Arifi: Vendi nuk mori datë por ende duhet të jemi optimist

Për zv/kryeministren për çështje evropiane Teuta Arifi, mos caktimi i datës së bisedimeve me Bashkimin Evropian nuk është çështje për të cilën duhet të dëshpërohemi.  Ajo u tha sot gazetarëve se përcaktimi i një kornize të qartë të bisedimeve aderuese për Maqedoninë nga Këshilli i Bashkimit Evropian është një suksesi të ri në procesin e euro integrimeve të vendit tonë. 

“Pas 4 viteve të status-quo në këtë proces, mbrëmë këshilli i ministrave të Bashkimit Evropian, vendosi një kornizë të qartë për negociatat aderuese të Republikës së Maqedonisë, e cila është me rëndësi thelbësore për procesin e integrimit evropian të vendit tonë” tha ajo, duke theksuar se në pajtim me këtë kornizë, është e paraparë që negociatat aderuese të fillojnë në bazë të raportit të përgatitur të Komisionit Evropian në tre mujorin e parë të vitit 2013 për arritjet e Maqedonisë.

Gjatë kësaj periudhe, Maqedonia duhet të tregojë rezultate të mira edhe në marrëdhëniet me fqinjët, shkurt thënë të zgjidh çështjen e emrit.  

Portalb pyeti çfarë do të ndodh nëse nuk zgjidhet emri deri në pranverë?
“BE jep një hapësirë më të gjerë dhe më tolerante për të pasur mundësi që edhe të përparojmë por edhe të kemi atmosferë të mirë ti adresojmë çështjet dhe tema të cilat janë të vjetra dhe jo të lehta për t’u adresuar” u përgjigj Arifi.

Ajo shprehet e kënaqur se BE-ja nuk ka përdorur vokabularin e kushtëzimit por ka dhënë kornizë në kuadër të së cilës Maqedonia do të përgatis edhe negociatat së bashku me BE por do të ketë mundësi për të zgjidhur edhe emrin.

Mirëpo, deri kur do të vazhdojë optimizmi i Maqedonisë duke marrë parasysh se nuk e fituam datën? 

“Është shumë e qartë se ne kemi një problem bilateral i cili qëndron ndërmjet datës, mirëpo Bashkimi Evropian gjeti një mënyrë kreative për ta adresuar edhe çështjen e datës po edhe mënyrën se si të arrihet deri te data. Optimizmin gjithsesi duhet ta bazojmë në punën tonë, nuk kemi ku ta bazojmë tjetër përveç se në punën tonë, në angazhimin tonë të përgjithshëm por edhe në besimin tonë në vlerat e përbashkëta” tha Arifi.

Mbrëmë Këshilli i BE-së, serish nuk arriti të sigurojë datë për negociatat e Maqedonisë, Greqia dhe Bullgaria bllokuan fuqishëm çdo mundësi për të ndodhur kjo. 

Komisari për zgjerim Stefan Fyle tha se kjo është një mundësi plus për vendin dhe të njëjtën duhet ta shfrytëzojë që të nisin bisedimet në pranverë. Edhe MPJ ka mbështetur konkluzat e Këshillit të BE-së

Maqedonia që nga viti 2006 kur u bë vend kandidat pret para dyerve të Bashkimit Evropian, koha kalon, vendet fqinje përparojnë ndërsa ne mbetemi optimistë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button