Koronavirusi e hodhi industrinë e Maqedonisë në negativ në prill

Rezultatet e pafavorshme ekonomike vazhdojnë si rezultat i krizës korona. Nga muaji në muaj, statistika po regjistron rënie gjithnjë e më të madhe të prodhimtarisë industriale dhe numrin e të punësuarve në të. Ndërsa në mars të këtij viti rënia në prodhimin industrial ishte 13.4 përqind, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, në prill prodhimi industrial shënoi rënie rekord prej 33.5 përqind në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Dhe nëse në muajin mars kishte 4.5 përqind më pak të punësuar në industri, në prill minusi ishte 5.1 përqind, krahasuar me të njëjtin muaj në vitin 2019, njofton Portalb.mk.

Sipas rezultateve të publikuara nga Enti Shtetëror Statistikor (ESHS), indeksi i prodhimtarisë industriale në prill të vitit 2020, në krahasim me prillin 2019, ishte 66.5, ndërsa indeksi për katër muaj, nga janari deri në prill të këtij viti, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është 88.8, ose 11.2 përqind më i ulët.

Sipas sektorëve, te minierat dhe guroret në prill të këtij viti, në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ka një rënie prej 17 përqind, në sektorin e prodhimtarisë ulja është 40.5 përqind, ndërsa te furnizimin me energji elektrike, gaz, avull dhe klimatizimi ka një rënie prej 1.1 përqind.

Rënia e prodhimit në industrinë e përpunimit, sipas ESHS-së, është kryesisht rezultat i zvogëlimit të përpunimit të: produkteve ushqimore, pijeve, produkteve të duhanit, tekstilit, prodhimit të veshjeve, produkteve të tjera minerale jo metalike, metaleve, produkteve metalike të fabrikuara, përveç makinerive dhe pajisje e tjera.

Sipas grupeve kryesore industriale, prodhimi në prill 2020, krahasuar me prillin 2019, ka shënuar rënie në mallrat kapitale për 70.8 përqind, mallrat e qëndrueshme për konsum të gjerë për 48.3 përqind dhe mallrat jo të qëndrueshme për konsum të gjerë për 28.5 përqind.

Sa i përket numrit të punëtorëve në industri, indeksi në Prill 2020 ishte 94.9 ose numri i tyre u ul me 5.1 përqind në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Në sektorin e minierave dhe guroreve, pati një rënie prej 1.3 përqind, në industrinë e përpunimit për 5.5 përqind, ndërsa në furnizimin me energji elektrike, gaz, avull dhe klimatizim pasur një rënie prej 0.6 përqind në numrin e të punësuarve krahasuar me muajin prill të vitit 2019.

Sipas grupeve kryesore industriale, te mallrat e qëndrueshme për konsum të gjerë ka 9.2 përqind më pak punëtorë, ndërsa te mallrat jo të qëndrueshme për konsum të gjerë ka 6.8 përqind më pak. Për katër muaj, nga janari deri në prill, indeksi i numrit të punëtorëve në industri është 96, pra numri i të punësuarve është më i ulët për 4 përqind, krahasuar me 4 muajt e parë të vitit 2019.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button