fbpx

Kur shqiptarja flet me gojën e Gruevskit

Se skena politike në Maqedoni është bërë një perverzitet i padurueshëm që prej momentit kur shpiket subjekti politik që thirrej në emrin e çlirimtarëve,nuk është lajm, por lajm është kur ky subjekt i çlirimtarëve flet me gojën e Gruevskit. E them kështu dhe jam i bindur që askush nuk mund të më kundërshtojë.

Sot zv.kryeministrja për eurointegrime me një material të përgatitur nga zyra propaganduese e Nikolla Gruevskit,doli në konferencë për shtyp. Nuk e di se ç’më erdhi një mendim,se kjo zv.kryeministre ndoshta pas të gjitha këtyre manipulimeve që i dëgjuam vitin e fundit,se mos ndoshta do të pendohet dhe në këtë konferencë për shtyp duke i shikuar drejt në sy popullin e gjorë, do ta pranojë dështimin,do të kërkojë falje dhe si obligim moral dhe njerëzor do të jep dorëheqje. Ndodhi pikërisht e kundërta,Teuta Arifi nuk kërkoi falje,si mashtruese me përvojë na shikoi drejt në sy dhe na gënjeu edhe njëherë,ndërsa për dorëheqjen as që bëhet fjalë,mendova: Populli mund të jep dorëheqje, Teuta Arifi JO.

Nëpërmjet kësaj sarkazme, desha simbolikisht të përshkruaj paturpësinë që ndoshta edhe është e pa përshkrueshme. Teuta Arifi me direktivë të shefit të saj,dështimin e kishte patjetër ta proklamojë si sukses,ajo tha:

”Kjo nuk është dështim përkundrazi mosmarrja e datës është sukses sepse Brukseli na tha që Maqedonia i ka plotësuar të gjitha kushtet, por duhet edhe të raportohet për raportet e mira ndërfqinjësore si kriter politik,por edhe të raportohet për përparimin e çështjes së emrit”,-një perversitet i shkëlqyeshëm. Zonjë Teuta Arifi sqaroju shqiptarëve se me këtë a mos po doni të thoni që problem është vetëm te raportimi?!E pse nuk e paskeni bërë raportimin?Ndoshta se aty duhet të shkruani që përgjegjës për prishjen e raporteve ndërfqinjësore është shefi yt,natyrisht një gjë të tillë ju nuk keni guxim ta bëni. E për dy-tre muaj do të gjeni një përkthyese që do ta shkruaj këtë fjali!

Kjo është e pafalshme,na keni turpëruar si komb me këto komente,shkojmë më tutje,rikujtohemi çka thatë dje:Nga Brukseli pres që kësaj radhe të jenë korrekt me rastin e Maqedonisë,një refren i cili është dëgjuar nga armiqtë e Brukselit si Serbia,shtetet lindore etj,ndërsa në Maqedoni e kemi dëgjuar nga kryeministri Gruevski,presidenti Ivanov,ministri Popovski dhe për çudi edhe nga ajo që sillej si mikesha e Brukselit,Teuta Arifi dhe nga bashkpartiaku i saj, rrogëtari me mujore fikse Fatmir Besimi. Zonjë Teuta Arifi sqarojuni shqiptarëve edhe këtë:Kur paska qenë Brukseli jokorrekt që ju kësaj radhe pritni të jenë korrekt?!

Zonjë Teuta Arifi, unë Besim Jashari publikisht distancohem nga deklarimet tuaja,për mua Brukseli është miku i dytë i shqiptarëve pas SHBA-ve,dhe unë si shqiptar nuk rreshtohem në anën e armiqve të Brukselit dhe Europës.

Dhe për në fund prej sot e tutje ju për shqiptarët nuk jeni më Zonjë,ju jeni shërbetore e shumë shefave sllav dhe biografia e “suksesit” tënd nga një sekretareshë e thjeshtë sllave në zv.kryeministre sllave, do të jetë biografia më e mirë se si nuk duhet të veprohet në jetë,sepse ju arritët të bëheni zv.kryeministre sllave duke punuar 20 vjet për interesa sllave dhe asnjë ditë për interesat e popullit tënd.

Besim Jashari
Magjistër i diplomuar i Shkencave politike dhe Diplomacisë në USHT

Lajme të ngjashme

Back to top button