Këshilli i Sigurimit nesër në ora 12:00 do të vendos nëse do të vazhdohet gjendja e jashtëzakonshme

Këshilli i Sigurimit do të mblidhet nesër në ora 12:00, e cila është dita e fundit, e gjendjes së jashtëzakonshme që më 15 maj e shpalli presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, për shkak të pandemisë së KOVID-19, njofton Portalb.mk.

Nga Kabineti i Presidentit  kanë njoftuar se nesër në ora 10:00 në”Villa Vodno” do të mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurimit. Presidenca njoftoi se në takim do të marrë pjesë edhe Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.

Duke filluar që nga 18 marsi, presidenti deri më tani ka shpallur tre herë gjendje të jashtëzakonshme, dy herë nga një muaj dhe njëherë 14 ditë. Asnjëri vendim nuk është konfirmuar nga Kuvendi pasi që i njëjti është i shpërndarë dhe për atë nuk mund të mblidhet. Kuvendi sipas të gjitha gjasave nuk do t’i konfirmojë edhe pas mbarimit të gjendjes së jashtëzakonshme.

Kryeministri Oliver Spasovksi tha se Qeveria ende po bën analiza nëse do të kërkojë edhe një vazhdim të gjendjes së jashtëzakonshme, kryesisht me qëllim që të zbatohen masat ekonomike. Ai ka përsëritur edhe njëherë se me përfundimin e gjendjes së jashtëzakonshme vazhdojnë të gjitha veprimet zgjedhore dhe zgjedhjet.

Ndërkohë, Damjan Mançevski nga LSDM, ka thënë për Alsat se, po punojnë që të gjejnë konsensus për datën e zgjedhjeve. Sipas tij, nëse gjendja e jashtëzakonshme ndërpritet më 30 maj, shteti do të jetë plotësisht jofunksional dhe mbajtja e zgjedhjeve është e patjetërsueshme.

“Nëse nuk kemi datë për zgjedhje, nëse nuk kemi gjendje të jashtëzakonshme, atëherë do të përballemi me kaos, kush do të menaxhoj? Nuk kemi Kuvend, ndërsa kemi Qeveri e cila nuk mund të sjell dekrete me fuqi ligjore. Gjendja e jashtëzakonshme do të thotë se kompetencat e Kuvendit kalojnë tek Qeveria dhe ajo nuk ka të bëjë me orën policore, as me masat restriktive”, theksoi Mançevski.

LSDM, propozon që zgjedhjet të mbahen në muajin qershor, me argumentin se zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur, që të sigurohen institucione tërësisht funksionale. Ndërkohë, VMRO-ja opozitare, e cila në takimin e liderëve propozoi tre termine: 23, 30 gusht dhe 13 shtator, nuk lëshon pe nga pozicioni i saj se zgjedhjet nuk mund të mbahen në qershor.

Por, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, është shprehur dje omptimist sa i përket arritjes së një kompromisi për datën e zgjedhjeve. Ai ka thënë se, dallimet ndërmjet partive politike përfshirë edhe pozicionet më ekstreme sa i përket datës së zgjedhjeve, nuk dallojnë më shumë se dhjetë – pesëmbëdhjetë ditë, dhe këto sipas tij, nuk janë dallime të patejkalueshme.

“Nëse këto ditë vazhdon komunikimi intensiv mes partive, siç edhe po ndodh mendoj se mund të takohemi diku rreth 5 korrikut. Qëndrimi i BDI-së, siç theksoi, është se asnjë proces shoqëror nuk guxon ta përkeqësojë gjendjen shëndetësore, diçka me çka, siç tha, pajtohen të gjitha partitë politike dhe se duhet të ketë konsensus sa i përket datës së zgjedhjeve sepse përfshirja në proces është shumë e rëndësishme për zgjedhjet. Do të vazhdojmë këto ditë të përpiqemi, nuk ja vlen që për 10 – 15 ditë ta qojmë vendin në krizë politike dhe më e pakta që presin qytetarët në kushte të pandemisë është që në mënyrë shtesë ta fusim shtetin në krizë”, ka deklaruar Osmani.

Kujtojmë se, zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin paraparë që të mbaheshin më 12 prill, por u anuluan për shkak të paraqitjes së koronavirusit. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button