Virusi korona i vetëizoloi disa funksionarë të RMV-së

Deri më tani pesë funksionarë të LSDM-së, Milla Carovska, Damjan Mançevski, Marjan Zabërçanec, Arafat Muaremi dhe Sllavjanka Petrovska, janë deklaruar se shkojnë në vetizolim pasi që kanë pasur kontakt me nënkryetarin dhe deputetin e LSDM-së, Muhamed Zekiri, i cili dje deklaroi se është pozitiv në KOVID-19, bashkë me bashkëshorten e tij dhe foshnjën 3-muajshe. Drejtoresha e DAP-it, Sanja Llukarevska, njoftoi se është infektuar me virusin korona. Pos tyre u vetëizolua edhe kryetari i Çairit, Visar Ganiu, njofton Portalb.mk.

Milla Carovska
Milla Carovska

“E informoj opinionin se prej sot jam në vetëizolim, pasi që dje kolegu Muhamed Zekiri është pozitiv në KOVID-19. Gjatë javës kemi pasur mbledhje të përbashkët në të cilën të gjithë kemi qenë me pajisje mbrojtëse dhe në distancë të rekomanduar. Megjithatë, në pajtueshmëri me anketën epidemiologjike, obligativisht do të mbetem në vetëizolim deri më 9 qershor. Gjatë ditës së djeshme kam bërë test dhe më ka dalë negativ. Deri më tani nuk kam kurrfarë simptoma, gjatë ditës së djeshme kam bërë test i cili është negativ. Punët do t’i vazhdoj t’i kryej prej në shtëpi”, ka shkruar zëvendëskryeministrja, Milla Carovska.

Damjan Mançevski
Damjan Mançevski

“Në pajtueshmëri me rekomandimet e epidemiologëve, për shkak të takimit me mikun dhe kolegun tim Muhamed Zekiri, në dy javët e ardhshme do të jem në vetëizolim. Në mbledhjen janë respektuar të gjitha protokollet shëndetësore, por megjithatë rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë janë më të rëndësishëm dhe patjetër t’i respektojmë”, ka shkruar ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski.

Marjan Zabërçanec, foto: Vanço Xhambaski
Marjan Zabërçanec, foto: Vanço Xhambaski

 “Jam në vetizolim shtëpiak për shkak se të enjten pasdite kam qenë në takim me Zekirin. Në mbledhje janë respektuar të gjitha rekomandimet për distancë fizike, mbajtje të maskës dhe përdorimit të dezinfektuesit. Gjithsesi, për të mënjanuar edhe rrezikun më të vogël, do ta zbatoj vetëizolimin e rekomanduar. Nuk kam asnjë simptomë, do të testohem gjatë javës”, ka shkruar këshilltari i kryeministrit për marrëdhënie me publikun, Marjan Zabërçanec.

Drejtori i Policisë Financiare, Arafat Muaremi

“Të nderuar miq, desha t’ju informoj që këtyre ditëve kam pasur kontakt me Muhamed Zekiri para se të del pozitiv në testimin për COVID-19, prandaj prej momentin kur u informova se është pozitiv jam në Vetëizolim sipas të gjitha protokolleve te institucioneve përkatëse.Nuk kam asnjë simptomë, ndërsa testin për Covid -19 do e bëj brenda kësaj jave. Muhamed bashkë me familjen e tij i dëshiroj shërim të shpejtë. Të dashur miq, ju apeloj që të bëjmë kujdes, si dhe respektimin e masave të përcaktuara nga institucionet përkatëse”, ka shkruar drejtori i Policisë Financiarë, Arafat Muaremi.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, njoftoi se sot edhe zv/ministrja e Punëve të Brendshme, Sllavjanka Petrovska është në vetëizolim.

Pos tyre, sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev u testua dhe ka dalë negativ në KOVID-19. Ai paraprakisht bashkë me Zekirin kanë marrë pjesë në një debat televiziv. Ai nuk njoftoi se do të vetëizolohet.

Janushev - Zekiri
Janushev – Zekiri

Drejtoresha e Drejtorisë për të Ardhura Publike (DAP), Sanja Llukarevska, është infektuar me virusin korona.

Drejtoresha njoftoi se pas lajmit që dje e publikoi Muhamed Zekiri, dhe pas takimeve që i kanë pasur bashkë, ka bërë test për KOVID-19 dhe i njëjti ka dalë pozitiv.

