Kushtetuesja publikoi të plotë aktgjykimin për dekretin e mandatarit të Qeverisë së Kosovës

Gjykata Kushtetuese e ka bërë publik të plotë aktgjykimin për dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatarin, duke i hapur kështu rrugë thirrjes së seancës së jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë Hoti, transmeton Koha.net.

LDK-ka, si parti e dytë që ka marrë mandatin për formimin e Qeverisë, ka thënë vazhdimisht se është gati, porse është në pritje të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese.

Kushtetuesja ditë më parë vendosi në favor të dekretit të presidentit, ndërkohë sot në konstatimet e saj, në pikën 2, thuhet se “Vendos të shpallë njëzëri që dekreti (nr. 24/2020) i 30 prillit i Presidentit të Republikës së Kosovës përmes së cilit ‘Z. Avdullah Hoti, i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës’, është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 (shpërndarje e Kuvendit) të Kushtetutës së Kosovës”.

Gjykata Kushtetuese që nga 28 maji ka vendosur në favor të presidentit Hashim Thaçi lidhur me dekretin për formimin e Qeverisë.

Uebfaqja e Gjykatës Kushtetuese ka dy orë që nuk është e qasshme.

Aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese për dekretin Shkarko dokumentin

Në vendosjen e aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese të publikuar sot, në pikën 3 është hequr paragrafi 4 i nenit 95 të Kushtetutës.

Ky është versioni i publikuar javën e kaluar: Gjykata, vendosi: (i) njëzëri që kërkesa e parashtrueseve të kërkesës është e pranueshme; (ii) njëzëri që Dekreti i kontestuar i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës; (iii) me shumicë që Dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafin (14) të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës; (iv) njëzëri që të shfuqizohet masa e përkohshme e përcaktuar përmes Vendimit të 1 majit 2020; dhe njëzëri që të refuzohet kërkesa për seancën dëgjimore, transmeton Koha.net.

Ndërkaq në versionin e sotëm shkruan: III- Të shpallë me shumicë votash, që DEKRETI (nr. 24/2020) i 30 prillit 2020 i Presidentit të Republikës së Kosovës përmes së cilit “Z. Avdullah Hoti, i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës”, është në përputhshmëri me paragrafin (14) të nenit 84 (Kompetencat e Presidentit) në lidhje me nenin 95 )Zgjedhja e Qeverisë) të Kushtetues së Republikës së Kosovës.

Ndërkaq paragrafi 4 i Kushtetutës i cili është hequr nga versioni final thotë: Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button