Rasti 27 Prillit, Prokuroria i vlerësoi si të pabaza ankesat e të akuzuarve

Prokuroria e lartë publike-Shkup i refuzoi ankesat e të akuzuarve të rastit të 27 Prillit, të parashtruara në debatin publik këtë javë në Gjykatën e Apelit, transmeton Portalb.mk.

“Prokuroria e lartë publike-Shkup pasi studioi aktgjykimin e shkallës së parë dhe materialet tjera nga lënda, propozoi që të refuzohen si të pabaza ankesat e të akuzuarve”, njoftoi Prokuroria.

Seanca vazhdoi sot me deklaratat e një pjese të mbrojtjes. Ata theksonin pjesë të aktgjykimeve, të cilat, sipas tyre janë absurde, nuk ka dëshmi të mjaftueshme ose nuk janë të sqaruara mirë.

Prokuroria e vlerësoi rastin e ’27 Prillit” si një skenar mirë të menduar, veprime të organizuara dhe të sinkronizuara, ku të akuzuarit kishin role paraprakisht të përcaktuara.

Ndryshe, i akuzuari Aleksandar Vasilevski – Ninxha, dje deklaroi para këshillit gjyqësor se ka marrë kërcënime nga shoqëruesit e bashkëshortes dhe gruas së Mitko Çavkovit (ish-drejtor i Byrosë për siguri publike), derisa është dërguar në gjykatë. Ninxha tha se ka marrë kërcënime edhe nga Çavkovi ditën e shqiptimit të aktvendimeve.

Avokati i Çavkovit, Sashko Dukovski, lidhur me këtë çështje, tha se nuk ka pasur kurfarë kërcënimesh sepse në seancë dje nuk ka qenë askush nga familjarët e Çavkovit.

“Ai është një skenar i njëjtë, për të cilin disa morën tetë vite burg, ndërsa të gjithë të tjerët 15 vite. Bashkëpunim me prokurorinë. As kërcënim, asgjë. Kush kujt do t’i kërcënohet. Përse janë komandantët këtu për të intervenuar. Kush e ka mizën nën kapelë, tregon. Nuk bëhet fjalë për kurfarë kërcënimi”, deklaroi Dukovski për pohimin e Aleksandar Vasilevskit – Ninxhës.

Ndërkohë, Gjykata Penale-Shkup dje vendosi që seanca e radhës për këtë rast të mbahet më 2 qershor në ora 10:00.

Seanca publike para Gjykatës së Apelit Shkup e caktuar për më 27, 28 dhe 29 maj të këtij viti, për lëndën e njohur në opinion si “27 Prilli” do të mbahet në Sallën e madhe solemne të Gjykatës supreme të RMV-së, informojnë nga Gjykata e Apelit Shkup.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button