Komuniteti i gazetarëve në RMV reagoi: Fondit për mbështetjen e mediave i vjen era korrupsion

Organizatat e gazetarëve dhe të operatorëve kabllovik janë të shqetësuar nga paralajmërimi i qeverisë për formimin e një fondi për të ndihmuar mediat për shkak të krizës nga korona virusi. Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve të Mediave (SPGPM) në parim janë kundër parave publike në media, veçanërisht nëse kjo bëhet pa kurrfarë paralajmërimi paraprak dhe pa debat publik, shkruan Observatori Mediatik, transmeton Portalb.mk.

Në SHGM thonë se ditëve të fundit i janë drejtuar me shkresë qeverisë me qëllim për të marrë detaje rreth idesë për formimin e fondit për mbështetjen e mediave, mirëpo deri tani kanë qenë të injoruar dhe askush nuk ka dashur të sqarojë se për çfarë saktësisht bëhet fjalë.

“Ende kemi trauma nga e kaluara lidhur me paratë publike në mediat private. E dimë se çfarë dëmi solli kjo në sektorin mediatik. Në këtë rast, shqetëson jotransparenca dhe fakti se shoqatat e esnafit të sektorit nuk janë konsultuar për këto çështje të rëndësishme, të cilat mund seriozisht të ndikojnë në punën e gazetarëve dhe të mediave”, deklaroi për “Meta.mk”, drejtori i SHGM, Dragan Sekulovski.

Ai vlerëson se koha kur qeveria dëshiron të miratojë këtë masë, në prag të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, është e diskutueshme, ndërsa pasojat do të bien mbi lirinë e mediave.

“Nëse para zgjedhjeve formohet ndonjë fond për media dhe drejtpërdrejtë u transferohen paratë mediave private, ndërsa në të njejtën kohë, u paguhen shtesë edhe 4-5 milion euro për propagandë politike gjatë fushatës elektorale sipas Kodit zgjedhor, si do të reflektohet kjo ndaj politikës editorial të mediave? Fitohet përshtypja se mendohet të ndikohet ndaj mënyrës se si media do të raportojë gjatë fushatës zgjedhore. Do të pritet që pjesa dërmuese e mediave të kushtojnë vëmendje më të madhe temave që janë të rëndësishme për partitë, e jo për interesin publik të qytetarëve, dhe kjo do të jenë në dëm të qytetarëve”, thekson Sekulovski.

Sipas tij, e pakontestueshme është se mediat janë të prekura nga kriza sepse kanë rënë të ardhurat prej reklamave, mirëpo obligimi i qeverisë në këtë situatë është të lehtësojë punën e mediave. Megjithatë, ndihma e drejtpërdrejtë mund të rrezikojë pavarësinë e tyre.

Në linjë të njëjtë me SHGM është edhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe punëtorëve të mediave. Ato në parim janë kundër dhënies së parave publike në media, veçanërisht meqë qeveria paralajmëron këto masa duke mos konsultuar me esnafin.

“Mbetet e paqartë nëse qeveria në këtë mënyrë do ti ndihmonte pronarët e mediave ose gazetarët dhe gazetarinë, sepse ndër të parët që mbetën pa punë gjatë krizës me korona virusin ishin pikërisht gazetarët, ndërsa në paralajmërimin në shumë media është edhe ulja e pagave të tyre”, thonë në SPGPM.

Kundër fondit për mbështetjen e mediave është deklaruar edhe operatori kabllovik “Telekabel”, prej ku dyshojnë se kjo masë do të dëmtojë interesat e tyre.

Njeriu i parë i “Telekabel”, Robert Dimitrov në deklaratën për Televizionin “24 Vesti” tërheq vërejtjen se nëse qeveria realizon qëllimin e saj, këtë do ta paguajnë qytetarët.

