Kushtetuesja u pajtua me dekretin e Thaçit për ta mandatuar Hotin për kryeministër

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se dekreti i presidentit Hashim Thaçi, për ta mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për postin e kryeministrit, është në përputhje me Kushtetutën dhe se mocioni i mosbesimit ndaj në qeverie në kuvend nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit.

“Gjykata vendosi që dekreti i kontestuar i presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e kuvendit] të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të kuvendit ndaj qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit dhe mundëson formimin e një qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e qeverisë] të Kushtetutës”, thuhet në vendim, shkruan REL.

Gjykata ka sqaruar se kur një qeveri nuk i mbijeton një mocioni mosbesimi në kuvend dhe nëse partia fituese e zgjedhjeve dështon të mandatojë një kandidatë për kryeministër, atëherë kjo e drejtë i kalon një partie tjetër.

“Në të gjitha rastet kur dorëheqja e kryeministrit apo mbetja e postit përkatës i lirë për arsye tjera, ka rezultuar në rënien e qeverisë edhe kur dorëheqja e qeverisë është rezultat i një mocioni të suksesshëm mosbesimi, me kushtin që pas këtij mocioni nuk ka pasuar shpërndarja e kuvendit sipas parimeve të sqaruara më lart, aktivizohet paragrafi 5 i nenit 95 të Kushtetutës, i cili detyron presidentin për të mandatuar kandidatin e ri për kryeministër”.

“Partia politike ose koalicioni i cili e ka të drejtën e parë të propozimit të mandatarit për kryeministër dhe formimit të qeverisë është sërish partia politike ose koalicioni fitues. Për formimin e kësaj qeverie duhet të ndiqet procedura e përcaktuar përmes paragrafit 2 dhe 3 të nenit 95 të Kushtetutës, ndërsa, dështimi i marrjes së votave të nevojshme në kuvend apo refuzimi i këtij mandati, kalon të drejtën e formimit të qeverisë te një parti politike ose koalicion që mund të ketë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Pas vendimit të publikuar nga Kushtetuesja, presidenti Thaçi u bëri thirrje partive politike që ta respektojnë këtë vendim dhe kërkoi që sa më shpejt të formohet një qeveri e re.

“Partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

I mandatuari për kryeministër të ri të Kosovës, Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, mirëpriti vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk gjeti shkelje, sa i përket procedurës së mandatimit të tij për këtë post, nga ana e presidentit, Thaçi.

“Është koha të bashkohemi për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve tanë. Askush nuk ka humbur. Rimëkëmbja e mirëbesimit në mes nesh dhe respektimi i rendit institucional është detyrë dhe obligim yni i përbashkët”, ka shkruar Hoti në llogarinë e tij në Facebook.

Ndërkaq, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, u shpreh se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dëshmon se shteti i Kosovës dhe drejtësia po funksionon.

“Vendimi i Gjykatë nuk i destinohet një partie dhe një grupi, por një zgjidhjeje kushtetuese e cila do të vlejë për të gjithë ne, tani dhe në të ardhmen. I takon qeverisë së ardhshme, të drejtuar nga LDK-ja që të mbajë peshën e demokracisë dhe të kësaj drejtësie të ndarë nga Gjykata Kushtetuese”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Vendim skandaloz e ka quajtur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Gjykata Kushtetuese i dha grusht vullnetit të popullit”, ka thënë Haxhiu, e cila aktualisht është ministre në detyrë e Drejtësisë.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se Kosova sa më shpejtë duhet të formojë ekzekutivin e ri.

Ndërkaq, Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate ka thënë se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, do të kontribuojë në evitimin e ngërçeve institucionale në të ardhmen.

Pas vendimit të Kushtetueses, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bën thirrje institucioneve dhe partive në vend, që të respektojnë këtë vendim.

“Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha institucioneve dhe partive politike të zbatojnë vendimin e sotëm dhe të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ne kërkojmë nga të gjithë liderët të punojnë së bashku për një tranzicion të rregullt në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka kërkuar nga të gjitha partitë politike në Kosovë që të pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Përmes një komunikate për media, Grenell u shpreh se mezi pret që të punojë me Qeverinë e Kosovës.

“Gjykata Kushtetuese ka folur. Për të garantuar paqen dhe stabilitetin – dhe për të mbështetur integritetin e sistemit të drejtësisë së Kosovës – të gjithë duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës. Mezi pres të vazhdoj punën time me njerëzit e Kosovës dhe qeverinë e tyre për të sjellë prosperitet, zhvillim dhe vende pune në rajon”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Richard Grenell.

Ky vendim i Kushtetueses vjen pasi më 30 prill, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mandatoi Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për postin e kryeministrit të Kosovës.

Atëbotë, Thaçi tha se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019, nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë e saj kushtetuese për propozimin e mandatarit, kështu që këtë të drejtë ia kaloi LDK-së, partisë së dytë të dalë në zgjedhjet e tetorit.

Po të njëjtën ditë, Lëvizja Vetëvendosje iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar nga ky institucion vlerësim mbi kushtetutshmërinë e dekretit të Thaçit për Hotin.

Pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti, partnerja e koalicionit, LDK-ja, nisi bisedimet për krijimin e një koalicioni të ri qeverisës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe dhe partitë e tjera të komuniteteve joshumicë.

LDK-ja madje ka përpiluar programin qeverisës dhe e ka bërë publik atë para Grupit të saj Parlamentar, edhe para se Gjykata Kushtetuese të vendoste rreth çështjes së formimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti ka insistuar në mbajtjen e zgjedhjeve pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button