POEZIA E KUFIJVE

Janë të shumtë poetët tanë që kanë shkruar vargje për kufijtë e Atdheut. Rilindësit, ndërkaq, e kanë trajtuar gati pa përjashtim këtë temë, duke qenë se jetuan në periudhën kur shtetet hegjemone evropiane vendosën ta copëtojnë Shqipërinë, duke e bërë gati për ta gëlltitur më lehtë nëpërkat barkzeza të Ballkanit.

Janë këto këngë-vaje për trojet e të parëve të mbetura peng ombrellash të tjetrit, nëpërmjet të cilave poetë të shquar periudhash, drejtimesh, qasjesh e stilesh të ndryshme letrare, shpërfaqën njëkohësisht dhimbjen dhe shpresën se, pas kobesh e tmerresh të papara, do të vijë gjithsesi dita e mirë që do t’na ndritë.

Më klasikët shkruajtën për kufijtë tekste poetike të njohura si lexueshme, kurse të tjerët tekste të shkrueshme. Të parit ofruan informacione të gatshme e të kuptueshme prej gjithkujt. Ata  e bënë këtë me përmendjen në vargje të emrave të shteteve, krahinave, qyteteve, lumenjve, deteve, maleve, dialekteve, viteve, ngjarjeve dhe personaliteteve historike, kurse të dytët me vargje më sugjestive e simbolike që e mundësojnë bashkautorësinë e shijehollëve…

Për kërshërinë e lexuesve të PortAlb-it, po sjell në vijim disa fragmente poezishë të tilla, të shkruara nga: N. Frashëri, P. Vasa, Asdreni, N. Mjeda, F. Konica, F. Noli, Gj. Fishta, H. Mosi. M. Grameno, L. Poradeci, M. Kuteli, L. Kodra, A. Pipa, A. Podrmija e A. Shkreli.

Naim Frashëri:

BAGËTI E BUJQËSIA

…Dellëndyshe bukuroshe, që thua mijëra fjalë,
Dhe të k’ënda vahn’ e lumën, që vjen me vrap e me valë,
A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen pej Çamërie
Me këto milëra fjalë e me gluhë perëndie?
Apo vjen nga Labëria, pra më duke kaqë trime,
Edhe fjalëtë që thua më gëzojnë zëmrën time,
Apo vjen nga fush’e Korçës, nga vënd’i mir’ e i gjerë,
Pej zembrësë Shqipërisë, që del gjithë bot’ e ndjerë?
A më vjen pej Malësie, pej Skrapari, pej Dobreje,
Nga Vijosa, nga Devolli, pej Vlor’ e pej Myzeqeje?
Të munjam të fluturonja e të kishnjam krahë si ti,
Me gas të math do t’i vinjam Shqipërisë brënda në gji!
Për me marrë drejt Shkumbinë edh’ Elbasan’ e Tiranën,
E me ardh ke ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën,
Kostur, Përlep, Fëllërinë, Dibrë, Ipek e Jakovën,
Mat’ e Ysqyp e Prështinë dhe Mirëdit’ e Tetovën;
Krojënë e Skënderbegut, q’i ka pas dhan ner Shqypnisë,
Tue bam me trimni luftë, e m’e munt mren e Tyrqisë.

Pashko Vasa:

O MOJ SHQYPNI, E MJERA SHQYPNI

Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,

Gjithkund lshon dielli vap’ e rrezë,
asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë,
kush mos na e preki, se desimn t’tanë…

 

Aleks Stavri Drenova – Asdreni:

KOSOVËS

…Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini
Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini!
Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë
Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë
Si ç’trimit mirë i prek
Me nder n’luftë me dek!

 

 

Ndre Mjeda:

GJUHA SHQYPE

…Ku n’breg t’Cemit rritet trimi
me zbardh, Shqipe, zanin tand,
e ku Drinit a burimi
që shpërndahet kand e kand.

Geg’ e tosk’, malsi, jallia
jan’ nji komb, m’u da, s’duron;
fund e maj’ nji a Shqipnia
e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon.

 

Faik Konica:

KUSHTRIMI OSE MARSEJEZA E SHQIPTARËVE

…Që nga Janina gjer në Shkodër,

Burrë dhe grua, foshnje dhe plak…

 

 

At Gjergj Fishta:

28 NANDUER 1913

…Mo’ leni, burra!… M’armë!…; Mbaroi Kosova!…
Janina humbi!… e ndoshta, Tepeleni…
Shkoi Manastiri! Dibra edhe Gjakova!…

 

 

Fan Stilian Noli:

ANËS LUMENJVE

…Katundar’ e punëtorë,

Që nga Shkodra gjer në Vlorë!

 

 

Hilë Mosi:

KOSOVA NË LUFTË

…Ah, Shypni, mos thuj mbarova,
Se djelmt tu edhe jan’ gjall’!
N’kamb asht çu e rrebt Kosova
E ban luftën ball për ball.

Ish nji vjet’ ndër ma të vshtira,
Me nji mij nandqind e dhjetë,
Kur Kosov’ mbloj egërsira,
Për me shbi çdo bim’ mbi dhetë.

 

 

Mihal Grameno:

PËR MËMËDHËNË

…E Drini plak me oshëtima

Mbi Shqipërinë valet po derdh;

Tosk’ edhe Gegë si vetëtima

Armikut bini, se dita erdh.

 

Lasgush Poradeci:

PORADECI

…Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi…

 

Mitrush Kuteli:

POEMI KOSOVAR

…Un jam këtu kur Mal i Zi
Me Shumadi,
Me Dallmati –
Sa mban e gjitha Shqehëri,
Ish Iliri!
Kur nga një det në tjatrin det
isha Zot vet!

 

Lame Kodra:

PSE E DUA SHQIPËRINË

…Unë e dua Shqipërinë

Që nga Shkupi e Janinë

Unë e dua Shqipërinë

Për tërfilin mbi lëndinë…

Unë e dua Shqipërinë

Që nga Korça e Vraninë

Unë e dua Shqipërinë

Për një lule trëndelinë…

 

Arshi Pipa:

KOSOVËS

Andej na priret shpirti i fortë me hove
t’dalldisuna ngadhnjimi, ushton jehona:
O vllezën, nalt ju ballin! prej Kosove
Der n’Çamëri Shqipnija asht e jona.

 

Ali Podrimja:

ETYD PËR SHQIPËRINË

Xhuxhe je
Xhuxhe je moj
Pa mua

Dhe kurrkushi jam moj
Jam kurrkushi
Pa ty…

 

Azem Shkreli:
KRINIKË ILIRE
Në fillim ishin zogjët, lumenjt, Ilirët
Hanin ilirisht dhe punonin ilirisht tokën
Lindnin dhe vdisnin lirë, shlirshëm, ilirisht

Pastaj erdhën turre nga perëndimi
Kërkonin tokë ilire, qiell, ujë ilir
U thanë: i paskeni të artë gurët, të bukët tokën…

Fare në fund më duhet të them se poezi për kufijtë kanë shkruar edhe krijuesit e etnive të tjera, përfshirë në këtë mes edhe fqinjët tanë. Dallimi qëndron vetëm në të dhënën se ne këndojmë/vajtojmë historikisht për kufijtë e zaptuar dhe, akoma më zi: të falur e të shitur të Mollakuqeve…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button