Osmani optimisit për datën e zgjedhjeve, 5 korriku është datë e mundshme kompromisi

Zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, ka thënë sot se, dallimet ndërmjet partive politike përfshirë edhe pozicionet më ekstreme sa i përket datës së zgjedhjeve, nuk dallojnë më shumë se dhjetë – pesëmbëdhjetë ditë, transmeton Portalb.mk.

“Kështu që, këto nuk janë dallime të patejkalueshme dhe nëse këto ditë vazhdon komunikimi intensiv mes partive, siç edhe po ndodh mendoj se mund të takohemi diku rreth 5 korrikut”, ka deklaruar Osmani.

Qëndrimi i BDI-së, siç theksoi, është se asnjë proces shoqëror nuk guxon ta përkeqësojë gjendjen shëndetësore, diçka me çka, siç tha, pajtohen të gjitha partitë politike dhe se duhet të ketë konsensus sa i përket datës së zgjedhjeve sepse përfshirja në proces është shumë e rëndësishme për zgjedhjet.

“Do të vazhdojmë këto ditë të përpiqemi, nuk ja vlen që për 10 – 15 ditë ta qojmë vendin në krizë politike dhe më e pakta që presin qytetarët në kushte të pandemisë është që në mënyrë shtesë ta fusim shtetin në krizë. Pres që të gjithë të jemi në nivel të përgjegjësisë të cilën e kemi dhe se do të takohemi në kuptim të përcaktimit të datës”, tha Osmani, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas pranimit të donacionit të cilin Polonia e siguroi për vendin tonë si mbështetje në luftën kundër KOVID-19.

Më e pakta që i duhet shtetit në kushte të pandemisë, të krizës shëndetësore dhe ekonomike, potencoi zëvendëskryeministri, është që partitë politike të polarizohen deri në ekstrem që do ta sjellë shtetin afër krizës politike.

Ndërkohë, të shtunën përfundon gjendja e jashtëzakonshme e shpallur për shkak të pandemisë dhe krerët shtetëror akoma nuk kanë vendosur nëse e njëjta do të vazhdohet sërish.

Pasi të mbarojë periudha e gjendjes së jashtëzakonshme, duhet të vazhdojnë veprimet zgjedhore, kështu që sipas parashikimeve votimi duhet të mbahet 22 ditë pas prej ditës së shtunë.

Partitë politike akoma nuk kanë vendosur për datën e mbajtjes së zgjedhjeve. Pozicionet e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së në lidhje me këtë çështje janë të kundërta. Nga kabineti presidencial, kanë deklaruar se presidenti, pret përafrimin e qëndrimeve të partive, për thirrjen e një takimi të re për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve.

LSDM, propozon që zgjedhjet të mbahen në muajin qershor, me argumentin se zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur, që të sigurohen institucione tërësisht funksionale. Ndërkohë, VMRO-ja opozitare, e cila në takimin e liderëve propozoi tre termine: 23, 30 gusht dhe 13 shtator, nuk lëshon pe nga pozicioni i saj se zgjedhjet nuk mund të mbahen në qershor, për shkak të pandemisë së koronavirusit, shkruan Portalb.mk.

Liderët partiak kanë zhvilluar dy takime te presidenti, Stevo Pendarovski, më 12 dhe 18 maj,në përpjekje për të caktuar një datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, megjithatë kanë dështuar në arritjen e një marrëveshje për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kujtojmë se, zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin paraparë që të mbaheshin më 12 prill, por u anuluan për shkak të paraqitjes së koronavirusit. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button