Një e treta e nxënëseve të shkollave të mesme në RMV nuk flasin për periudhën seksuale-riprodhuese

Tridhjetë përqind e nxënëseve të shkollave të mesme nuk flasin për periudhën seksuale-riprodhuese, 35 përqind nuk e dinë se çfarë paraqet kjo periudhë, ndërsa 55 përqind nuk kanë kushte adekuate në shkollë që të mund të menaxhojnë shëndetin e tyre menstrual. Këtë e ka treguar sondazhi i realizuar nga organizata civile “Gazetarët për të drejtat e njeriut”. Rezultatet u prezantuan sot në ngjarjen e zhvilluar në platonë e qendrës tregtare “Biser”, ku u shënua Dita e shëndetit menstrual, njofton Meta.mk transmeton Portalb.mk.

Në këtë aktivitet morën pjesë Riçard Malion nga Ambasada Britanike në Shkup, profesoresha Daniella Nikollova, përfaqësues të organizatës, si dhe Darko Kaevski, drejtor i Agjencisë për rini dhe sport.

“Në një sondazh që e realizuam në tre shkolla të mesme, në të cilat morën pjesë 110 nxënës, tre përqind thanë se përdorën letër ose produkte të tjera që nuk janë produkte themelore menstruale”, tha Andrea Nakova nga organizata.

Natasha Dokovska nga Gazetarë për të drejtat e njeriut theksoi se kjo ditë festohet për të ndikuar në përmbajtjen edukative lidhur me shëndetin menstrual.

“Shëndeti menstrual po bëhet gjithnjë e më shumë temë diskutimi, ndërsa qëllimi ynë përfundimtar është që, deri në vitin 2030, çdo vajzë të ketë qasjes në produktet e shëndetit menstrual. Ambasada britanike e mbështet këtë projekt. Tualetet tashmë janë përshtatur në disa shkolla. Kemi përgatitur 12 onlajn leksione në të cilat u përfshinin nxënës. Çdo vajzë duhet të ketë qasje në produktet menstruale, dhe në të njëjtën kohë vazhdojmë të luftojmë kundër diskriminimit tatimor, përkatësisht ne kërkojmë TVSH-ja për këto produkte të ulet. Gjithashtu përpiqemi që çdo vajzë të marrë produkte falas në shkollë. “Menstruacioni nuk ndalet gjatë pandemisë, prandaj edhe duam të sigurojmë edukim të vazhdueshëm për shëndetin menstrual”, tha Dokovska.

Kjo organizatë njoftoi që nga e hëna do të fillojë një projekt i ri me Ambasadën Britanike, i cili përfshin zhvillimin e jastëkëve për përdorim të shumëfishtë. Po zhvillohet edhe një peticion, po mblidhen nënshkrime dhe kur të mblidhen 10.000 nënshkrime, do të kërkohet të zvogëlohet TVSH-ja e këtyre produkteve, në mënyrë që ato të jenë në dispozicion të çdo vajze.

Britania e Madhe është vendi i parë në botë ku çdo vajzë merr produkte falas. Malion tha që miliona vajza përballen me mungesë të produkteve të higjienës menstruale.

“Me problemin e mungesës së mjeteve higjienike përballen miliona vajza dhe gra në të gjithë botën, ndërsa kjo kontribuon të ketë mungesa në shkollë. Ne jemi duke punuar në këtë çështje gjatë vitit të kaluar me Gazetarët për të drejtat e njeriut. Kemi ndërtuar shkolla të adaptuara në Tetovë dhe Resnjë dhe ka pasur onlajn ligjërata” tha përfaqësuesi i ambasadës Malion.

Ndërsa drejtori Kaevski tha se ishte i kënaqur që Agjencia ishte e përfshirë në këtë projekt.

“Që në fillim, e kuptuam që ne si Agjenci duhet sa më shpejt që mundet, të përfshihemi në zhvillimin e kësaj teme dhe të përmirësojmë kushtet në shkollat ​​e mesme dhe fillore dhe ta ngremë këtë çështje në një nivel më të lartë. Po synojmë që produktet të jenë falas për të gjitha vajzat në vendin tonë. Jam i kënaqur që gjithnjë e më shumë njerëz janë duke u përfshirë dhe besoj se do ta arrijmë qëllimin”, tha drejtori.

Profesoresha Nikollova tha se ishte i pavolitshëm fakti që 15 përqind e vajzave përdorin gazeta në vend të jastëkëve dhe se 90 përqind e vajzave në zonat rurale mungojnë nga mësimi gjatë ciklit menstrual.

“Kjo tregon se varfëria dhe paragjykimet janë gjithandej rreth nesh. Ne mundemi problemet t’i kthejmë në dëshira të arsyeshme dhe kjo na motivon të ndërmarrim veprime. Është e papranueshme që të rinjtë të mos kenë informacion për shëndetin e tyre. Është e papranueshme që vajza të mos kenë asnjë informacion në lidhje me shëndetin menstrual”, tha ajo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button