Dita erdhi, por kujdes…

Kur me 11 Mars të këtij viti u soll vendimi për kufizim të lirisë dhe më pas edhe u shpall gjendja e jashtëzakonshme në tërë vendin, dukej shumë e largët dita kur do të mund t’i kthehemi relitetit të mëparshëm dhe lirisë së plotë të lëvizjes. Për shumë qytetarë kufizimi i lëvizjes shihej si diçka shumë e vështirë dhe sifduese. Për të gjithë u bënë të mërzitshme javët që vijuan pas këtij vendimi të cilat dukej se nuk do të përfundonin kurrë. Dhe ja ku përfunduan, kufizimi i lëvizjes u hoq, kafenetë filluan të punojnë, dhe ne të gjithë ngadalë po i kthehemi realitetit. Po të mos jenë numrat e rinj të të sëmurëve edhe mund të harrojmë së shpejtë që vetëm disa javë më parë nuk mund të lëviznim pas orës 16:00, ndërsa tani ja ku jemi sërish jashtë, sërish në punë, sërish në shoqrëri.

Sado me vrull ti kthehemi jetës e cila na ka munguar deri tani, jam e sigurtë që tani e tutje do të na mungojë një pjesë e mirë e gjërave te të cilat kishim qasje gjatë izolimit. Të kaluarit kohë në shtëpi me familjen dhe fëmijët tani e tutje do të shndërohet sërish në luks për shumicën që duhet të kalojë orë të gjata duke vrapuar pas punëve pa fund.

Por kujdesi duhet shtuar dhe assesi të lihet pasdore e të harrohet. Ja ku paraqiten një nga një rastet e reja të të sëmurëve. Lufta me këtë sëmundje nuk është fituar ende, edhe përkundër deklaratave të pamatura se e mposhtëm virusin apo e shpallëm të vdekur. Angela Merkel deklaroi se në fakt jemi ende në fillim të pandemisë dhe thirri për kujdes të shtuar veçanërisht në këtë periudhë kur fillojmë ti kthehemi realitetit.

Prandaj le të tregohemi të kujdesshëm dhe të matur. Le të mundohemi të jetojmë shëndetshëm dhe të kujdesemi për higjienën personale dhe kolektive. Le të tregohemi të arsyeshëm dhe jo të padurueshëm.

E mbi të gjitha, le të tregohemi të vëmendshëm ndaj njëri tjetrit, le të tregojmë më shumë tolerancë, më shumë mirëkuptim, më shumë përkrahje. Le të mos presim të na godasë sëmundja që vetëm atëhertë të tregojmë mirëkuptim të ndërsjellë. Le të sillemi më mirë dhe më sinqertë me njëri tjetrin.

Pëfrundimisht, le të mësohemi të jetojmë në të tashmen, jo në të kaluarën e as në të ardhmen. Le të mësohemi të jemi të kënaqur me atë që kemi dhe të cilën shpresoj jemi mësuar ta çmojmë gjatë këtyre muajve të izolimit. E mira nuk ka fund por edhe e keqja di të na befasojë shpesh. Prandaj ta jetojmë çdo ditë sikur të ishte e fundit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button