Pasi e shkarkuan, Rexhepi publikoi letër dorëheqjeje: Ndaj meje u zhvillua fushatë jocivilizuese

Ish kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Sulejman Rexhepi, dy ditë pasi është shkarkuar nga detyra e reisit, sot vetë ka publikuar një letër dorëheqjeje, në të cilën nuk i ka përmendur arsyet e largimit. Ish bashkëpunëtorëve ju uroj sukses, por u ankua se në opinion kanë qarkulluar dezinformata dhe fushatë jocivilizuese ndaj tij, njofton Portalb.mk.

“Kohëve të fundit në opinion qarkulluan një sërë dezinformatash dhe u zhvillua një fushatë të cilën unë e vlerësoj jocivilizuese që kishin të bëjnë me personalitetin tim e që hodhën hije mbi aktivitetin dhe angazhimin tim në krye të BFI-së në RMV. Si prijës fetar dhe njeri, jam thellësisht i prekur nga kjo fushatë denigruese, por në asnjë çast nuk e kam kontestuar të drejtën e askujt të shpreh mendimin dhe opinionin e vetë duke u mbështetur në faktin se gjykatësi i vetëm dhe përfundimtar i veprave dhe veprimeve të çdo njeriu është dhe do të mbetet vetëm Allahu Fuqiplotë.”, thotë Rexhepi në letrën e tij.

Ai më tej shton se jep dorëheqje të parevokueshme, ndërkaq BFI-së dhe besimtarëve ju uron fat, paqe dhe dashuri.

“Përmes kësaj komunikate timen, e njoftoj opinionin e gjerë se jap dorëheqje të parevokueshme nga posti i Reisul Ulema të BFI në RMV duke theksuar se për punën time deri në këto momente mbaj përgjegjësi përpara Zotit dhe Ligjit. Bashkësisë Fetare Islame, për unitetin e së cilës kam punuar përherë e të cilën e ndiejë si pjesë përbërëse të jetës sime, i dëshiroj sukses dhe punë të mbarë në të ardhmen kurse besimtarëve ju uroj fat dhe ju dëshiroj që paqja, dashuria dhe mëshira e Allhut t’i përcjellë kudo që janë”, thotë Rexhepi.

Ndryshe, Riaseti i Bashkësia Fetare Islame më 27 maj në mbledhjen e jashtëzakonshme me shumicë prej dy të tretave e ka shkarkuar nga funksioni kreun e tyre, Sulejman Rexhepi i cili u zgjodh në vitin 2007 kryetar dhe deri më tani disa herë u rizgjodh me mandat 5-vjeçar.

Deri në përgatitjen e zgjedhjeve, u.d. detyre do të jetë myftiu i Gostivarit, Shaqir efendi Fetahu.

Pavarësisht se Riaseti nuk tregoi për arsyet e shkarkimit të Rexhepit, kjo procedurë erdhi disa ditë pasi që Rexhepi u martua me një vajzë 50 vjet më të re, akt i cili u përfol dhe pati komente negative në rrjetet sociale dhe media.

Rexhepi u shkarkua në bazë të nenit 36 të kushtetutës së BFI-së, në të cilin thuhet se kryetari i BFI-së shkarkohet kur “nuk i kryen obligimet për të cilat është zgjedhur, kur qëndrimi dhe puna e tij është në kundërshtim me normat islame dhe aktet normative të BFI, kur punon kundër dispozitave dhe vendimeve të organeve kompetente të BFI, kur keqpërdor pozitën në dëm të interesave të BFI-së.

U.d. kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir efendi Fetahu, në një deklaratë për Portalb.mk, tha se BFI-ja ka vendosur që të mos i publikojë arsyet e shkarkimit të Sulejman Rexhepit, i cili deri sot në mëngjes udhëhiqte me BFI-në.

“Ne i dhamë vetëm sipërfaqësisht disa punë dhe diçka tjetër nuk kishte nevojë. Krejt opinioni e di se përse është shkarkuar, janë të kënaqur që është marrë ky vendim. Nuk dëshironim që të zgjerohemi, nuk kemi nevojë, këto janë punë të brendshme të Bashkësisë Islame. Mjafton aq”, tha shkurt për Portalb.mk Fetahu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button