RMV, Qeveria miratoi Protokollin e ri që duhet të zbatohet në gjithë vendet e punës

Në Seancën e 60-të të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut u miratua Protokoll për masat parandaluese për të gjithë vendet e punës, transmeton Portalb.mk.

“Qeveria e RMV-së në seancën e sotme e miratoi Protokollin për masat parandaluese për gjithë vendet e punës për të parandaluar bartjen e Kovid-19, që vlejnë për gjithë vendet e punës dhe gjithë njerëzit në vendet e punës, siç janë punëdhënësit,  udhëheqësit, punëtorët, kontraktuesit, klientët dhe vizitorët”, raportojnë nga Qeveria.

Protokolli ka të bëjë me higjienën dhe mbrojtjen personale, pajisjet, rekomandimet për higjienën e frymëmarrjes dhe distancën fizike në hapësirat e punës, si dhe reduktimin e udhëtimeve në lidhje me punën. Ky Protokoll planifikon edhe pastrimin dhe dezinfektimin e rregullt të hapësirave të punës.

 

Gjithashtu në seancën e sotme u miratua Dekreti për zbatimin e Ligjit për mbrojtjen në vazhdimësi për operacionet humanitare dhe misionet ndërkombëtarë në NATO.

Qeveria solli edhe Dekret për transportin në komunikacionin rrugor gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme, që i adresohet subjekteve juridike që kryejnë transport të udhëtarëve për nevojat e tyre, ashtu që duhet të jetë numri i udhëtarëve në automjet deri në 50% të kapacitetit të automjetit, duke përdorur maska, doreza dhe mjete dezinfektuese.

Në seancën e sotme, Qeveria shqyrtoi raportin gjashtëmujor në lidhje me mbikëqyrjen e funksionimit të Sistemit automatik kompjuterik për menaxhimin e lëndëve gjyqësore (AKMIS) në gjykatat për  vitin 2019.

Qeveria miratoi edhe Protokollin për kryerjen e testimit të aftësive sportive tek kandidatët për t’u regjistruar në Shkollën e mesme shtetërore “Akademia Sportive”.

Qeveria njoftoi se seanca e 60-të do të vazhdojë të mërkurën, nesër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button