fbpx

Hatri në politikë e len një popull me barrë

Atij që ia do të mirën, thuaja të vërtetën në sy!

Populli i Kosovës ka nevojë për shtet të së drejtës, por edhe për strateg, lider vizionar, udhëheqës që nuk i shndërron qytetarët në fshesë të gabimeve të veta dhe të bashkëpunëtorëve. Kanë perënduar qëmoti kohët e Matija Gubecit dhe të Pavlit të Maksim Gorkit.

I nderuar Albin, ty të nderon dhe përkrah shumica e shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve të tjerë kudo që janë, sepse besojnë se je i pakorruptuar dhe i pakompromis kundër klaneve mafioze e kriminale, që ua kanë zënë frymën një kohë të gjatë, lirisë dhe progresit, qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. Por, edhe ti dhe bashkëpunëtorët duhet të mësoni nga gabimet e të tjerëve dhe sidomos nga gabimet tuaja, në rrugën e gjatë të veprimtarisë politike.

Ti dhe disa të tjerë, gabuat kur u rreshtuat kundër Marrëveshjes së Rambujesë, pa e njohur mirë strategjinë dhe filozofinë politike të diplomacisë perëndimore, sidomos të asaj amerikane, se ajo lëvron në dy krahë, ndërsa mësuesit tuaj ideologjikë kanë lëvruar vetëm në një krah dhe shumë cekët, në përmasa ideologjike, jo në përmasa të aspiratave kombëtare.

Ju gabuat edhe me qëndrimin kundër Gjykatës Speciale, e cila do të bindeni së shpejti, se pikërisht juve, më tepër se çdokujt tjetër do t’ua hap rrugën në të ardhmen për ta qeverisur Kosovën, me sa më pak politikanë të korruptuar, kriminelë dhe agjentë të huaj, të shitur para popullit me etiketë të rrejshme “atdhetarësh”.

Ju gabuat kur u futët në lojë me kryekomunistit jugosllav, Isa Mustafën, keqpërdoruesin e Fondit të Qeverisës së Kosovës dhe të veglës qorre të komandantëve të Rognerit, ish bashkëpunëtorit të regjimit okupator serb, për ta bërë qeverinë e re, duke harruar se ujku qimen e ndërron, jo edhe zanatin. Sikur të kishit marrë për bashkëqeverisje një krah nga klani i pushtetit të mëparshëm, do ta kishit bluar politikisht atë në mënyrë të dobishme, që sot të kishit përballë më pak kundërshtarë dhe oponentë politik tepër më të dobët. Politika pa strategji dhe taktikë nuk mund të sjellë rezultate të dobishme!

Ju gabuat që mbajtët afër individë të dështuar dhe komprometuar politikisht, pasues, nxitës dhe frymëzues të neootomanizmit dhe marksistë-leninistë të sëmurë ideologjikisht, që i kishin hedhur në plehra edhe miqtë e tyre të pushteteve të mëparshëm, pasi i kishin shtrydhur mirë përmes SHIK-ut dhe shërbimeve sekrete të huaja!

Ju gabuat, që Kosovën pa u bërë shtet me njohje të plotë ndërkombëtare dhe anëtar i OKB-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, kërkuat me aq pompozitet bashkimin e saj me Shqipërinë, siç kishte bërë LPK-ja menjëherë pas Luftës, me organizimin e peticioneve, pa mësuar asgjë nga politika dhe diplomacia, si ruhet e forcohet kjo frymë, si mund të realizohet kjo ide, ky ideal i shumë brezave të sakrifikuar për liri dhe bashkim kombëtar, sa për t’i dhënë në dorë Serbisë armën e propagandës nëpër botë, se shqiptarët e Kosovës nuk duan shtet të tyre të pavarur, siç ua kanë krijuar SHBA dhe NATO, por duan ndarje në vija të etnike mes tyre dhe serbëve, prandaj, Kosova duhet të ndahet mes Shqipërisë dhe Serbisë!

Ju gabuat, që djemtë e rritur në barrikada me Lëvizjen Vetëvndosje, i zëvendësuat me politikanë shëtitës, të harxhuar e të komprometuar, duke u shërbyer kështu kundërshtarëve tuaj politik dhe duke e dobësuar nga brenda Lëvizjen Vetëvendosje!

Për fisnikërinë, urtësinë, çiltërsinë, pastërtinë e figurës, ty dhe një grupi të ngushtë të bashkëpunëtorëve, si politikanë të pakorruptuar, qytetarët e Kosovës dhe votuesit do t’i keni pranë gjithmonë në betejat e radhës, por, mos e lodhni popullin me fajin tuaj dhe të bashkëpunëtorëve, për mungesë të liderit vizionar dhe strateg, siç i duhet sot skenës politike të Kosovës.

Së paku mësoni për të ardhmen, askush nuk ka lindur perfekt; afroni pranë vetes këshilltarë më të mirë se këta që keni mbajtur deri më sot; jo vetëm për të ardhur ju në pushtet, por për të mirën e Kosovës dhe të ardhmen e saj më të mirë, për shtet ligjor, demokratik dhe të pavarur!

Kosova nuk ndërtohet dhe forcohet gjithmonë përmes protestave, por duke e respektuar pikë për pikë Kushtetutën dhe ligjet (kur ka nevojë edhe mund të ndryshohen), mbi parimet e demokracisë parlamentare. Kosovës i duhen sa më parë zgjedhje të reja parlamentare, siç mendon edhe Ti dhe shumë mendje të tjera të ndritura, për ta shkulur me rrënjë korrupsionin dhe krimin e organizuar, që me dekada ia ngulfat shtetit të Kosovës rrugën e zhvillimit dhe progresit, e largon përditë e më tepër nga idealet e dëshmorëve të rënë për lirinë dhe shtetin e pavarur të Kosovës, nga aleatët e dëshmuar dhe miqtë e sinqertë të popullit shqiptar dhe të Kosovës.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close