual/nCov-China/home.htm

  • SUEDIA

Nga 19 marsi Suedia ka ndaluar hyrjen e të gjithë shtetasve të huaj, të cilët nuk janë pjesë e Zonës Ekonomike Evropiane ose Zvicrës. Ndalimi është në fuqi deri më 15 qershor. Të përjashtuar nga vendimi janë shtetasit që kanë nevoja veçanërisht urrente ose që duhet të kryejnë funksione thelbësore në Suedi. Në Suedi, përveç atyre që kanë nënshtetësi dhe që janë pjesë e Zonës Ekonomike Evropiane mund të hyjnë edhe ata që kanë leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://www.government.se/articles/2020/04/faqs–entry-to-the-eu-via-sweden-banned/

  • ZVICRA

Të huajt (përveç Lihtenshtajnit), lejohet vetëm të hyjnë në Zvicër vetëm nëse kanë punë thelbësore. Zivcra prej 15 qershorit deri më 6 korrik pritet të rivendosë lëvizjen e lirë për shtetasit e zonës Shengen. Deri në këtë datë pritet të merret vendim edhe për udhëtarët jo-evropian në Zonën Shengen. Zvicra planifikon të rihapë kufijtë me Gjermaninë, Austrinë dhe Francën më 15 qershor.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://www.ezv.admin.ch/ezv/de/home/teaser-startseite/brennpunkt-teaser/coronavirus/liste-geoeffnete-grenzuebergaenge.html

  • MBRETËRIA E BASHKUAR

Prej më 8 qershorit, do të ketë rregulla të reja për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar. Mbretëria e Bashkuar i ka të mbyllura kufijtë për shtetasit e huaj. Shtetasit britanik që do të kthehen në vend, duhet që t’i japin kontaktin dhe vendin ku do të qëndrojnë në vetëizolim 14 ditor.

INFORMATA TË DETAJUARA: https://www.gov.uk/uk-border-control

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button