“Nuk kam kurrfarë simptoma dhe tanimë jam në vetëizolim shtëpiak. Nuk mundem të jem e sigurt se në çfarë mënyrë e kam marrë virusin, por të gjithë kontaktet që i kam pasur ditëve të fundit kanë qenë duke i respektuar plotësisht masat për mbrojtje, me maskë, distancë dhe dezinfektim të rregullt. Do t’i ndjekë udhëzimet e epidemiologëve në tërësi dhe pres më shumë informata nga ana e tyre, në pajtueshmëri me anketën që duhet të bëhet. I dëshiroj shërim sa më të shpejt Muhamedit dhe familjes së tij, dhe të gjithë qytetarëve të infektuar”, ka shkruar Llukarevska.

Të dielën Zekiri njoftoi se ka rezultuar pozitiv me COVID-19 së bashku me bashkëshorten dhe vajzën tre muajshe.

“Pavarësisht kujdesit dhe përmbajtjes së rekomandimeve dhe kontakteve minimale me njerëz, dua t’ju njoftoj se unë bashkë me bashkëshorten dhe vajzën tre muajshe kemi rezultuar pozitiv në testimin për COVID 19. Fatmirësisht unë jam jam pa asnjë simptomë por kam rezultuar pozitiv. Edhe njëherë ju bëj thirrje të gjithëve të mos e neglizhoni mundësinë nga infektimi dhe të jeni të kujdesshëm. Nëse keni ndonjë shenjë edhe më të vogël dyshimi mos hezitoni të vizitoni mjekun amë dhe ti nënshtroheni testimit. Njëherit shprehi keqardhje dhe kërkoj falje të gjithëve me të cilët kam pas kontakt ditëve te fundit dhe ndoshta i kam sjelle pa qëllim në situatë të palakmueshme”, ka shkruar Zekiri.

Visar Ganiu

Gjithashtu kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka informuar se do t’i nënshtrohet vetëizolimit, pasi ka pasur kontakt me një person i cili ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

“Dua të ju bëj me dije se këtyre ditëve kam pasur kontakt me person i cili ka rezultuar POZITIV ndaj testimit për COVID-19, prandaj që nga ky moment do të qëndroj në VETËIZOLIM dhe do të veproj sipas protokolleve të institucioneve përkatëse shëndetësore. Të dashur qytetarë, edhe njëherë gjej rastin të ju bëj APEL për kujdes, përmbajtje ndaj masave të parapara dhe trajtim me seriozitet të kësaj tematike dhe sfide sepse gjendja nuk duket aspak e mirë dhe gjithmonë mund të përshkallëzohet për më keq!”, ka shkruar Ganiu.

Paraprakisht, me virusin korona u infektuan edhe kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, deputetja e LSDM-së Keti Smilevska dhe kryetari i Komunës së Çeshino Obleshevës, Goranço KërstevTë gjithë u shëruan.

Ndryshe, rritja e numrave të të infektuarve nga virusi korona në vend në ditët e fundit e ka alarmuar Institutin e Shëndetit Publik (IShP) i cili e ka rritur nivelin e rrezikut në tre qytete: Shkup, Tetovë dhe Shtip.

Të dielën u regjistruan 62 raste të reja me KOVID-19 në vend. Pjesa më e madhe ishin në Shkup 24, Shtip 14 dhe Tetovë 12 të infektuar. Në raportin e të shtunës të Institutit të Shëndetit Publik, Shkupi ishte në të ashtuquajturën “fazën e katërt” e cila definohet si “përhapje e transmetimit në komunitet”, Tetova ishte në “fazën e tretë”, ndërkaq tërë territori tjetër i shtetit ishte në “fazën e dytë”. Prej të dielës, sipas kornizës së Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSh) për shkallën e rrezikut, Tetova është vendosur në “fazën 4”, ndërkaq Shtipi prej “fazës 2” në “fazën 3” e cila definohet si “transmetim i lokalizuar”. “Faza 2” në terminologjinë e Institutit të Shëndetit Publik nënkupton “raste sporadike” dhe në të edhe më tej gjenden tërë qytetet e Maqedonisë së Veriut.

Për informata më të detajuara për situatën me virusin korona, klikoni në këtë link: http://gdi.mk/corona/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button