Franc Kafka – shënime biografike

Fajësia është gjendja në të cilën ndodhemi pavarësisht nga faji (Kafka)

E gjithë historia ime është histori e mbylljes së syve (Kafka)

Franc Kafka (Franz Kafka) lindi në 3 korrik 1883 në Pragë, në monarkinë austro-hungareze të atëhershme. Vjen nga një familje çifute e klasës së mesme. Babanë e tij, Herman Kafkën (Hermann Kafka, 1852-1931) biografi amerikan i Kafkës, profesori i gjermanishtes dhe i letërsisë krahasuese StanleyAlanCornogold (1934) e përshkruan si një biznesmen shtatmadh, egoist dhe kryelartë. Ishte pronar i një tregtize luksoze për gardërobë meshkujsh dhe femrash. Ishte tip i njeriut tiran. Nëna e Kafkës quhej Julia (Julie Kafka, 1856-1934). Për dallim nga babai, nëna e Kafkës ishte një grua e urtë dhe e turpshme.

Studiuesit çekë parapëlqejnë të thonë se gjuhë amtare e Kafkës (Frantishek-ut) ka qenë çekishtja. Në shtëpinë e Kafkës flitej mbase varianti i gjermanishtes, nën ndikimin e jidishit (jüdisch) që në mënyrë pezhorative quhet Mauscheldeutsch.Duke qenë se gjuha gjermane konsiderohej mjet kryesor i ngritjes shoqërore, prindërit mbase i nxitën fëmijët që të flisnin në gjermanishten letrare. Pra, gjuhë amtare e Kafkës ishte gjermanishtja. E fliste edhe çekishten. E mësoi edhe frëngjishten.

Për studiuesit çekë, Kafka është shkrimtar çek. Për studiues të tjerë ai është shkrimtar gjerman ngase veprat i shkroi në gjermanisht. Ka të tillë që e marrin për  shkrimtar austriak ngase lindi dhe jetoi në Çekinë që ishte pjesë e monarkisë austro-hungareze.

Në të vërtetë Kafka është hebre me rrënjë ashkenazi, i lindur në Pragë, e që shkroi kryesisht në gjuhën gjermane.

Prindërit kishin gjashtë fëmijë: tre djem dhe tri vajza. Kafka ishte më i madhi prej tyre. Dy vëllezërit vdiqën sa qenë të vegjël, për të mos thënë foshnja: Georgu 15 muajsh, ndërsa Hajnrih (Heinrich) 6 muajsh. Motrat quheshin Gabriele, e mbiquajtur Eli (1889-1941), Valerie, e mbiquajtur Vali (1890-1942) dhe Otilie, e mbiquajtur Otla (1892-1943).

Meqë prindërit ishin të dhënë pas punëve të veta, fëmijët u edukuan prej guvernantëve (mësues shtëpi) dhe shërbëtorëve. Për shkak të mungesës së prindërve, Kafka shpeshherë ndjehej i vetmuar.

Që në fëmijëri, Kafka s’e çonte mirë me babanë. Raporti problematik i tij me të atin dëshmohet nga letra dedikuar atij “Brief an denVater” që ka mbi 100 faqe. Aty shkruan sesi qëndrimi autoritar i babait dhe personaliteti dominues i tij është manifestuar, si në jetën e Kafkës ashtu edhe në shkrimet e tij.

Holokausti dhe tragjedia familjare – Motrat e Kafkës, Valeria dhe Gabriela, bashkë me familjet e tyre vdiqën ose u vranë nga nazistët në geton Lodz. Motra më e vogël, Otilia vdiq më 7 tetor 1943 në dhomën e gazit në Aushvic (Auschwitz). Përpos tri motrave të Kafkës, në kampin nazist Ravensbrück të Gjermanisë, më 17 maj 1944 humbi pa gjurmë edhe e dashura e tij MilenaJ esenska. Në Aushvic të Polonisë, më 26 gusht 1944 u zhduk edhe JulieVoricek me të cilën, sipas disa biografëve, Kafka ka qenë i fejuar. Në vitin 1944 u zhduk në Aushvic edhe Margaret (Grete) Bloh me të cilën Kafka paskësh pasur një djalë.

Arsimimi – Në vitet 1889-1893 Kafka ndoqi shkollën fillore gjermane për djelmosha në Pragë (DeutscheKnabenschule). Ndjekjen e kësaj shkolle ia imponoi babai.

Arsimimi hebraik i tij përfundoi me bar micvin e tij në moshën 13-vjeçare. Kafka nuk kishte dëshirë të shkonte në sinagogë. Aty shkonte me të atin vetëm gjatë festave, d.m.th. katër herë në vit.

Në vitin 1893 u regjistrua në gjimnazin klasik gjerman AltstädterDeutschesGymnasium. Shkollimi në këtë gjimnaz rigoroz zgjaste tetë vjet. Në vitin 1901 Kafka kreu maturën. Njëherazi e mësoi mirë edhe gjuhën çeke.

Shkollimin e vazhdoi duke u regjistruar në degën e kimisë në Universitetin “Karl-Ferdinads” të Pragës. Pas dy javësh, studimet për kimi i ndërpreu dhe iu rrek drejtësisë. Kafka s’e parapëlqente gjithaq as drejtësinë, por i ati ishte i kënaqur me këtë përcaktim të ri. Në të njëjtën kohë Kafka ndiqte me përkushtim edhe ligjëratat nga historia e artit dhe nga letërsia gjermane. U bë anëtar i Klubit për lexim dhe mësim të studentëve gjermanë(Lese und RedehallederDeutschen Studenten). Në klub organizoheshin ngjarje letrare të ndryshme. Aty u njoh me shumë intelektualë të kohës: me gazetarinë i cili studionte filozofinë, FeliksVelç (FelixWeltsch), me artistin JixakLou (YitzchakLowy), i cili vinte nga një familje hasidiste e Varshavës, me shkrimtarët Oskar Baum dhe me romancierin e poetin e mëvonshëm austriak-Bohemi, FrancVerfel (FranzWerfel, 1890-1945).

