Mosmarrja e datës, përgjegjësia kërkohet në BDI

Partitë shqiptare njëzëri kërkojnë përgjegjësi për mos marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE-në, pas vetove që morri dje Maqedonia. PDSH e Menduh Thaçit kërkon që BDI të ndërmerr hapa konkret për, siç thanë, dështimin e integrimeve, duke lëshuar Qeverinë.

“Dje qytetarët e Maqedonisë morën një përgjigje shumë konkrete, shumë të qartë për sa i përket integrimit të Maqedonisë në BE. BDI pas këtij dështimi, përfundimisht duhet të ndërmer diçka konkrete, BDI duhet ta lëshojë Qeverinë. Alibija se Greqia po bllokon, deri tani që ka ekzistur, tanimë nuk ekziston. Dje ui bindëm të gjithë se nuk bllokon vetëm Greqia, por bllokon edhe Bullgaria, bllokon edhe Franca, bllokojnë edhe shtetet tjera anëtare të BE. Inskenimi i incidenteve për të frikësuar Evropën për një destabilizim të Maqedonisë në qoftë se nuk i jepet data për fillim të bisedimeve edhe kjo dështoi, Evropa nuk u frikësua nga këto inskenime që si duket veç mësuar më nga Qeveria e Maedonisë që ti bëjë para çdo samiti të BE-së” – tha Imer Aliu, deputet i PDSH-së.

Rilindja Demokratike Kombëtare ka kërkuar llogari nga zëvendës kryeministrja për eurointegrime Teuta Arifi dhe politikat e saja kreative të cilat na lanë pa datë për bisedime.

“Është evidente pas përgjigjes së marrë për bllokimin e proceseve integruese të Maqedonisë, ky koalicion qeveritar dështoi, dështoi BDI në procesin e integrimit. Edhe pse i mori votat e shqiptarëve që të na shpijë në proceset integruese, ajo na la rrugëve. Ne shtrojmë pyetje të hapur ku është ajo politikë proaktive-kreative që ofroi Teuta Arifi lidhur me zgjedhjen e procesit integrues dhe të gjitha këto qasje proaktive dhe kreative përfunduan me një zgjidhje reaktive dhe retrograde për integrimin  e vendit në BE” – tha deputeti i RDK-së Izet Zeqiri.

Ndërkohë edhe deputetja e BDI-së Ermira Mehmeti Devaja konsideron se përgjegjësia bie mbi BDI-në si bartëse e proceseve eurointegruese.

“Gjithsesi se duhet të ketë një vlerësim në parti. Nuk mund të mohohet fakt se jemi bartës të përgjegjësisë për proceset, meqenëse drejtojmë me resorët integrues, por për momentin nuk ka pasur paralajmërim, as nuk ka pasur informatë për ndonjë mbledhje eventuale të organeve partiake. Nëse kjo do të ndodhë së shpejt do të njoftoheni gjithsesi” – tha Mehmeti Devaja.

Ndërkaq zëvendës kryeministrja për eurointegrime Teuta Arifi na porositi sot të mos dëshpërohemi dhe të vazhdojmë me optimizëm./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button