Filloi gjendja e katërt e jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Sigurisë është sjell vendim për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme në vend edhe për 14 ditë të tjera. Këtë e bëri publike vetë presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, shkruan Portalb.mk.

“Vendimi për gjendjen e jashtëzakonshme është marrë me qëllim që t’i mundësohet Qeveris që më lehtë dhe më mirë bashkë me institucionet shëndetësore të mund të përballen me pandeminë, dhe kjo nuk ka kurrfarë lidhje me datën për mbajtjen e zgjedhjeve”, deklaroi Stevo Pendarovski, president i shtetit.

Ndryshe, duke filluar që nga 18 marsi, presidenti deri më tani ka shpallur katër herë gjendje të jashtëzakonshme, dy herë nga një muaj, më 15 maj gjendja u vazhduar edhe për 14 ditë dhe dje u vendos që të vazhdohet edhe për 14 ditë të tjera, për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve ditëve të fundit. Asnjëri vendim nuk është konfirmuar nga Kuvendi pasi që i njëjti është i shpërndarë dhe për atë nuk mund të mblidhet. Kuvendi sipas të gjitha gjasave nuk do t’i konfirmojë edhe pas mbarimit të gjendjes së jashtëzakonshme.

Pasi të mbarojë periudha e gjendjes së jashtëzakonshme, duhet të vazhdojnë veprimet zgjedhore, kështu që sipas parashikimeve votimi duhet të mbahet 22 ditë pas prej ditës së shtunë.

Partitë politike akoma nuk kanë vendosur për datën e mbajtjes së zgjedhjeve. Pozicionet e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së në lidhje me këtë çështje janë të kundërta. Nga kabineti presidencial, kanë deklaruar se presidenti, pret përafrimin e qëndrimeve të partive, për thirrjen e një takimi të re për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve.

“Presidenti do të thirr takim të liderëve, nëse ka përafrim të qëndrimeve të partive”, kanë thënë nga kabineti i presidentit Pendarovski.

LSDM, propozon që zgjedhjet të mbahen në muajin qershor, me argumentin se zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur, që të sigurohen institucione tërësisht funksionale. Ndërkohë, VMRO-ja opozitare, e cila në takimin e liderëve propozoi tre termine: 23, 30 gusht dhe 13 shtator, nuk lëshon pe nga pozicioni i saj se zgjedhjet nuk mund të mbahen në qershor, për shkak të pandemisë së koronavirusit, shkruan Portalb.mk.

Liderët partiak kanë zhvilluar dy takime te presidenti, Stevo Pendarovski, më 12 dhe 18 maj,në përpjekje për të caktuar një datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, megjithatë kanë dështuar në arritjen e një marrëveshje për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kujtojmë se, zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin paraparë që të mbaheshin më 12 prill, por u anuluan për shkak të paraqitjes së koronavirusit. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button