A shkon bota nga kaosi?!

Gjatë historisë, pandemitë kanë shkaktuar tragjedi të dyfishtë – vrasje masive dhe shkatërrim të rendit botëror. Pandemia e quajtur “Vdekja e Zezë” që kishte shpërthyer në Kinë (1334) duke u përhap me shpejtësi në mbarë botën vrau më shumë se 100 milion njerëz dhe njëherit shkatërroi perandorinë e atëhershme më të fuqishme mongole. Kjo pandemi futi në dhe më se gjysmën e popullsisë së asaj kohe të Evropës dhe njëherit shkaktoi përhapjen e kolonializmit evropian dhe kolapsin e sistemit feudal.

Në vitin 1918 u shfaq “Gripi Spanjoll”, duke infektuar rreth 40 përqind të popullsisë së botës dhe duke vrarë më shumë se 100 milion njerëz. Ishte kjo pandemi që në Evropë çoi në forcimin e fashizmit dhe në kaosin e Wall Street në vitin 1929, të njohur si “Fatkeqësi e Madhe” (Great Crash). Pak më vonë, Bursa e Nju Jorkut u pat shembë dhe kështu filloi depresioni i madh, që solli gjer në Luftën e Dytë Botërore. Nga ana tjetër, fundi i Luftës së Dytë Botërore bëri lindjen e Kombeve të Bashkuara si faktor i rëndësishëm global për paqen dhe zhvillimin. Kriza e rëndë ekonomike në BRSS në vitet e tetëdhjeta çoi në shkatërimin e këtij shteti dhe shembjen e sistemeve në shumë shtete socialiste. U kriju një botë krejt e re unipolare. Por, pas njëzet vjet unipolarizmi amerikan, ndodhi 11 shtatori 2001, i cili çoi në luftëra të shumta në emër të terrorizmit global. Më vonë pasuan viruset – SARS, Gripi i Shpendëve, Gripi i Derrave, Ebola, etj, por si duket bota mirë qëndroi për derisa nuk trokiti në dyer SARS-KOV-2, që çdo gjë paralizoi. Plasi “Lufta e Tretë Botërore” pa asnjë plumb të shkrepur. Vetëm nga një agjens biologjik të padukshëm.

Në vitin 1972, Edward Lorenz lansoi metaforën “Efekti i fluturës” (tundja e krahëve të fluturës në Brazil mund të shkaktojë një tornado në Teksas). Gjysmë shekulli më vonë, një virus dhjetëra miliona herë më i vogël se një flutur krijoi një tornado në gjithë botën. Si duket teoritë fantastike të kaosit u bënë të praktikuara! U gjunjëzua e gjithë bota e zhvilluar. Dhe kur ajo botë mendoi se kishte vendosur kontroll mbi virusin, ai iu qas Botës së Tretë, vendeve të cilat kanë resurse shumë të dobëta shëndetësore. Kjo mund të çojë në kaos të dyfishtë planetar, pasi vendet e zhvilluara nuk janë më të afta për të ndihmuar. Kjo mund të çojë në një fluks masiv të paparë të migrantëve, shembje të sistemeve, instalim të diktaturave dhe shumë luftëra.

Lufta tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës

Jehoi si bombë deklarata e Tramp-it se ai do vendos sanksione ndaj 33 ndërmarrjeve kineze, gjoja për shkelje të të drejtave të Ujgurëve (që, dorën në zemër Ujgurët për Tramp-in kanë më pak peshë sesa dëbora e vitit të kaluar). Lista e sanksioneve përfshinte edhe Institutin e Shkencave Gjyqësore pranë Ministrisë për Siguri të Kinës. Por, kjo është vetëm një taktikë shpikje armiku para zgjedhjeve presidenciale në të cilën Tramp po kandidon për një mandat të dytë, por tani me një pozicion dukshëm më të dobët. Shumë vëzhgues thonë se pandemia dhe sjellja katastrofike e administrates së presidentit Tramp gjatë saj, janë goditje serioze për reputacionin e SHBA. Është krijuar opinion botëror se Shtetet e Bashkuara nuk janë më të gjithëfuqishëm. Tramp fundosi mu atëherë kur mendonte se po lundron me të gjitha velat. Por, kur nuk shifni si përpara, pikëllimin e keni mu te thembra. Kissinger me të drejtë pat theksuar që Shtetet e Bashkuara, përveç mbrojtjes së qytetarëve të saj nga epidemia, duhet të veprojnë shpejt për të menaxhuar lindjen e një epokë të re. Ai pat theksuar se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për një qeveri më aktive dhe më vizionare për të ndihmuar tejkalimin e problemeve të mëdha globale. Por Trampi ekscentrik dhe shpërthyes injoroi së pari virusin, pastaj mjekët, e më në fund kërkoi nga mjekëve e botës që të lënë pacientët në vendet e tyre dhe të vijnë në Shtetet e Bashkuara, sepse pacientët amerikanë ishin më të rëndësishëm!