“Kemi informatë se dekreti ka të bëjë me formimin e njëfarë fondi për ndihmë mediave, ndërsa atë fond do ta mbushin të gjithë operatorët, të cilët do të jenë të obliguar të paguajnë një për qind prej të ardhurave bruto vjetore. Taksa e re do të shkaktojë ngritjen e parapagimit mujor, i cili në këtë periudhë të krizës nuk është korrekte të ngritet sepse ashtu i është tekur dikujt se qytetarët duhet të financojnë Sitel, Kanal 5, Alfa, Telma dhe Alsat”, thotë Dimitrov.

Ai paralajmëron se operatorët kabllovik do të kundërshtojnë fortë këtë vendim.

“Nëse miratohet ky dekret dhe na imponohet detyrim i ri, pesë televizionet kombëtare do të hiqen prej “Telekabel”. Ne njoftuam edhe faktorët ndërkombëtarë në vend dhe aktorët e vendit dhe ende kemi njëfarë shprese se arsyeja do të fitojë”, vlerëson Dimitrov.

Përndryshe, formimi i fondit për mbështetjen e mediave para dy javësh e paralajmëroi ministri për shoqëri informative dhe administratë, Damjan Mançevski, në emisionin “Otvoreno” në Televizionin “24 Vesti”.

“Ne tashmë lejuam ndihmë financiare për mediat e shtypura. Mendojmë për miratimin e një dekreti me të cilin do të marrin ndihmë financiare mediat sepse ato janë njëra ndër industritë më të prekura nga pasojat e virusit korona. Ka një një sërë marrëveshjesh të shfuqizuara për reklama dhe ky është një fakt botëror. Mendojmë për të ndihmuar të gjitha mediat, nuk flasim për qasje selektive, nuk flasim për fushata publicitare, flasim për ndihmë punës së mediave në bazë të kritereve të përcaktuara qartë”, sqaroi Mançevski.

Ai mohon se kjo masë do të thotë korrupsion në media me para publike dhe ndikim ndaj politikës editorial të mediave, sepse këta para nuk do të jepen në mënyrë selektive, ashtu siç kishte vepruar qeveria e mëparshme, por të gjitha mediave.

“Ato ishin fushata publicitare të paguara nga paratë e qytetarëve, të cilat shërbenin për promovimin e politikave të partisë së atëhershme në pushtet”, thotë Mançevski.

Në pyetjen nëse bojkoti i televizioneve kombëtare për mospublikimin gjallë të deklaratave të funksionarëve qeveritar ka ndikuar që qeverinë të veprojë në këtë mënyrë, Mançevski thotë se ata nuk janë shumë të vendosur për këtë masë, por se e shikojnë si një variant i mundshëm për shkak të krizës me virusin korona. Përveç kësaj, ai zbulon se përfaqësuesit e  organizatave të mediave pa mos përmendur se cilat janë ato, janë ankuar se nuk kanë mjete për të mbajtur në punë gazetarët.

Nga ana tjetër, të gjitha mediat në vend janë të përfshira në masat antikrizë të qeverisë për përballjen me pasojat e krizës me virusin korona, të cilat parashikojnë subvencionimin e pagave të gazetarëve dhe të punëtorëve të mediave për dy muaj në shumën e pagës mesatare prej 14.500 denarëve. Vetëm në këtë bazë, qeveria për dy muaj do ti ndihmojë mediat me mbi 200 mijë euro.

Përveç kësaj, si masë antikrizë, dhe në përpjekje për të ndihmuar mediat radiovizive, Agjencia për shërbimet audio dhe audiovizive ua ka falur për dy vite kompensimin për veprimtarinë të gjitha televizionet dhe radiove private në vend, në shumë prej mbi një milion eurosh. Vetëm servisi publik, Radiotelevizioni i Maqedonisë  ka marrë ndihmë prej rreth gjysmë milion euro.

Në mënyrë shtesë, mediat e vendin në emër të reklamës politike prej viti të kaluar për fushatën parazgjedhore për zgjedhjet për president kanë ndarë rreth 4 milion euro, ndërsa po aq mjete janë parashikuar të shpenzohen sivjet për reklamim politik të partive të dedikuara për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Naser Selmani

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button