Hoti: Veprimet e qeverisë në detyrë nuk e ndihmojnë vendin

I mandatuari i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti, ka thënë se veprimet e fundit të qeverisë në detyrë të Kosovës “nuk e ndihmojnë vendin, por e vënë atë në kurth”, njofton REL.

Reagimi i tij vjen pasi qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti të shtunën në mbrëmje zgjeroi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.

“Qeveria e re do të koordinohet me partnerët strategjikë të Kosovës duke hequr çdo pengesë për dialog. Vetëm përmes këtij koordinimi ne e avancojmë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ia heqim Serbisë alibinë për ta zvarritur marrëveshjen për njohjen reciproke”, ka shkruar Hoti në rrjetin social Facebook.

Vendimi i qeverisë së Kosovës ka nxitur reagimin edhe të Përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe për çështje të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak.

Ai ka thënë se këto veprime të njëanshme dëmtojnë rifillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, reagoi ndaj këtyre kundërshtimeve duke shkruar në rrjetin social Facebook, se”refuzimi i parimit të reciprocitetit është mohim i ushtrimin të të drejtave sovrane të Kosovës”.

Heqja e masave të reciprocitetit është kërkuar edhe nga Shtetet e Bashkuara, pasi kanë thënë se ato paraqesin pengesë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria Kurti e ka hequr tarifën ndaj mallrave serbe duke e zëvëndësuar atë me masat e reciprocitetit.

Mirëpo, Serbia ka thënë se nuk do të ketë vazhdim të dialogut pa u shfuqizuar të gjitha masat, përfshirë reciprocitetin.

Dialogu Kosovë-Serbi, i cili ka nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, është ndërprerë qysh në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u kishte vënë Qeveria e atëhershme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button