ANALIZË: Më pak para për ndërtesat shtetërore, shkollat dhe sallat sportive! (I)

Buxheti i krizës i ka vënë “nën thikë” shpenzimet kapitale në pothuajse të gjitha ministritë, agjencitë dhe institucionet e tjera shtetërore. Portalb.mk përmes dy analizave të njëpasnjëshme, do të skanojë gjendjen e shpenzimeve kapitale të parapara në buxhetin e ribalancuar. Nga cilat ministri dhe institucione sa është shkurtuar dhe mbi çfarë baze. Nën thjerrë është “Komponenta zhvillimore” e buxhetit që i përfshin investimet publike.

Buxheti i krizës – zvogëlim i shpenzimeve kapitale.

Përmes Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë, mjetet për aktivitete që lidhen me punimet e ndërtimit dhe rikonstruimet e objekteve qeveritare, me buxhetin e ribalancuar janë zvogëluar për tre herë dhe arrijnë vlerën prej 119.000 euro, ndërsa vitin e ardhshëm është planifikuar të rriten për katër herë. Janë përgjysmuar edhe mjetet për ndërtimin dhe rikonstruimin e ndërtesave administrative të Organeve të shtetit dhe me buxhetin e ri ato janë në nivelin prej 2.4 milion euro.

Përmes Komponentës zhvillimore të Buxhetit, parashikohen më pak para edhe për Ministrinë e Mbrojtjes, konkretisht në shpenzimet kapitale për modernizimin e Ministrisë së Mbrojtjes, fondet janë zvogëluar nga 3.6 milion euro në 3 milion euro, ndërsa zvogëlim më të konsiderueshëm ka edhe te zëri “ndërtimi dhe rikonstruimi i objekteve dhe infrastrukturës”, i cili tani është projektuar në 2.6 milion euro.  Më shumë se gjysma e mjeteve për integrim në NATO janë përgjysmuar, nga 29.7 milion euro në 13 milion euro.

Janë shkurtuar edhe shpenzimet kapitale në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kështu që për Reformën e policisë tani janë paraparë 8.1 milion euro, për rikonstruimin dhe pajisjen e ndërtesave pothuajse 980.000 euro.

Më shumë se dyfish janë zvogëluar edhe paratë në Ministrinë e Punëve të Jashtme – komponentën zhvillimore. Kështu, për integrimin në NATO, paratë janë zvogëluar nga 255.000 euro në vetëm 114.000 euro.

Shkurtim të madh ka edhe te shpenzimet kapitale për gazifikimin përmes Ministrisë së Ekonomisë, konkretisht, për këtë projekt me Buxhetin e krizës janë planifikuar vetëm 18% e parave që ishin paraparë paraprakisht. Kështu, tani për gazifikimin përmes kësaj ministrie janë ndarë 350.000 euro, para të cilat janë dedikuar për investime shtesë dhe shpenzime për projekte që janë në vazhdim – Gazsjellësi magjistral Shtip-Negotinë, Negotinë-Manastir dhe Shkup-Gostivar, si dhe shpenzimet ër projektet e ardhshme nga ky segment.  Zvogëlim  prej 6.4 milion eurosh ka edhe te shpenzimet kapitale në   Drejtorinë për Zonat për Zhvillim Teknologjik Industrial.

Një ulje të caktuar ka edhe te zërat zhvillimorë në Ministria e Mjedisit Jetësor, kështu që për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e Liqenit të Dojranit, tani parashihen 764.000 euro, ndërsa për sistemin e kolektorit në Ohër dhe Strugë, mjetet nga 2.4 milion euro janë zvogëluar në 1.8 milion euro. Për ndërtimin e muri mbajtës në lumin Shkumbin – Shipkovicë, Tetovë, shuma është e pandryshuar dhe arrin në 81.300 euro.

Te Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, ka zvogëlim të mjeteve për ndërtimin dhe rikonstruimin e ndërtesës administrative, ndërsa fondet për ndërtimin e banesave sociale mbeten në të njëjtin pozicion prej 3 milion eurosh, e po ashtu nuk ka ndryshuar as zëri për “Projektin për lehtësimin e tregtisë dhe transportit”.  Ka një zvogëlim minimal te shpenzimet kapitale për ujësjellës dhe kanalizim, si dhe në projektin për furnizim me ujë dhe ujërat e zeza.  Ajo që është me rëndësi është se përmes kësaj ministrie, shuma për gazifikimin mbetet “e paprekur” në nivelin prej 16.8 milion euro, e po ashtu nuk ka ndryshuar as shuma për ndërtimin e infrastrukturës në zonën industriale Vizbegovë – e projektuar në 1.6 milion euro. Nga ana tjetër, dukshëm janë zvogëluar shpenzimet kapitale për investime në infrastrukturën hekurudhore, të parashikuara tani në 30.6 milion euro.

Me Buxhetin e krizës “e pësuan” edhe disa shpenzime kapitale të Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale. Kështu, janë zvogëluar mjetet për ndërtimin, pajisjen dhe mirëmbajtjen e objekteve për mbrojtjen e fëmijëve dhe për objektet për mbrojtje sociale dhe shtëpitë për të moshuarit, ndërsa në të njëjtin nivel janë paratë për inkurajimin e punësimit.

Me Buxhetin e krizës, “e pësuan” edhe shpenzimet kapitale të Ministrisë së Arsimit, kështu që këtë vit do të shpenzohen më pak para për ndërtimin dhe rikonstruimin e shkollave fillore dhe të mesme, për ndërtimin e sallave sportive në shkollat fillore dhe të mesme. Për rikonstruimin e konvikteve të shkollave shuma nuk ka ndryshuar, ndërsa për ndërtimin dhe rikonstruimin e konvikteve të studentëve paratë pothuajse janë përgjysmuar në nivelin prej 1.2 milion euro. Përmes kësaj ministrie, buxheti i ri parashikon para për përkthimin e librave nga autorë të njohur – zë ky i cili nuk ka ekzistuar në buxhetin e deritanishëm dhe tani arrin pothuajse në 654.000 euro.

Më pak para për shpenzime kapitale do të ketë në dispozicion edhe Ministria e Administratës dhe Shoqërisë Informatike, kështu që mjetet për zhvillimin dhe zbatimin e TIK-ut në vend janë zvogëluar më shumë se dyfish dhe tani ato janë në nivelin prej 1.5 milion eurosh.

Në vazhdimin tjetër të kësaj teme – nën thjerrë do të jenë investimet kapitale të ministrive të tjera – Financave, Shëndetësisë, Kulturës, Drejtësisë, si  dhe gjendja me shpenzimet në disa prej agjencive, drejtorive dhe institucioneve të tjera shtetërore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button