Kafka e mbante në vete urrejtjen ndaj institucioneve autoritative dhe programeve mësimore që dehumanizonin individin. Kur ishte adoleshent deklaroi se është socialist dhe ateist. Ishte lexues i pasionuar. Duke qenë nxënës dhe student i dalluar, mësuesit dhe profesorët e donin. Lexoi në origjinal, në greqishten e vjetër, dialogun “Protagora” të filozofit antik grek Platonit(427-347 para K.), ndërsa veprat e romancierit francez GystavFlober(GustavFlaubert, 1821-1880) i lexoi në frëngjisht. Adhuronte romancierin dhe novelistin rus FjodorMihajloviç Dostojevski (FedorMihajloviçDostoevskij, 1821-1881), dramaturgun dhe tregimtarin austriak FrancGrilparcer (FranzGrillparzer, 1791-1872) dhe dramaturgun e tregimtarin gjerman HajnrihfonKlajst(HenrichvonKleist, 1777-1811) të cilin e kishte model letrar. Tregonte interesim edhe për veprat e JohanVolfrangGëtes (JohannWolfgangGoethe, 1749-1832). I lexonte edhe shkrimtarët çekë. Lexonte mjaft edhe për prejardhjen e vet hebraike por edhe për çështjen çifute.

Më 8 korrik 1906 Kafka mori titullin e doktorit të shkencave juridike.

Shënim:Protagora(rreth 481-411 para K.) është filozof antik grek, sofist (mësues i virtyteve).

*   *   *

Para mbarimit të vitit të parë, Kafka u njoh me çifutin çek MaksBrod (MaxBrod, 1884-1968) i cili përkiste enklavës kulturore hebraike-gjermane të Pragës që ishte themeluar në vitin 1900. Si i ri, Brodi ishte nën ndikimin e nihilizmittëfilozofit dhe eseistit gjerman ArturShopenhauer(ArthurSchopenhauer, 1788-1860). Në moshë të pjekur përqafoi sionizmindhe mori pjesë vepruese në krijimin e shtetit hebraik. Ai e kishte hetuar se Kafka është njeri tejet i zgjuar. Pas këtij të riu të përmbajtur fshihej njeriu mendjemprehtë. Miqësia midis Kafkës dhe Brodit u bë e përjetshme. Poezitë, tregimet, dramat dhe esetë e veta Brodi i shkroi në gjuhën gjermane. Vdiq në Tel Aviv.

*   *   *

Punësimi – Në vitin 1907 Kafka punoi pa pagesë si praktikant në gjykatën civile dhe penale. Më 1 nëntor 1907 u punësua në kompaninë italiane të sigurimeve “AssicurazioniGenerali”. Punonte prej orës 8.00 derë në orën 18.00. Pas një viti e la punën ngase orari i punës nuk i përgjigjej. Nga letrat e tij shihet se ka qenë i pakënaqur me punën për shkak të gjatësisë së orarit të punës. Për shkak të orarit të gjatë nuk i mbetej kohë që t’u përkushtohej shkrimeve. Në këtë periudhë mund të shkruante vetëm natën, gjë që e lodhte për së tepërmi. Më 15 korrik 1908 dha dorëheqje. Pas dy javësh u punësua në Institutin për Sigurimin e Punëtorëve nga Lëndimet të Mbretërisë së Çekisë. Këtu punonte në kërkimin dhe vlerësimin e kompensimeve të punëtorëve të lënduar të industrisë. Profesori austriak i menaxhmentitPeterFerdinandDrucker (1909-2005) e kreditoi Kafkën si krijues të helmetës së parë civile për mbrojtje. (Kjo e dhënë nuk është dokumentuar). Kafka shumë shpejt përparoi në punë. Tani punonte në procedimin dhe në hulumtimin e kërkesave për kompensim, hartonte raporte dhe merrej me zgjidhjen e apeleve të biznesmenëve të ndryshëm të cilët ankoheshin se kompanitë e tyre janë vënë në kategorinë e rrezikut të madh për shkak të rritjes së premive të sigurimit. Gjatë punës disavjeçare në kompani hartonte edhe raportin vjetor të sigurimit. Orari i punës i përfundonte në orën 14.00. I mbetej kohë edhe për të shkruar, punë së cilës i ishte përkushtuar. Më vonë, sëmundja e pengonte për të shkuar në punë, por edhe për të shkruar.

Pas shumë vitesh, MaksBrodi, për ta bashkuar grupin e shkrimtarëve ku bënin pjesë Kafka, Feliks Velç (FelixWeltsch, Pragë, 1884 – Jerusalem, 1964) dhe vetë ai, krijoi termin Der enge PragerKreis (Qerthulli i ngushtë i Pragës). Që të tre të këtij grupi ishin çifutë. FeliksVelç më vonë u bë filozof, autor, publicist, gazetar.

*   *   *

Nga fundi i vitit 1911, Kafka dhe KarlHerman, burri i së motrës Eli, bëhen partnerë në të parën fabrikë të asbestit në Pragë, të njohur si PragerAsbestwerkeHermann&Co, të çelur me paratë që ia kishte dhënë së bijës Herman Kafka. Në fillim Kafka ishte entuziast, por më vonë nuk e pa me sy të mirë uzinën ngase nuk i mbetej kohë për të shkruar.

Xhelal Zejneli

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button