U premtua 8 vite, sot është nënshkruar marrëveshja për ndërtimin e shkollës në Reçicë të Vogël

Një ditë pasi Portalb.mk informoi se punimet për ndërtimin e shkollës fillore në Reçicë të Vogël nuk kishin filluar në kohën e premtuar, sot nga ministria e Arsimit dhe Shkencës përmes një postimi në rrjetin social “fejsbuk” njoftuan se është nënshkruar marrëveshje me operatorin ekonomik dhe se punimet do të fillojnë së shpejti, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse kanë kaluar katër muaj nga hapja e mundësisë për aplikimin e kompanive për ndërtimin e shkollës fillore në Reçicë të Vogël, sot është nënshkruar marrëveshja për këtë të fundit.

Duke mos shpjeguar arsyet e kësaj vonese, e cila rrezikon që ti lë nxënësit edhe në vitin e ardhshëm akademik të ecin me kilometra për të arritur në shkollë, ministri i Arsimit dhe Shkencës tha se punimet do të fillojnë së shpejti.

Gazetari i Portalb.mk dje ishte në vendin ku pritet të ndërtohet kjo shkollë dhe dëshmoi se aty nuk kishte mjete punuese, por vetëm kotec pulash dhe disa bujq të cilët punonin.

Vendi ku duhej të ndërtohet shkolla në Reçicë të Vogël.
Vendi ku duhej të ndërtohet shkolla në Reçicë të Vogël.

Ndërkaq, në janar të këtij viti nga e njëjta ministri na thanë se në qoftë se punët shkojnë ashtu siç duhet, në prill të këtij viti punimet për ndërtimin e shkollës do të duhej të kishin filluar, por kjo nuk ndodhi.

“Në fillim të shkurtit hapet mundësia për aplikimin e kompanive që do ta ndërtojnë shkollën fillore në Reçicë të Vogël. Në qoftë se punët shkojnë sipas tenderit që figuron në sistemin për prokurim publik, punimet për shkollën do të fillojnë në fillim të muajit prill. Meqenëse afati për ndërtimin e shkollës është 17 muaj, i bije që e njëjta të jetë gati në shtator të vitit 2021” thanë për Portalb.mk nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, me datë 16.01.2020.

Ndërtimi i shkollës fillore në Reçicë të Vogël, Tetovë, është një nevojë e madhe për të rinjtë e këtij vendi, në këtë vendbanim rreth 1000 nxënës i ndjekin mësimet disa kilometra larg  shtëpive të tyre, një pjesë në Reçicën e Madhe dhe pjesa tjetër në shkollën “Naim Frashëri” në Tetovë.

Zgjidhja e këtij problemi u premtua disa herë, madje nga fushata e parë parazgjedhore e kryetares Arifi, por deri më tani nuk është ndërmarr asgjë në drejtim të aktiviteteve ndërtimore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button