fbpx

Ahmeti, Thaçi, Gruevski,Cërvenkovski jepni firmat tuaja!

Test për kapacitet demokratik, për vetëdije qytetare dhe për dobinë politike do të jetë nisma “Aman – Mjaftë është”. Pa dallim të përkatësisë politike, etnike, fetare dhe nacionale, në fund të muajit llogaritë për komunali, rrymë, ngrohje do të arrijnë në adresën e çdonjërit. 

Nisma për mbledhjen e 10.000 nënshkrimeve të nevojshme për sigurimin e debatit kuvendar për ndryshimin e Ligjit për energjetikë – ka filluar. Thirrje të drejtpërdrejt për të mbështetur nismën morën edhe liderët partiakë, Nikolla Gruevski, Branko Cërvenkovski, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi.

Megjithatë, politika e përditshme “minimizoi” këtë nismë. Pushteti akuzon se bëhet fjalë për “konstruksion” të opozitës. Pikërisht kjo sipas profesoresha universitare Mirjana Najçevska është shprehje se sundimi demokratik është në krizë.

“Kjo formë e akuzës paraqet njërën prej treguesve më të qartë të moskuptimit të plotë të shtetit demokratik dhe sundimit demokratik. Me fjalë tjera, absolutisht të gjithë, që do të thotë, qytetarët, opozita, shoqëria civile, e kontrollojnë pushtetin, kërkojnë, pyesin, protestojnë dhe gjëja më logjike është të bashkohen dhe ta përforcojnë zërin e vet. Vetëm në këtë mënyrë pushteti do të detyrohet të reagojë, t’i dëgjojë, të interesohet për problemet dhe të provojë të gjejë zgjidhje”, thekson Najçevska për Portalb.

“Me të vërtetë nuk kuptoj se çka do të thotë kjo, ndonjë kërkesë apo nismë për të fituar etiketë politike. Ndaj nënkuptohet se çdo kërkesë e drejtuar në Qeveri është politike, kur edhe vetë pushteti është politik dhe struktura qeveritare zhvillon politikë të caktuar dhe parti e caktuar ka ardhur në pushtet me promovimin e një politike të saj të caktuar. Pushteti i mençur i dëgjon mospajtimet e qytetarëve dhe në bazë të kësaj i dimensionon aktivitetet e tij, në të kundërtën ajo strukturë qeverisëse do të humbiste në zgjedhjet e ardhshme, përveç nëse nuk është strukturë fashiste, diktatoriale e cila llogarit t’i fitojë zgjedhjet me mashtrim, dhunë dhe frikësim”, konsideron profesoresha. 

Etiketimi politik i nismës qytetare, nga “Aman – Mjaft është” e vlerësojnë si shprehje të pafuqisë që pushteti të përballet me problemet e qytetarëve.

“Temat dhe çështjet sociale të cilat AMAN i përfshin nuk i tangojnë vetëm anëtarët e partive opozitare, përveç nëse partia qeveritare ka sistem të veçantë për dhënien e shërbimeve si energjia elektrike dhe termike ndaj anëtarëve të vet, e më pas nuk ua paguan shërbimet, atëherë publikisht letë thotë dhe ne menjëherë do të bëhemi anëtarë të partisë”, thekson për Portalb Aleksandar Gocev nga organizata joqeveritare “AMAN”.

Pse një nismë e tillë, që prek “xhepin” e çdo qytetari nuk mund të jetë gjenerator i bashkimit? Profesoresha Najçevska konsideron se polarizimi partiak është aq i madh saqë ndau interesimin qytetarë:

“Unë problemin e shoh në të kuptuarit e gabuar të demokracisë vetëm përmes prizmit të shumëpartizimit, në vend të aspektit të qytetarit interesat dhe nevojat e të cilit duhet të jenë të përmbushura”.

Në vend se liderët partiakë të distancohen Najçevska konsideron se ata duhet të parët ta vënë nënshkrimin në këtë Nismë për të siguruar hapësirë dhe mundësi, nëse vijnë në pushtet apo nëse janë në pushtet të veprojnë në drejtim të mbrojtjes së të drejtave dhe kërkesave të qytetarëve.

Sukses apo Fiasko?


Tani, qytetarët janë në test. Prej tyre varet nëse do të mblidhen 10 mijë nënshkrime të nevojshme me të cilat do të sigurohet debati kuvendor për ndryshimin e Ligjit për energjetikë. Nëse kalon me sukses faza e parë, në radhë vijnë deputetët. Kjo nismë do të jetë test edhe për ta.

“Me mbledhjen e 10.000 nënshkrimeve AMAN do të mund ta vazhdojë propozimin e ndryshuar dhe të plotësuar të ligjit për energjetikë në të cilin parashihet që ligjërisht të kthehet tarifa e lirë në periudhën prej orës 10 deri në ora 18, dhe kërkesa e dytë është që dhënësit e shërbimeve të energjisë termike, energjisë elektrike dhe gazit natyror të mos mund t’u paguajnë qytetarëve për diçka që nuk e shfrytëzojnë, siç është shembulli me Ngrohtoren. Nëse ky propozim/ligj kalon në Kuvend, në atë rast Komisioni rregullator për energjetikë nuk do të mund të luajë me dinjitetin e qytetarëve dhe të merr vendime ashtu si ju vie apo të shkaktojnë dëme në xhepin e qytetarëve”, thekson Gocev.

Profesoresha Najçevska dyshon se nisma do të përfundojë me epilog pozitiv për qytetarët.
“Kuvendi tashmë ka anuluar një aksion të tillë (me garniturë tjetër politike). Pranimi i një nismë të tillë dhe fillimi i debatit, akoma më shumë çdo tentim për gjetje të zgjidhjes adekuate, mund të jetë shenjë e pjekurisë së një strukture të caktuar politike. Unë personalisht nuk besoj se VMRO-DPMNE ka kapacitet të tillë. Megjithatë, çdoherë shpresoj se mund edhe të më befasojnë, shikuar në aspektin pozitiv”, theksoi profesoresha.

Derisa kandidatët për prefektë nga radhët e opozitës tashmë kanë vënë nënshkrimin në këtë nismë, nga garnitura qeveritare akuzuan se bëhet fjalë për “konstruksione” të opozitës, ndërsa fajin për shtrenjtimet e theksuan tek LSDM-ja.

“Shtrenjtimi i çmimit të rrymës nuk është rezultat i mungesës së investimeve  në energjetikë, sepse investime në këtë segment ka dhe ato nuk ndalen madje edhe në periudhë të krizës ekonomike globale. Çmimi më i lartë i rrymës është rezultat i shitjes së EEM-së te EVN dhe bartjen e monopolit shtetëror në duart e pronarit privat gjë që e bëri LSDM-ja, apo siç tha Radmilla Shekerinska kjo është “sheqerkë biznesi” i LSDM-së. Pikërisht ky sheqerkë biznes  i LSDM-së, qytetarëve u solli rrymë më të shtrenjtë”, konsiderojnë nga VMRO-DPMNE.

Kush do të kalojë e kush do të “bie” në këtë test për “të drejtën civile” së shpejti do të shihet. Në ndërkohë, tarifë të lirë për rrymën ka vetëm pas orës 22 dhe gjatë të dielës! Ngrohjen do ta paguajnë edhe ata që nuk e shfrytëzojnë! Rryma deri për zgjedhje nuk do të shtrenjtohet, por do të kompensohet pas zgjedhjeve, me çmime të reja – në qershor!

Aneta Dodevska, bashkëpunëtore e jashtme e Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button