Filipçe: Ende është herët për hapjen e kufijve, me udhëtime rritet rreziku

Kosova dhe Shqipëria tashmë i kanë hapur kufijtë me Maqedoninë e Veriut, ndërsa ministri i Shëndetësisë në RMV, Venko Filipçe vlerëson se akoma është herët të diskutohet për kufijtë, transmeton Portalb.mk.

“Një nga propozimet është që nga java e ardhshme të hapet udhëtimi për anëtarë të familjes ose me interes zyrtar, ekonomik, në kuadër të këtyre vendeve, ndërsa më tutje në periudhën që vijon, pas 15 qershorit, kufijtë të hapen tërësisht”, kishte deklaruar Filipçe javën e kaluar.

Ndërsa ai ka bërë të ditur se, në fund të javës po ashtu, do të vendoset për hapjen e kufijve dhe çerdheve, por vlerëson se tani për tani është akoma shumë herët.

“Mendoj se tani është ende shumë herët për të hapur kufijtë sepse është rrezik shtesë për vendet përreth, nëse udhëtojnë njerëz nga rajone ku ka më shumë pacientë në vendin tonë, dhe natyrisht kur kthehen. Me udhëtimet rritet rreziku i rasteve që, në një farë mënyre, do të sillnin virusin prej vendeve fqinje”, e arsyetoi moshapjen e kufijve ministri Filipçe.

Ai theksoi se po analizojnë numrat dhe do të marrin vendim për kufijtë.

“Mendoj se megjithatë fqinjët do ta shqyrtojnë numrin. Unë sot në mëngjes bisedova me ministrin bullgar dhe i thash se do të diskutojmë këto ditë dhe ne sërish do të dëgjohemi deri në fund të javës”, tha Filipçe.

Në fund të javës së kaluar,ministri i RMV-së dhe ai i Serbisë diskutuan për lehtësimin e masave kufizuese. Ministri serb Ivica Daçiq e njoftoi Ministrinë e Punëve të Jashtme në RMV se nuk kërkohet miratim i veçantë për hyrjen e shtetasve të huaj në Republikën e Serbisë dhe se kalimi i kufirit serb është kthyer në normalitet.

Maqedonia e Veriut është në listën e vendeve që i lejohet hyrja në Greqi prej 15 qershorit.

“Përkundër asaj se Serbia dhe Bullgaria i kanë hapur kufijtë, vlerësojmë se kjo është diçka që duhet të diskutohet në ditë para nesh, në përputhje me të dhënat e reja dhe situatën e re”, deklaroi Filipçe sot.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button