Vendet e botës së tretë po shkojnë drajtë bankrotit të përgjithshëm edhe për shkak të borxhit publik, kryesisht ndaj bankave perëndimore. Nga kaosi që është në rritje në ato vende, gjithçka është e pritur. Nga diktaturat, grusht shtetet, luftërat, kryengritjet, okupimet e territoreve të huaja, etj. Në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po i kthehen vetvetes, kur UE dukshëm është dobësuar, kur Rusia është nën bllokadë, kur Kina sheh vetëm ekonominë dhe tregtinë – është e vështirë të parashikosh se çfarë do të ndodhë në këto vende të treta.

Fakt është se Shtetet e Bashkuara qëndronin fuqishëm pas rendit botëror pas Luftës së Ftohtë. Ata madje kanë diktuar rregullat e lojës në gjithë botën përmes institucioneve dhe organizatave të ndryshme si – Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Organizata e Tregtisë Botërore, NATO dhe G8. Vende të tjera në përgjithësi sikur vet donin të jenë pjesë e këtij rendi duke iu nënshtrua epërsisë amerikane. Kjo nënkuptonte mbizotërim të vlerave amerikane. Madje edhe vet Moska iu bashkua OBT dhe G8, kurse vendosi bashkëpunim partneriteti me NATO-n.

Është interesante që ditë më parë gazeta “Le Monde” shkruajti se “Makron është përkrahësi i fundit i vërtetë i multilateralizmit” në OKB dhe në mbarë botën, duke theksuar se kriza aktuale globale ka shkaktuar “ndryshime rrënjësore në mjedisin tonë gjeopolitik”. “Rendi botëror duhet të rishqyrtohet dhe riorganizohet,” kishtë shkruar gazeta, duke potencuar se Kombet e Bashkuara tani më janë të paralizuar. Presidenti francez Emanuel Makron po përpiqet të aranzhojë një takim të liderëve të pesë vendeve – anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të KB – për të rënë dakord sa më shpejt të jetë e mundur për hapat e përbashkët për pandeminë. Ky takim i drejtuesve të vendeve më të fuqishme “duhet t’i tregojë botës se ata janë udhëheqësit që duan të dalin nga sjellja e tanishme “secili për vetveten” duke bashkëpunuar në luftën kundër koronavirusit”, raportoi gazeta pariziane. Kurse vetëm tetë muaj më parë, Makron pat thënë se NATO ishte në shtrat të vdekjes klinike kurse UE ishte në prag të ambisit. Aq e paska pas anti-multilateralizmi i tij! Por, fakt është se nuk mund të blini lumturi me paratë e fituara nga shitja e moralit.

Nga ana tjetër, Rusia është ekonomikisht tejet e dobësuar edhe për shkak të rënies historike të çmimeve botërore të naftës. Kjo është arsyeja pse autoriteti i Putinit ka rënë aq shumë. Por, diktatorët nuk e lejojnë veten të fundosen aq lehtë dhe kjo paraqet një kërcënim të madh për paqen dhe sigurinë rajonale. Dihet që diktatorët do ta kishin më të lehtë të fillonin një luftë sesa të humbnin pushtetin. Rusia nuk shpreson shumë në lidhjet me vendet e BRICS-it, ASEAN-it dhe Kinën.

Ditë më pare, nobelisti Pankaj Mishra për “Bloomberg” pat shkruar se virusi do të rivendosë gjendjen e shtetit të fortë. Ky është kërcënimi më i madh veçanërisht për UE-në, anëtarët e së cilës vepruan me egoizëm gjatë Koronës. Andaj, pritjet për forcimin e tendencave të sovranitetit në shtetet, mund të jetë një katastrofë për Unionin. Përgjithsisht këtu dështuan edhe të majtët edhe të djathtët, edhe demokratët e sidomos autokratët. Dhe kush do ta mbushë këtë zbraztirë ?! Kjo është një pyetje shumë e vështirë në ambient të qasjes darviniste ndaj problemeve globale. Dëshira për shpëtim na është bë një lutje e fortë religjioze nacionale, por në asnjë mënyrë edhe globale. Së shpejti do të shofim se a do kemi botë multipolare apo kaotike!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button